• Republika e Kosovës
    Republika Kosovo - Republic of Kosovo
    Kuvendi - Skupština - Assembly
    T R A N S K R I P T
    I MBLEDHJES PLENARE TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS,
    E MBAJTUR 19 PRILL 2017
    SA PLENARNE SEDNICE SKUPŠTINE REPUBLIKE KOSOVA,
    ODRŽANE 19. APRILA 2017. GODINE
    PRILL - APRIL
    2017
    Rendi i ditës
    1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,
    2. Koha për pyetje parlamentare,
    3. Interpelanca e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetes Donika
    Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, për çështjen e shfrytëzimit të
    thëngjillit dhe minierën e Sibocit,
    4. Interpelanca e ministrit Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i
    mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë
    së Distribuimit të Energjisë Elektrike,
    5. Debat parlamentar sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, e mbështetur edhe nga 9
    deputetë tjerë nënshkrues, në lidhje me moszbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit
    nga Qeveria e Republikës së Kosovës,
    6. Debat parlamentar sipas kërkesës së deputetëve Bekim Haxhiu dhe Xhevahire Izmaku, të
    mbështetur edhe nga 8 deputetë tjerë nënshkrues, në lidhje me shkeljen e të drejtave të
    punëtorëve në Kosovë.
    Dnevni red
    1. Vreme za deklarisanja van dnevnog reda,
    2. Vreme za parlamentarna pitanja,
    3. Interpelacija premijera Kosova Isa Mustafa, na zahtev poslanice Donika Kadaj-Bujupi,
    podržana od 15 poslanika potpisnika, o korišćenju uglja u rudniku u Sibovcu,
    4 Interpelacija ministra Blerand Stavileci, na zahtev poslanika Visar Ymeri, podržan od 15
    5.
    poslanika potpisnika , u vezi ugovora o privatizaciji Kompanije za distribuciju električne energije,
    5. Parlamentarna rasprava, na zahtev poslanice Teuta Haxhiu, podržane od 9. ostalih poslanika
    potpisnika, u vezi sprovođenja preporuka Narodnog advokata od strane Vlade Republike
    Kosova,
    6. Parlamentarna rasprava, na zahtev poslanika Bekim Haxhiu i Xhevahire Izmaku, podržanih od
    8. ostalih poslanika potpisnika, u vezi kršenja prava radnika na Kosovu.
    2
    Mbledhjen e drejtoi nënkryetari i Kuvendit, z. Xhavit Haliti.
  • Të nderuara zonja dhe zotërinj deputetë,
    I hap punimet e seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas rendit të ditës, të
    përgatitur nga Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur më 14 prill 2017.
    1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës
    E dini që kjo pikë zgjat 30 minuta, rregullat i dimë të gjithë, po fillojmë sipas paraqitjes së
    deputetëve.
  • Faleminderit, i nderuar nënkryetar!
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Sot në këto deklarime do të paraqes një shqetësim, të cilin disa herë e kam paraqitur në këtë
    foltore dhe në Kuvend për mungesën e infrastrukturës sportive dhe tani edhe moszbatimin e
    legjislacionit të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës për të ndihmuar dhe avancuar sportin më tutje.
    Po bëhen katër vjet, në fakt, tre vjet prej se është zhvilluar ndeshja e parë miqësore
    ndërkombëtare mes Kosovës dhe Haitit dhe prej atij renovimit të asaj periudhe kohore në
    Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” nuk është vendosur asnjë gozhdë tjetër dhe nuk është bërë
    asnjë punë, e për më keq, edhe ajo çka është rindërtuar nuk është mirëmbajtur si duhet dhe tani
    klubet tona e rrezikojnë seriozisht që të mos licencohen më 1 qershor për t’i zhvilluar ndeshjen
    ndërkombëtare në kuadër të një kompeticioni, të cilën sportistët tanë me vite të tëra e kanë pritur
    në kuadër të ligës së UEFA-s. Kjo është shumë shqetësuese, sepse ne edhe sot, në pamundësi për
    zhvillimin e këtyre ndeshjeve në stadiumin e Prishtinës, i cili është në fazën e renovimit, po
    ekziston problemi aktual, sepse edhe në atë të Mitrovicës për tre vjet nuk është investuar.
    Edhe pse Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar në ndryshim-plotësimin e buxhetit të vitit 2016 ka
    ndarë 760 mijë euro dhe Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro nga fondi rezervë, asnjë nga
    ato mjete nuk janë investuar në stadiumin “Adem Jashari” dhe kjo kërkon vërtet një
    llogaridhënien të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
    Përveç kësaj, këto ditë ne kemi hasur kërkesa të vazhdueshme dhe pyetje të sportdashësve dhe të
    atyre të cilët në vazhdimësi po kërkojnë të dinë pse nuk po fillon zbatimi i dy ligjeve esenciale që
    i ka aprovuar Kuvendi i Kosovës. Kemi të bëjmë me Ligjin për sponsorizim dhe Ligjin për
    parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në sport, e për të cilat ligje
    institucionet qeveritare, në këtë rast Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit ka qenë e obliguar
    të nxjerrë udhëzimet administrative për zbatimin e këtyre ligjeve.
    3
    Për më keq, Ministria e Financave i ka dhënë sugjerime administratës tatimore që të mos
    respektojë Ligjin për sponsorizime dhe të vazhdojë të bëjë ose të punojë sipas akteve normative
    të vjetra, para aprovimit të këtij ligji.
    Prandaj, po kërkohet edhe një herë një vëmendje e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që
    të plotësojë aktet normative, për të cilat është e obliguar, sepse me këto akte normative vërtet do
    të ndëshkoheshin ata të cilët sot po atakohen dhe po abuzojnë me një segment shumë të
    rëndësishëm të sportit, e në veçanti me këto dukuri negative, të cilat kanë qenë prezentë, duke
    paraqitur edhe dhunën, edhe dukuri të tjera negative të kurdisjeve dhe trukimeve të ndeshjeve
    sportive që kanë qenë aktuale këto ditë dhe kjo do të parandalohej me ato ligje, të cilat ne i kemi
    aprovuar në Kuvend të Kosovës.
    Ligji për sponsorizim është bërë për të avancuar sportin dhe për të ecur përpara e për ta ndihmuar
    zhvillimin e sportit.
    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit dhe Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore
    duhet ta kenë për bazë këtë ligj për zhvillimin e sportit dhe jo t’i bëjnë pengesa, ngërçe e t’u
    krijojnë probleme sponsorëve, e në veçanti klubeve dhe federatave për zhvillimin e tyre.
    Kërkoj një vëmendje vërtet më serioze të këtyre institucione, sepse marrja pjesë në garat
    ndërkombëtare kërkon edhe llogaridhënie të vetë institucioneve, të cilat garojnë, në këtë rast të
    federatave sportive dhe këto federata sportive dhe klubet do të zhvillohen atëherë kur kemi një
    zbatueshmëri të ligjeve, të cilat ne i kemi aprovuar në Kuvend, me të vetmin qëllim që sporti të
    avancohet dhe të zhvillohet.
    Kërkoj edhe një herë një angazhim serioz të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që
    investimet në stadiumin “Adem Jashari” t’i bëjë me urgjencë që klubet më 1 qershor, kur të vijnë
    zyrtarët e UEFA-s për licencim të infrastrukturës, ato të jenë të gatshme dhe kjo do jetë në
    interesin e të gjithë sportistëve dhe në interesin e përfaqësimit të Kosovës në arenën
    ndërkombëtare. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zoti Blerim Grainca e ka fjalën. Atëherë Sadri Ferati, sipas
    renditjes, po nuk e ke shtypur. Veç deklarohuni a jeni në emër të grupit, apo në emër personal?
    Personal, në rregull.
  • Faleminderit!
    I nderuar kryesues,
    Të nderuar kolegë,
    Unë me këtë rast dua të ngre një shqetësim, por edhe një mbështetje për një situatë që ka
    ndodhur në mes të natës të së shtunës dhe mëngjesit të së dielës në Kodrën e Minatorëve, ku
    4
    sipas të gjitha gjasave është vënë një zjarr në të vetmin institucion që shqiptarët marrin shërbime
    atje, në ndërtesën e Mjekësisë Familjare, ku së bashku është edhe shkolla fillore, pra i vetmi
    institucion ku shqiptarët marrin shërbime.
    Dhe, për çudi, reagimi ka qenë fare i vogël, përveç se policia e Kosovës që ka shkuar sipas
    detyrës zyrtare dhe ka bërë shikimin, asnjë mbështetje, asnjë zë i ngritur nga të gjitha
    institucionet, as nga ato qendrore, e as nga ato lokale.
    Unë dua të përkujtoj për ata që pak dinë për atë situatë, që ata qytetarë atje e kanë përjetua një
    ankth që nga paslufta e deri tash, sidomos situata 2000- 2002, edhe deri para dy vjetëve ata edhe
    natën nuk kanë mundur të marrin shërbime, po mendoj ka qenë rrezik që edhe të vdesin edhe të
    mos mundet dikush asnjë ndihmë t’ua japin.
    Viteve të fundit ka pasur një relaksim dhe një rritje të lirisë së tyre, ndërsa tash një dorë e keqe,
    sipas të gjitha dyshimeve, ajo është një zjarrvënie e qëllimshme.
    Prandaj, ata qytetarë të cilët jetojnë bukur të izoluar, atëherë kur kanë pritur që shteti i Kosovës
    do të bëjë më shumë për punësimin e tyre, për investime në infrastrukturë, për aq shumë që ka
    nevojë, atje shihet se dikujt i pengon ajo liri që e kanë fituar ata dhe ajo bashkëjetesë që po
    ndërtohet atje.
    Prandaj, edhe një herë bëj thirrje nga kjo foltore që të vazhdojë përcaktimi dhe përkushtimi dhe
    rezoluta që i kemi nxjerrë këtu në këtë Parlament për vazhdimin e ndikimit të kualitetit të jetës së
    qytetarëve atje, në punësimin në infrastrukturë dhe aq më parë, një zë i ngritur që atje të mos
    lejohen të përsëriten situata të tilla.
    Atje thjesht është një mbijetesë e shqiptarëve në atë pjesë, ndërsa një mbështetje më e madhe e
    institucioneve edhe një herë dëshmon të gjithë atyre që u pengojnë dhe që dëshirojnë ta atakojnë
    këtë bashkëjetesë që nuk do të kenë sukses.
    Ndërsa qytetari shqiptar atje, sikur edhe deri tash duhet të vazhdojnë të shpresojnë se Parlamenti
    i Kosovës, Qeveria e Kosovës, institucionet lokale do të jenë me ta, do t’u sigurojnë edhe një
    siguri, por edhe një mirëqenie më tutje. Faleminderit!
  • Faleminderit! Kush e do fjalën, Albin Kurti, në emër të grupit.
  • Meqenëse nuk më mjaftojnë pesë minuta, versionin e gjatë të fjalimin do ta
    dorëzoj me shkrim.
    Qytetarë të Republikës,
    Deputetë të Kuvendit,
    5
    Edhe në Kosovë kemi emra biznesmenësh që për një kohë të shkurtër i kanë shumëfishuar pronat
    e të ardhurat e tyre në mënyrë eksponenciale, duke tejkaluar edhe Bill Gates-in e Steve Jobs-in
    në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, te ne në Kosovë Bill Gates dhe Steve Jobs janë dy
    vëllezër, Blerim dhe Shkëlqim Devolli. Ata janë pasuruar shpejt dhe shumë përtej imagjinatës së
    tyre dhe përtej njohurive tona, thua se kanë bërë ndonjë inovacion në fushën e teknologjisë
    informative porsi Gates e Jobs.
    Për pak vjet këta u bënë pronarë të kompanive më të fuqishme në vend, si fabrika e miellit
    “M&Sillosi”, qumështorja “VITA”, “Princ Caffe”, fabrika e sfungjerit “Comodita dopio”,
    fabrika e lëngjeve “Tango”, “Z-Mobile”, Qendra e homologimit, Terminali doganor në Prishtinë,
    në Pejë e Mitrovicë, Birra e Pejës, thuhet se edhe televizioni Klan Kosova është i tyre, etj. etj.
    Cili ishte inovacioni i këtyre vëllezërve? Çka zbuluan ata që u pasuruan kështu? Çudisë Devolli
    nuk i mungon shpjegimi, por hetimi. Kosova është shtet i kapur jo vetëm pse është polici e
    kapur, gjyqësi e kapur, prokurori e kapur, RTK e kapur, shëndetësi e kapur, arsim i kapur, por
    edhe pse është ekonomi e kapur.
    Të gjithëve na kujtohet ‘pronto’ biseda e Adem Grabovcit me Shkëlqim Devollin, ku Grabovci i
    thotë Devollit: “Këqyre se s’mujta me të thirrë… m’u ka zbraz krejt fyti…”, ndërkohë që Devolli
    i përgjigjet: “U bo, shef, qe po t’i çoj…”. Shtrohet pyetja: a iu ka tharë fyti vetëm një herë
    Grabovcit, apo nuk i kanë publikuar ‘pronto’ ankesat e tjera për tharje fyti? Cilido variant është
    më i keq se tjetri. Dhe, së dyti, Devolli i thotë Grabovcit “shef”, e jo anasjelltas. E shef do të
    thotë shef kuzhine apo shef fisi apo shef klani apo shef firme.
    Përderisa në këtë qeveri e kuvend kemi politikanë që përfaqësojnë kapitalin ekonomik, si puna e
    Ramiz Kelmendit dhe Margarita Kadriut, te Devollët kemi situatën e përmbysur: ata janë
    biznesmenë që përfaqësojnë kapitalin e ‘pronto’ politikanëve. Devollët janë arketipi i biznesit
    paravan të kapjes ekonomike të shtetit.
    Devollët kanë krijuar monopol në shumë fusha. Ata po i shkatërrojnë fushat tona bujqësore dhe
    bujqit tanë s’kanë më levërdi të mbjellin për shkak të importit të grurit për ushqimin e kafshëve
    prej rezervave shtetërore të Serbisë, e të cilat Devollët po ia sjellin jo vetëm Kosovës, por po ia
    çojnë edhe Shqipërisë. Kanë rënë të ardhurat dhe fitimet në fabrikat e bluarjes në Kosovë e
    Shqipëri. Autostradën e kombit Devollët e kanë bërë autostradë të krundeve dhe rezervave serbe
    për konsumatorët shqiptarë.
    Kjo e shkatërron bujqësinë e Kosovës, sidomos prodhimin vendor të grurit dhe misrit, sepse
    çmimi i grurit në Kosovë tani sillet nga 13-15 centë, pra më lirë se krundet tona.
    6
    Nga “Devolli Commerce” gjatë okupimit te “Devolli Company” e sot te “Devolli Group”,
    prodhimi që bëjnë është bërë i parëndësishëm krahasuar me dallaveret që bëjnë. “Serbia
    deformon tregun”, “Mielli i bukës kontrabandohet si miell biskotash”, “Mashtrimi me tarifat
    doganore” janë tituj të zakonshëm kur mediet shkruajnë për Devollët. Mirëpo jo edhe Klan
    Kosova, i cili dikur ishte fabrikë reale prodhuese e amortizatorëve për automjetet, kurse tash pas
    privatizimit është fabrikë virtuale televizive për amortizimin e pakënaqësisë së qytetarëve.
    Ekzistenca e “Z-Mobile” është produkt i krimit të organizuar me pjesëmarrje të një numri të
    madh individësh. Për këtë Prof. Ismet Hamiti ka bërë një kallëzim penal te Prokurori i Shtetit.
    Qartazi, klani ‘Pronto’ ka kurdisur fitoren e Devollëve në tender. Për shkak të kurdisjeve të
    këtilla pronarë të vërtetë të bizneseve që figurojnë në emër të Devollëve janë kurdisësit, pra klani
    ‘Pronto’.
    Terminalet doganore, në anën tjetër, janë dorëzim i pastër i shtetit. Kur privatizohen doganat,
    privatizohen edhe doganierët, shumë prej të cilëve tash më shumë punojnë për Devollët e Ramiz
    Kelmendin e Margarita Kadriun, sesa për Republikën tonë.
    Qeveria e sotme, deputetë të Kuvendit të Kosovës, sikurse edhe çdo tjetër para saj ishte dhe është
    në shërbim të ‘tajkunëve’. Neve na nevojitet një qeverisje e re me shtet zhvillimor, ku qeveria
    është e afërt me biznesin e vogël dhe të mesëm në përgjithësi, por jo tepër e afërt veçanërisht me
    ‘tajkunët’ e monopoleve.
    Isa Mustafa, si kryeministër, nuk e bën dot këtë. Ai nuk po merret me ekonomi, por me
    demarkacionin e Thaçit. Zaten, e ka të vështirë të merret me ekonomi Isa Mustafa, sepse
    magjistraturën dhe doktoratën i ka në kundërshtim me njëra-tjetrën: magjistraturën e ka në
    frymën e socializmit vetëqeverisës të Kardelit, kurse doktoratën e ka për lidership e menaxhment
    brenda orientimit neoliberal. E, që të dyja këto janë të gabueshme. Faleminderit!
  • Faleminderit! Fjalën e ka zonja Haxhiu.
  • Faleminderit, nënkryetar!
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Tema për të cilën unë sot do të flas ka të bëjë me një numër shumë të madh të banorëve të
    komunës së Deçanit, por edhe të Gjakovës, të cilët po afrohet gati një vit që kur u përballën me
    sëmundjen gungore të kafshëve dhe të cilët asnjëherë nuk u subvencionuan, përkundër
    premtimeve të vazhdueshme të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Bujqësisë.
    Pra, vetëm në komunën e Deçanit banorët pësuan humbje në total 196 kafshë, prej tyre lopë mbi
    18-muajshe gjithsej 156, dema mbi 18-muajsh 7, mështjerra 9-18 muajsh 7, mëza prej 9 deri 18
    muaj 8 dhe viça nën 9 muaj gjithsej 18. Pra, familjet, të cilat u përballën me këtë lloj sëmundjeje,
    shumë prej tyre kishin edhe ferma, u detyruan t’i mbyllin. U mbyllën, në fakt, për shkak të
    7
    dëmeve shumë të mëdha. Qysh në fillim ata u përballën edhe me sigurimin e vaksinave për
    shkak të vonesave shumë të mëdha të Qeverisë, përkatësisht të ministrisë përkatëse. Ata i morën
    vaksinat edhe nga shtetet fqinje, me çmime shumë të larta.
    Qeveria u kishte premtuar që për secilën kafshë do të kompensoheshin me nga 1 mijë euro.
    Kurrë nuk u kompensuan, pra po afrohet një vit dhe kjo Qeveri vetëm i mashtroi dhe që për
    shumë banorë të fshatrave, po i përmend disa prej tyre: Lumbardhë, Carrabreg, Llukë e Ulët,
    Llukë e Epërme, Drenoc, Baballoç, Isniq, Strellc, Rastovicë, Libushë, Dubovik, Parmaqan,
    Prilep, Beleg, Deçan, Vranoc i Vogël, Lloqan, Sllukë, Gllogjan, Voksh, Papiq, Pobërgjë, shumë
    fshatra të tjera në komunën e Deçanit: Dobrosh, Nivokaz, Rracaj, Smolicë e shumë e shumë të
    tjera.
    Prandaj, nuk është pak që familjet, të cilat vërtet kanë pasur ndoshta edhe një burim jetese, edhe
    për shkak se kanë punuar shumë dhe kanë investuar nga buxheti i familjes për të ngritur fermat e
    tyre, Qeveria i la pa përkujdesje dhe asnjëherë nuk i kompensoi. Prandaj, edhe një herë, të
    nderuar, kjo qeveri e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme, e cila në momente të caktuara di
    shumë mirë të premtojë dhe përkundrazi, pas një viti edhe sot e kësaj e dite asnjëherë nuk doli
    për t’i kompensuar dëmet e shkaktuara...
    (Ndërprerje nga regjia)
  • Faleminderit! Zonja Bajrami e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Të nderuar qytetarë,
    E kemi thënë disa herë se ky koalicion do të jetë përbërja më e dëmshme që ndonjëherë e ka
    pasur vendi ynë. Kjo për faktin se që nga momenti i parë është dëshmuar se bashkimi juaj u bë
    për t’i realizuar tri çështje, ose ndryshe të themi, tri vendime, të cilat vetëm një nga ato arritët ta
    realizoni: krijuat një gjykatë etnike, e për të tjerat s’po jeni në gjendje të merrni vendime.
    Prandaj, është koha kur duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme. Pa dashur që t’i listoj
    dështimet e njëpasnjëshme, apo më mirë të themi, mashtrimet, të cilat i bëtë gjatë fushatës, e që
    kurrë nuk ishit në gjendje t’i përmbushni. Por, nuk jeni të vetmit ju këtu që po e dëmtoni të
    ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve, sepse në këtë drejtim kontribut shumë të madh është duke
    dhënë edhe zoti Thaçi, me iniciativa të cilat do t’i kushtojnë vendit, por edhe qytetarëve.
    Iniciativa që edhe ai e di shumë mirë se janë vetëm llafe, sepse kështu ka vepruar çdoherë.
    Iniciativa sikur ajo e reformës zgjedhore, iniciativë për ushtrinë, e tash e ka rifilluar edhe serinë e
    iniciativave për padi.
    8
    Ju kujtohet kur pati premtuar se do të padiste Dik Martin për shpifje, e që nuk ndodhi kurrë. Së
    fundmi është duke luajtur me të ardhmen e shtetit, sepse të luash me idenë, të cilën ky njeri e
    deklaron publikisht, e që në të vërtetë ose nuk e di, ose këshilltarët që i ka nuk e dinë, se në
    vendin tonë ka pasur spastrim etnik. Të deklarohet “presidenti” i vendit se në Kosovë nuk ka
    pasur spastrim etnik, por ka pasur përpjekje për spastrim etnik, kjo përfundimisht nuk duhet
    lejuar, sepse me këto deklarata të tija të pamenduara mirë, të paanalizuara mirë, do t’i kushtojnë
    Kosovës dhe të ardhmes sonë, sepse e gjithë bota e di se kush ka kryer gjenocid dhe spastrim
    etnik në Kosovë, e nëse ju nuk e dini, zoti Thaçi, se çka cilësohet spastrim etnik, është mirë t’i
    shkarkosh ata këshilltarë, por edhe është koha që të japësh dorëheqje, sepse e ardhmja e shtetit
    nuk guxon të përdoret për çështje individuale dhe ju me ndihmën e madhe që mund ta bëni është
    më mirë të mos flisni për këtë çështje, derisa nuk e dini saktë se çka ka ndodhur në vendin tonë,
    sepse koston do ta paguajë shteti dhe qytetarët.
    Padia ndaj Serbisë nuk guxon të përdoret për çështje personale nga askush prej nesh, por as nga
    ju, sepse këtë nuk e meriton as qytetari dhe askush tjetër. Prandaj, kjo çështje duhet të jetë kauzë
    kombëtare dhe me shumë kujdes duhet të analizohet, por edhe sinqerisht me këto deklarime të tij
    e kanë dëmtuar shumë të ardhmen e vendit dhe çdo gabim i zotit Thaçi do ta përdorë Serbia për
    poenët e saj që do t’i hyjnë në favor.
    Për ata që nuk janë të informuar si duhet, dëbimi i 1 milion shqiptarëve nga Kosova është fakt që
    ka ndodhur dhe besoj që vetëm kjo do të mjaftonte të dinin dhe të mos deklaroheshit se kinse ‘ka
    pasur përpjekje për spastrim etnik’, por ka pasur spastrim etnik. Prandaj, duhet të keni kujdes se
    çka, si dhe pse deklaroheni, sepse i vetmi populli është ai i cili do të paguajë dëmet tuaja, e kjo
    nuk duhet lejuar prej asnjërit prej nesh. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zonja Kadriu e ka fjalën.
  • Të nderuar,
    Përderisa klasa politike kosovare është duke u marrë me vetveten, shteti pësoi humbjen e madhe
    të radhës në Gjykatën e Arbitrazhit. Siç shihet, tanimë po ikin edhe gati 40 milionë euro të tjera
    nëpërmjet arbitrazhit, gjë që s’po i dhemb asnjërës palë.
    Para se më shumë se tetë muajsh pikërisht nga kjo foltore e ngrita alarmin para qytetarëve,
    Qeverisë dhe deputetëve kolegë, se buxheti i taksapaguesve kosovarë po rrezikohet nga një
    skemë e kundërligjshme, kërcënuese dhe atë për 450 milionë euro, përfshirë edhe shpenzimet e
    mbrojtjes. Jo vetëm që e ngrita këtë çështje, por propozova edhe rekomandimet, të cilat në
    mungesë kuorumi një herë ose herën e parë nuk kaluan, por që më asnjëherë tjetër nuk u
    vendosën në rend dite për të marrë votën tuaj. Por, atë çka qytetarët morën ishte lajmi për
    vendimin e radhës të Gjykatës së Arbitrazhit, ku “Z-Mobil” iu aprovua kredia për hiç më pak se
    9
    edhe për 40 milionë euro të tjera shtesë. ‘Qershia mbi tortë’ pritet të vijë së shpejti me vendimin
    për “AXOS”-in kundër Telekomit të Kosovës, respektivisht kundër Qeverisë së Kosovës.
    Prej kërkesës sime për aprovimin e rekomandimeve kaluan hiç më pak se 8 muaj, e fakti se
    tanimë shkuan edhe 40 milionë euro të tjera, siç duket edhe sot për zyrtarët e lartë nuk është
    ndonjë arsye për të marrë masa. A do të mbajë ndonjëherë dikush në këtë shtet jo vetëm
    përgjegjësi politike, por edhe juridike dhe penale për këto zhvatje që po i bëhen buxhetit?
    Natyrisht, si gjithnjë është taksapaguesi i varfër ai që e paguan faturën e çdo dështimi, ndonëse
    do të duhej të kishim një llogaridhënie konkrete të zyrtarëve përgjegjës pas një hetimi serioz të
    Prokurorisë Speciale të Shtetit.
    Po të reagojmë me kohë apo po të votoheshin rekomandimet e propozuara, ku i bëhet ftesë
    Prokurorisë për të hetuar dhe për të zbardhur të vërtetën lidhur me paditë në fjalë, pra në
    momentin që dy paditësit: kompanitë që kanë ngritur padi, do të ishin në një proces hetimor,
    edhe qëndrimi i Arbitrazhit do të relativizohej me mundësinë për ta hedhur poshtë si të pabazë
    padinë e ngritur. U bëj thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, si
    dhe deputetëve të pavarur që urgjentisht sot t’i votojmë rekomandimet, ku mes të tjerash
    kërkohet: Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga Prokuroria që menjëherë të fillojë
    hetimin për të verifikuar nëse zyrtarët e përfshirë në këto procedura të prokurimit kanë vepruar
    në përputhje me ligjin dhe për këtë të njoftojë me prioritet dhe shpejtësi Kuvendin e Republikës
    së Kosovës.
    Pa adresuar përgjegjësinë, pavarësisht prej pozicionit të secilit zyrtar, pavarësisht rangut që e ka,
    nuk do të kemi transparencë dhe drejtësi. Buxheti pësoi në dy vendime të fundit, ku humbjet janë
    dhe po i afrohen shifrës prej 50 milionë eurosh, ndërkaq pritet vendimi dhe për afro 400 milionë
    euro të tjera të shtetit. Pyetja pa përgjigje mbetet: kush janë fajtorët? Kush janë autorët e këtij
    krimi të planifikuar? Përgjegjësit, kushdo qofshin ata, duhet të përballen me pasojat ligjore,
    kështu do të krijojnë një precedent pozitiv, në mënyrë që askush të mos guxojë të synojë e të
    planifikojë ta dëmtojë buxhetin e shtetit. Në fund, një përgjigje për Albin Kurtin dhe...
    (Ndërprerje nga regjia)
  • Zonja Selvije Halimi e ka fjalën.
  • Faleminderit, nënkryetar i Kuvendit!
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Unë sot dola para jush të shtroj një çështje, për të cilën jam autorizuar në emër të disa qytetarëve
    lidhur me kontrollin e preparateve të pastrimit që përdorim ne në shtëpitë tona, përdoren nëpër
    restorante, kafene dhe në ambiente të tjera.
    10
    Fjalën e kam konkretisht për mjetet e pastrimit që janë në gjendje të lëngët, të ngurtë dhe pluhur
    dhe në gjendje të tjera të gazit. Problemi qëndron kryesisht me detergjentin për pastrimin e
    rrobave. Të nderuar qytetarë, unë po e ngre shqetësimin tuaj, duke kërkuar nga Qeveria,
    gjegjësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të vërë prioritet kontrollin e detergjenteve,
    sepse ato sot nuk janë brenda parametrave dhe standardeve për sa i përket cilësisë dhe përbërjes.
    Fakti qëndron se secila grua në shtëpi që përdor detergjente, qofshin ato me çmime më të ulëta
    apo çmime më të larta, po ballafaqohet me gurëzimin e detergjenteve nëpër kutitë e
    rrobalarëseve dhe me mbetjen e detergjenteve nëpër rroba.
    Sugjerimi im fillestar për ato gra, të cilat më autorizuan të flas, ishte: shpërlani rrobat disa herë,
    me qëllim që të largoni detergjentet nga rrobat, për faktin se mbetja e detergjenteve në rroba dhe
    përdorimi i rrobave të tilla është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Andaj, këtu kërkoj nga
    Qeveria, gjegjësisht ministria përkatëse që me një shpejtësi në kohë të bëjë planin dinamik dhe të
    vërë në kontroll se a i plotësojnë këto detergjente standardet, e në veçanti edhe ato aromatike, të
    cilat nga mosdija qytetarët i përdorin si aromatizues të shtëpive, mirëpo përmbajtja gjegjësisht
    përbërja e tyre është jashtë parametrave të lejuar. Gjegjësisht në këtë mënyrë po shkaktohet një
    dëmtim i shëndetit qytetar dhe ne në Kuvend asnjëherë nuk merremi me problemet e përditshme
    qytetare, por vetëm me problemet, të cilat ne personalisht apo në interesin politik i cilësojmë si të
    dëmshme.
    Mirëpo, përditshmëria qytetare është pak më ndryshe, kërkon më shumë vëmendje nga ne dhe
    Qeveria. Faleminderit!
  • Zoti Grainca e ka fjalën. Nëse nuk paraqiten të tjerë, e përfundoj listën, nëse jo,
    atëherë e ndërpres sipas kohës së caktuar.
  • I nderuar zoti kryesues!
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Këto ditë vërtet kanë qenë aktuale shumë tema të karakterit nacional dhe tema të mëdha, për të
    cilat jemi marrë dhe kemi folur të gjithë, mirëpo unë sot dola këtu të flas për një problem të
    natyrës së shëndetësisë, më konkretisht, për spitalin e planifikuar tash sa kohë për t’u ndërtuar në
    regjionin e Ferizajt.
    Të gjithë ju e dini se vendimi për të ndërtuar një spital të tillë është marrë para 4-5 vjetësh,
    mirëpo fatkeqësisht një spital i tillë akoma nuk ka filluar. Për mua si deputet i asaj zone vërtet
    është një projekt i rëndësisë së veçantë, jo që lidhet vetëm me shëndetin e qytetarëve, por edhe
    me sigurinë nacionale, për arsye se shëndeti duhet të jetë një prej prioriteteve të vendit tonë, por
    ka edhe efekte të mëdha ekonomike, për arsye se një shumë e madhe e parave të qytetarëve të
    asaj zone, të komunave Ferizaj, Shtime, Kaçanik, Han të Elezit, përfundojnë në bizneset e
    11
    Republikës së Maqedonisë. Janë me dhjetëra miliona euro, të cilat si rezultat i neglizhencës sonë,
    përfundojnë në Maqedoni dhe në vendet përreth.
    Ky projekt ka filluar moti dhe fillimisht është thënë se është problem prona ku duhet të
    ndërtohet. Pastaj buxheti, pastaj procedurat dhe së fundi na rezultoi se problemi kryesor është
    shpallja e tenderit, apo, më mirë të themi, shpallja e fituesit për realizimin e këtij projekti. Para
    një kohe, u shpall një tender, ku fitues ishte kompania e nëntë me radhë. Pastaj u anulua dhe së
    fundi prapë, për të humbur edhe disa muaj me fillimin e sërishëm të procedurave.
    Për mua është me interes të dimë nëse po zvarritet kjo punë si rezultat i ndikimeve politike për ta
    marrë faturën e suksesit, a po zvarritet ndërtimi i këtij spitali si rezultat i ndikimit të kompanive
    private që kanë biznese, më konkretisht spitaleve private, apo po shtyhet me qëllim që të
    eksportojmë para kesh dhe ndikimi që e kanë spitalet rajonale.
    Unë mendoj se është koha e fundit që dikush, më mirë të them Ministria e Shëndetësisë, që
    fatkeqësisht nuk është këtu të na japë një shpjegim zyrtar përse s’po fillon kjo, kur do të fillojë
    dhe edhe sa kohë qytetarët e kësaj zone duhet të presin se kush do të shpallet fitues për ndërtimin
    e këtij spitali.
    Është momenti i fundit që dikush të na japë këtë informatë për arsye se unë këto ditë kam
    provuar të marr edhe nga kolegët deputetë të të dy subjekteve qeveritare, edhe nga kolegët tjerë,
    edhe nga specialistë të kësaj fushe, por askush nuk di ta thotë asnjë fjalë të vetme pse po shtyhet
    përfundimisht ky projekt.
    Prandaj, shpresoj që spitali të fillojë më shpejt, për arsye...
    (Ndërprerje nga regjia)
  • Faleminderit! Zoti Konjufca e ka fjalën.
  • Kanë kaluar më shumë se pesë muaj nga vdekja në rrethana të pasqaruara
    dhe shumë të dyshimta të Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit.
    Astriti përfundoi në burg bashkë me pesë aktivistë të tjerë, si pasojë e një procesi të montuar
    politik, me qëllim të shpalljes së Lëvizjes “Vetëvendosje” si organizatë terroriste nga ky pushtet i
    kriminalizuar. Ai vdiq në kohën kur po mbahej padrejtësisht në burg dhe kur jetën e sigurinë e tij
    e kishte në dorë një institucion shtetëror, fatkeqësisht i kapur nga krimi.
    Astriti u mor në burg me urdhra politikë dhe u soll në shtëpi me arkivol. Qeveria dhe Ministria e
    Drejtësisë e kanë përgjegjësinë kryesore pse Astrit Dehari vdiq në burg. Hetimet e pavarura janë
    12
    sabotuar qëllimisht nga pushteti politik. Procesi i hetimit është dëmtuar përfundimisht, kur para
    dy javësh e humbi jetën, në rrethana po ashtu të dyshimta, Naser Makolli, që ishte dëshmitari kyç
    në rastin e zbardhjes së vdekjes së Astritit. Naseri e ndante të njëjtën dhomë të burgut me Astritin
    dhe ishte i pari që e gjeti atë në momentet e fundit të jetës. Ai kishte dëshmuar se Astriti dy javët
    e fundit të jetës së tij ndihej i frikësuar dhe i kërcënuar.
    Në vende demokratike, vdekja e një dëshmitari të rëndësishëm në duart e pushtetit bëhet problem
    i madh politik, kurse te ne krejt ky problem tejkalohet me dy fjalë, që janë “infeksion i zorrëve”.
    Dua me këtë rast t’i bëj tri pyetje dhe mendoj se përgjigjet në këto tri pyetje janë kyçe për ta
    kuptuar të vërtetën për vdekjen e Astrit Deharit.
    Pyetja e parë: Kush dha urdhër nga pushteti që të burgosej Astrit Dehari?
    Pyetja e dytë: Kush i fabrikoi provat në Polici që ai të arrestohej padrejtësisht?
    Dhe, pyetja e tretë: Kush pranoi në Gjyqësor që të bëhet instrument i pushtetit për eliminimin
    politik të Lëvizjes “Vetëvendosje”?
    Zonja dhe zotërinj,
    E vërteta do të dalë në shesh kurdoherë.
  • Fjalën e ka Shukrije Bytyqi, pastaj Labinotë Demi, Vjosa Osmani dhe Fatmir
    Shurdhaj.
  • Faleminderit, kryesues!
    Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Çështje që do të ngre sot është një kërkesë e qytetarëve të komunës së Malishevës.
    I nderuar kryeministër,
    Shikuar në prizmin historik, komuna e Malishevës ishte e lidhur me rajonin e Prizrenit. Ne nuk
    kemi dhe nuk ndiejmë asgjë të keqe për rajonin e Gjakovës, mirëpo ne jemi të thirrur ta mbrojmë
    interesin e qytetarëve në aspektin ekonomik, emocional, gjë që është edhe vlerë demokratike, të
    cilën ne duhet ta mbrojmë duke pasur parasysh se këta qytetarë dhe ne jemi të zgjedhur
    përfaqësues legjitimë në zgjedhjet lokale 2013. Kjo është një kërkesë e asamblistëve të Komunës
    së Malishevës, mbajtur në Kuvendin Komunal, më 26.11.2014.
    13
    Domethënë, këto janë shqetësimet e qytetarëve dhe banorëve të Malishevës, ku të gjithë
    përfaqësuesit e fshatrave i janë drejtuar Kuvendit Komunal, që ata presin përgjigje pozitive në
    kthimin në regjion të Prizrenit.
    Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës gjatë qëndrimeve disa herë në komunën e Malishevës
    ka premtuar që kërkesën e qytetarëve do ta ketë parasysh dhe se qytetarët e Malishevës do t’i
    kthehen regjionit të Prizrenit. Prandaj, presim që kjo të realizohet sa më shpejt. Faleminderit!
  • Faleminderit! Labinotë Demi e ka fjalën.
    LABINOTË DEMI: Faleminderit, nënkryetar i Kuvendit!
    Të nderuar ministra,
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Më lejoni që sot para jush të ngre shqetësimin e madh, të cilin ua shkaktoi banorëve të fshatit
    Llabjan të Novobërdës një qytetar serb i Kosovës.
    Në aktin e dhunës e të terrorit të shkaktuar, ky qytetar e kishte demoluar në masë të madhe
    objektin e një shkolle, objektin e xhamisë së fshatit, si dhe një ambulancë private. Krejt kjo
    ndodhi në ditën kur në vendin tonë u dha një alarm për brishtësinë e gjendjes së sigurisë në vend,
    respektivisht në prag të festës së Pashkëve, kur Policia ishte koncentruar për mbikëqyrje
    kryesisht pranë kishave.
    Personi që e kishte kryer këtë akt terrorist nuk ishte hera e parë që vepronte diçka të tillë, sipas
    burimeve të Policisë. Ndërsa, ne derisa jemi mësuar që komunitetit serb sa herë që i mbetet hatri
    nga ndonjë fjalë e jona, përfaqësuesit tanë përkujdesen që t’u shtohet gjithmonë një dozë
    imuniteti, duke na përkujtuar ta ruajmë kushtetutshmërinë dhe ta kultivojmë tolerancën
    ndëretnike e ndërfetare. Por, çuditërisht në rastin e përmendur nuk dëgjuam as edhe një deklarim
    të vetëm për ta dënuar këtë akt terrorist, me përjashtim të dënimit të këtij akti nga deputetët e
    Listës serbe.
    Ndërkohë, gjithmonë në sensin e jetësimit të kushtetutshmërisë, më lejoni të theksoj edhe një
    tjetër rast të mosrespektimit të saj në masë të madhe. Në ditën kur të gjitha institucionet e vendit
    po pushonin për respektimin e kësaj date të Kushtetutës, përkatësisht festës së saj, deri sa po vija
    nga Gjilani në Prishtinë pashë shumë nxënës në Graçanicë që shkonin në shkollë e ktheheshin
    nga shkolla. Kjo tregon se ky komunitet as nuk e respekton ditën, festën e Kushtetutës së vendit,
    por as pushimin pranveror të paraparë nga Ministria e Arsimit e Qeverisë së Republikës së
    Kosovës.
    Andaj, në të ardhmen, kur të flasim për kushtetutshmërinë dhe respektimin, ose jo respektimin e
    saj le të mendojmë për të gjithë pa dallim. Vërejtjet e shumta që morëm pikërisht në ditën e
    14
    Kushtetutës për jofunksionalizimin e saj duhet të debatohen kur dhe ku duhet, por përderisa e
    tillë është në fuqi, e tillë edhe duhet të respektohet, pa dallim. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zonja Osmani e ka fjalën.
  • Faleminderit!
    Të nderuar kolegë,
    Diskutimi im i sotëm mund të konsiderohet nga shumëkush si ndërhyrje në drejtësi, megjithatë
    ky Kuvend i Kosovës ka diskutuar për raste të shumta, kur grupe të caktuara politike, apo anëtarë
    e aktivistë të partive politike kanë përfunduar me burg dhe janë gjykuar për krime të caktuara
    dhe ka pasur anëtarë të këtij Kuvendi që nuk janë pajtuar me ato vendime gjyqësore.
    Mirëpo, akoma në këtë Kuvend, përkundër diskriminimit sistematik që bëhet ndaj grave në
    Kosovë, përkundër rritjes së numrit të dhunës në familje, si ato të raportuara, por edhe shumë
    raste të tjera, për të cilat shoqëria jonë është e vetëdijshme, por nuk raportohen, nuk është
    diskutuar dhe nuk kemi arritur që të shkojmë përtej retorikës së përdorur më 8 Mars.
    Para disa ditësh u gjykua personi, i cili e vrau Zejnepe Berishën, duke e therë atë mbi njëzet herë
    me thikë para syve të fëmijëve të saj dhe po ashtu duke e lënduar edhe vajzën e saj, e cila
    tentonte ta mbronte nënën nga të therurat e babait të saj, i cili e kishte torturuar për
    gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë.
    Zejnepja, ashtu si edhe Diana Kastrati, si edhe shumë “Diana” e “Zejnepe” të tjera, kishte
    kërkuar mbrojtje nga shteti dhjetëra herë. Shteti asnjëherë nuk i kishte dalë në mbrojtje, sepse
    edhe kur kërkuan mbrojtje, edhe tani kur u gjykua vrasësi i Zejnepes, jeta e një gruaje nuk është
    konsideruar e barabartë me jetën e një burri. Madje, është banale të lexohen arsyetime se kinse
    paska pasur arsye për vrasje të tilla, sepse nuk ka arsyetim. Nuk ka arsyetim për dhunë ndaj
    bashkëshortit, e sidomos për vrasje të bashkëshortit para syve të fëmijëve.
    Prandaj, të nderuar kolegë, jo vetëm që nuk është ndërhyrje në drejtësi kjo që po flas unë sot, por
    mosreagimi ynë si Kuvend i Kosovës dhe si shoqëri do të lejojë ndërhyrje të mëtejme në drejtësi
    për raste të tilla, siç ishte rasti i Dafina Zhubit, ku vrasja e saj tani e konstatuar nga ekspertë
    zviceranë ishte konsideruar vetëvrasje, siç është rasti i Dianës me arratisjen e vrasësit të saj dhe
    me pengimin e ekstradimit të tij.
    Pra, ju ftoj që për raste të tilla ta ngremë zërin si Kuvend dhe si shoqëri dhe të debatojmë për të
    gjetur një zgjidhje, e cila parimin e barazisë para ligjit, të përcaktuar në Kushtetutën tonë, do ta
    jetësojë në të gjitha gjykatat dhe në të gjitha institucionet tjera të sigurisë. Përndryshe, nuk e di
    edhe sa kohë do të kalojë që të mbushemi mend si shoqëri dhe të mos flasim, pra, vetëm...
    15
    (Ndërprerje nga regjia)
  • Faleminderit! Zoti Shurdhaj e ka fjalën.
  • I nderuar nënkryetar,
    Kabinet qeveritar,
    Kolegë deputetë,
    Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
    Ka kohë që Qeveria e Kosovës po tenton t’i nivelojë pagat, e unë dua të ngre një çështje, që është
    shumë e rëndësishme kur kemi të bëjmë me pagën minimale.
    U bënë shtatë vjet që paga minimale me kërkesat e sindikatës në Këshillin Ekonomiko-Social
    kanë mbetur 170 euro, e cila nuk i plotëson as kushtet minimale vetëm për një njeri për jetesë
    brenda muajit, duke llogaritur 52 ushqime të të ushqyerit të njeriut. Ndërsa, të gjitha
    rekomandimet që japin partnerët ndërkombëtarë këtu thonë se kemi ngritje ekonomike,
    gjithashtu edhe Qeveria qe disa vjet thotë se kemi ngritje ekonomike 3 - 4%.
    Nëse, ka ngritje ekonomike 3 - 4%, pse paga minimale të mbetet 170 euro?
    Këtë tendencë që kjo pagë të mbetet kështu e kam vërejtur edhe në deklarimet e ministrit
    Abrashi, i cili e udhëheq Këshillin Ekonomiko-Social në kuadër të Ministrisë së Punës dhe
    Mirëqenies Sociale. Kjo është shkelje e të drejtave të punëtorëve, sepse këtë shans fatkeqësisht
    po e shfrytëzon sektori privat dhe po i shkel të drejtat e punëtorëve maksimalisht.
    Unë mendoj që Qeveria e Kosovës, në këtë rast Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me
    partnerë e dikastere të Qeverisë dhe partnerë të tjerë socialë, me Odën Ekonomike dhe
    Sindikatën, duhet ta rishqyrtojë pozicionin e pagës minimale 170 euro, sepse janë pjekur të gjitha
    kushtet që paga minimale të ngrihet në 220 euro, sipas kërkesës së sindikalistëve, që është bërë
    qe shtatë vjet me radhë.
    Kërkoj që të mos shkelen të drejtat e punëtorëve. Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që seriozisht ta
    rishqyrtojë pagën minimale. Faleminderit!
  • Faleminderit! Pika e parë e rendit të ditës është shteruar.
    2. Koha për pyetje parlamentare
    Në bazë të nenit 45, paragrafi 1 të Rregullores së Kuvendit koha për pyetje parlamentare zgjat 60
    minuta.
    16
    Për këtë seancë i kemi 22 pyetje parlamentare. Po fillojmë me pyetjet, për të cilat ministrat janë
    në sallë dhe pastaj me të tjerat. Në qoftë se vijnë, vazhdojmë me të tjerët, në qoftë se jo,
    deputetët janë të lirë t’i lexojnë pyetjet e tyre sipas radhës.
    Fillojmë me pyetjen e parë. Deputetja Mexhide Mjaku-Topalli, pyetje për ministrin Lutfi Zharku.
    Zonja Topalli, e keni fjalën.
  • TOPALLI: Faleminderit, kryesues!
    I nderuar ministër,
    Në vitin 2013, bizneset në qytetin e Ferizajt janë ftuar për konsultim në lidhje me ndërtimin e
    rrethrrotullimit tek ura e madhe në Ferizaj dhe në atë kohë projekti ka qenë që rrethrrotullimi të
    ndërtohet në sipërfaqe të tokës. Të gjitha bizneset janë dakorduar për shkak se nuk janë cenuar
    interesat e asnjë biznesi.
    Po ashtu, ka qenë një qasje e papenguar te rrethrrotullimi.
    Sipas këtij projekti tashmë që është ndryshuar, bizneset nuk do të kenë mundësi të zhvillojnë
    veprimtarinë afariste, kur dihet se këtyre personave të bizneseve u janë dashur 30 vjet të arrijnë
    deri këtu si dhe 250 punëtorë do të mbeten pa punë.
    Pyetja ime është kështu: Duke e ditur se në disa qytete janë ndërtuar disa rrethrrotullime për
    interesa të bizneseve, për t’u mundësuar bizneseve hyrje-dalje për qarkullim më të lehtë, a do të
    bëni të mundur që në hyrje të qytetit të Ferizajt, që rreth rrotullimi të ndërtohet në sipërfaqe të
    tokës dhe jo mbi tokë, siç është planifikuar, dhe pse po ndodh ky ndryshim?
  • Zoti Zharku, e keni fjalën.
  • I nderuar nënkryetar,
    Ministër,
    Deputetë,
    E nderuar deputete Topalli,
    Më lejoni në fillim të sqaroj se rrugët nacionale dhe rajonale, në bazë të Ligjit mbi rrugët, janë në
    kompetencë ekskluzive të Qeverisë, gjegjësisht të Ministrisë së Infrastrukturës dhe është
    përgjegjësi e saj projektimi, ndërtimi, rekonstruktimi dhe mirëmbajtja e tyre.
    Në këtë aspekt, komunat nuk kanë të drejtë të punojnë projekte për rrugë që nuk janë në
    kompetencë të tyre.
    Përkundër kësaj, në frymën e bashkëpunimit, Ministria e Infrastrukturës ka pranuar nga Komuna
    e Ferizajt një projekt preliminar, gjegjësisht ideor, i cili i është përcjellë Bankës Evropiane për
    17
    Rindërtim dhe Zhvillim, por i njëjti nuk është pranuar nga ata dhe është kërkuar nga Ministria e
    Infrastrukturës që të hartohet projekti i ri detal.
    Ministria e Infrastrukturës, nëpërmjet kompanisë së kontraktuar për hartimin e projekteve, vitin e
    kaluar ka hartuar projektin detal për zgjerimin e këtij segmenti të rrugës nacionale.
    Projekti është hartuar në bazë të normave teknike në fuqi dhe duke i kushtuar kujdes të veçantë
    qasjes së bizneseve në këtë rrugë, por duke marrë për bazë dendësinë e trafikut, gjegjësisht
    numrin e frekuentimit të automjeteve nëpër këtë segment rrugor që sillet rreth 24 deri 25 mijë
    automjete në ditë.
    Kryqëzimi që ju i referoheni ka qenë vetëm një projekt ideor dhe nuk ka qenë i studiuar nga
    aspekti i frekuentimit të automjeteve që vijnë nga katër drejtimet e rrugëve.
    Siç e dini, në këtë vend kryqëzohen dy rrugë nacionale: ajo Prishtinë - Shkup dhe Gjilan -
    Ferizaj.
    Prandaj, zgjidhja me dy nivele bën të mundur qarkullimin e papenguar të automjeteve në këtë
    kryqëzim, kurse zgjidhja në nivel do të përcillet me vështirësi. Kurse në orët më të ngarkuara të
    trafikut do të mund të shkaktonte edhe bllokim të rrugëve të brendshme të qytetit të Ferizajt.
    Siç jemi të gjithë dëshmitarë, ky kryqëzim që është ndërtuar para 50 vjetëve, kur frekuentimi i
    automjeteve ka qenë tejet i vogël, edhe sot është në dy nivele. Prandaj, zgjidhja aktuale e
    projektuar në esencë vetëm e avancon zgjidhjen aktuale, duke mundësuar qasje më të mirë, më të
    shpejtë dhe më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
    Më lejoni në fund të konfirmoj, ashtu siç e pohoni edhe ju, se Ministria e Infrastrukturës po i
    kushton kujdes të veçantë kërkesave dhe shqetësimeve të të gjithë banorëve dhe bizneseve që
    preken nga investime në infrastrukturën rrugore në secilin rast veç e veç për të gjetur zgjidhje
    optimale.
    Edhe çështja që ju e keni ngritur, që në esencë ka të bëjë vetëm me një biznes, është shqyrtuar në
    detaje nga ekipi i ekspertëve në ministri dhe e njëjta i është përcjellë edhe Bankës Evropiane për
    Rindërtim dhe Zhvillim për shqyrtim, duke marrë parasysh se ky institucion është instanca e
    fundit për aprovimin e projektit dhe presim përgjigjen e tyre. Faleminderit!
  • Faleminderit! Pyetje shtesë, zonja deputete?
    18
  • TOPALLI: I nderuar ministër,
    Unë këtu kam ankesat nga 25 biznese, e jo vetëm të një biznesi dhe në emër të tyre flas, në emër
    të 25 bizneseve që janë përreth, në pjesën për ku po flasim.
    Ndërsa, çështja që desha të vazhdoj është: Në seancën e kaluar nga kryeministri ne e morëm një
    përgjigje se jeni duke bërë, apo jeni duke e shqyrtuar këtë çështje për të gjetur një zgjidhje si për
    çështjen tek ura në Ferizaj, po ashtu edhe në fshatin Gurëz. Kështu që unë prita nga ju që do të
    kemi ndonjë përgjigje se ju jeni duke punuar për të mirën dhe për interesat e të gjithë këtyre
    banorëve, si të qytetit të Ferizajt, po ashtu edhe të qytetit të Vitisë.
    Për arsye se edhe këta janë banorë dhe kanë të drejtë t’i gëzojnë të drejtat e tyre dhe unë po pres
    nga ju të më japin një përgjigje më ndryshe...
    (Ndërprerje nga regjia)
  • Zoti ministër, e keni fjalën.
  • E nderuar deputete,
    Çështjen e dy qasjeve kyçe në autostradë e ka sqaruar në seancën e fundit kryeministri, natyrisht
    unë nuk kam çka t’i shtoj. Çështjet që i përmenda i kemi marrë të gjitha masat, e kemi edhe
    ankesën që ju e përmendët, për atë arsye e përmenda që ne i kemi kryer të gjitha konsultimet në
    ministri, është avancimi i zgjidhjes aktuale dhe e kemi përcjellë në BERZH, për shkak se ata e
    financojnë.
    Me gjithë dëshirë nëse Banka Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim, unë dhe gjithë ministria
    natyrisht do t’i zbatojmë rekomandimet që i jep Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
  • Faleminderit! Deputeti Faton Topalli ka pyetje për ministrin Ferat Shala.
  • Faleminderit!
    I nderuar ministër,
    Mes fshatit Komogllavë dhe Gurëz të komunës së Ferizajt ekziston një deponi transite e
    mbledhje së mbeturinave, e cila është vendosur në këtë lokacion prej vitit 2004.
    Në këtë deponi mblidhen të gjitha plehrat e komunës së Ferizajt dhe prej aty duhet të
    transportohen pastaj në Gjilan.
    Mjerisht, kjo deponi nuk ka funksionuar asnjëherë, është paraparë të hiqet dhe ka ngjallur
    vazhdimisht protesta të banorëve të dy fshatrave.
    19
    Deponia është çështje e Komunës së Ferizajt, por ajo kundërmon dhe vështirëson jetën e
    qytetarëve në të dy vendbanimet.
    Pas protestave që janë zhvilluar aty nga aktivistët të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe qytetarët e dy
    fshatrave, është hequr për një muaj me radhë, pra ka funksionuar dhe tash ka kohë që prapë nuk
    funksionon. Ajo vetëm që kundërmon, por edhe e ndot ambientin dhe qëndrimi aty është i
    pamundshëm për banorët dhe ata janë ankuar vazhdimisht. Pra, nuk është vetëm çështje a i takon
    komunës apo jo, pra është edhe çështje e ndotjes së ambientit.
    Në emër të banorëve të dy fshatrave dua t’ ju pyes a e keni të njohur këtë problem dhe nëse po,
    çka keni ndërmarrë për zgjidhjen e tij apo çfarë do të ndërmerrni?
  • Zoti ministër Shala, e keni fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    Të nderuar deputetë,
    I nderuar deputet Topalli,
    Po, jemi të informuar për problematikat ndotëse të deponisë transfer në Gurëz dhe mbështetur në
    kompetencat që ka Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, me trupat e saj inspektuese
    ka vizituar disa herë çështjen e gjendjes mjedisore të deponisë.
    Ju saktësisht e dini që deponia menaxhohet nga kompania për menaxhimin e deponive, që është
    institucion tjetër dhe ka një hierarki tjetër, pra është ndërmarrje publike që nuk i përgjigjet
    Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, megjithatë në kuadër të pjesës së menaxhimit
    mjedisor ne kemi kryer të gjithë hapat inspektues dhe kemi dhënë rekomandimet. Kemi pasur
    raste kur edhe kemi ngritur plotë padi për mosmenaxhimin e mirë dhe gjendjen jo të mirë të
    kësaj deponie transfer, e cila është në shërbim të komunës së Vitisë, Shtërpcës, Ferizajt,
    Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.
    Realisht, ne si ministri e kemi vlerësuar se kjo deponi duhet të rrisë shkallën ose ta përmirësojë
    shkallën e menaxhimit, pra nga instancat menaxhuese dhe do realisht investime mbi 700 mijë
    euro, në bazë të vlerësimit që kanë bërë inspektorët dhe ekipet profesionale të Ministrisë së
    Mjedisit, për t’u kthyer në gjendje të pranueshme dhe mirë të menaxhueshme.
    Mungojnë, sipas informacioneve që kemi, investimet në këtë deponi dhe aktualisht deponia nuk
    ka leje mjedisore për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve dhe standardeve, pra një
    dokument që duhet të pajiset nga ne, për shkak të këtyre defekteve edhe nuk është pajisur.
    20
    Shpresojmë dhe besojmë që organet përgjegjëse të KMDK-së të pushtetit lokal dhe instancave të
    tjera që janë direkt të lidhura me menaxhimin e kësaj problematike, të marrin masa, të pajisen
    edhe me leje dhe të jenë në nivel të shërbimit. Faleminderit!
  • Faleminderit! Ke pyetje shtesë, zoti Topalli?
  • Ju po pajtoheni që aty ndotet ambienti dhe thatë që keni bërë rekomandime.
    Pyetja ime shtesë është: çfarë do të bëni në qoftë se këto rekomandime nuk do të
    implementohen? Për arsye se e dini që as rekomandimet e Kuvendit të Kosovës nuk po
    implementohen.
    Dhe e dyta, para 3-4 javësh kemi biseduar për ujësjellësin në fshatin Greme dhe për ndërtimin e
    tij, respektivisht përzierjes së ujit të kanalizimit me shpimin që është bërë aty për ujësjellës.
    Ndërsa kemi biseduar edhe për çështjen e kundërmimit të kanalizimeve të Ferizajt, në fshatin
    Varosh. Unë dje kam qenë në Varosh dhe kam parë që deri tash nuk është ndërmarrë asgjë në
    këtë drejtim, a mund të më përgjigjeni edhe në këtë pyetje?
  • Zoti ministër, e keni fjalën.
  • I nderuar deputet,
    Sikur në çdo rast tjetër, ne do të zbatojmë ligjin, ajo është përgjegjësi jona.
    E dyta, sa i përket problematikave të përmirësimit, ne vetëm këtë vit kemi donacion mbi 8
    milionë euro të dhëna nga Qeveria gjermane dhe tani jemi shumë afër fillimit të një procesi të
    madh në rehabilitimin e deponive që i kanë këto problematika, sepse gjendja e kësaj situate, e
    këtij sektori është jo e mirë, por shpresojmë që do të ndërmerren masa mbi bazën e linjave
    buxhetore.
    Sa i përket pyetjeve të tjera, janë ekskluzivisht përgjegjësi e pushteteve lokale dhe janë adresuar
    gabim. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zoti Haskuka ka pyetje për ministrin Shala.
  • Faleminderit!
    Çështja, sipas Ligjit nr. 04/L-027 për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera,
    neni 2, pika 2 cakton që “shteti është përgjegjës për organizimin e mbrojtjes nga fatkeqësitë
    natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, si sistem unik dhe integral shtetëror”.
    21
    Po ashtu, sipas nenit 4, pika 1, detyra themelore e sistemit të mbrojtjes nga fatkeqësitë natyre dhe
    fatkeqësitë e tjera janë zbulimi i monitorimeve dhe hulumtimi i rreziqeve nga fatkeqësitë
    natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, parandalimi i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera.
    Në lagjen Rexhaj, në fshatin Korishë të Prizrenit, që nga viti i kaluar ka pasur rrëshqitje të dheut
    dhe aty një lagje e tërë është e rrezikuar nga rrëshqitja e dheut.
    Disa shtëpi tanimë kanë dëmtime strukturale në beton dhe këto familje janë detyruar të flenë tek
    të afërmit e tyre, nga se nuk kanë siguri të flenë në shtëpitë e tyre.
    Për këtë gjendje asamblistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Komunën e Prizrenit kanë
    paralajmëruar dhe kanë kërkuar intervenim urgjent, por shumë pak është bërë deri më tani dhe
    gjendja është përkeqësuar gjatë dimrit dhe sidomos tani me këto të reshura të fundit.
    Pyetja për ministrin është: a jeni në dijeni për gjendjen në këtë lagje dhe për rrezikun që u
    kanoset qytetarëve nga rrëshqitja e dheut? Nëse po, cilat janë veprimet që i ka ndërmarrë Qeveria
    apo do t’i ndërmarrë për sigurinë e qytetarëve dhe për mbrojtjen e tyre nga fatkeqësitë natyrore
    sipas ligjit të lartshënuar? Faleminderit!
  • Ministër, e keni fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    I nderuar deputet,
    Saktësisht më 16. 8. 2016 Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe
    Departamenti për Emergjenca pranë Kuvendit Komunal të Prizrenit si dhe Drejtoria për
    Emergjenca të nivelit qendror kanë inspektuar zonën, kanë marrë të gjitha hapat, kanë konstatuar
    situatën dhe janë dokumentuar të gjitha problematikat dhe shkalla e rrezikshmërisë.
    Mbi bazën e informacioneve që kemi, pushteti lokal ka ndërmarrë hapa, ka pastruar zonën, ka
    krijuar një situatë emergjente tjetër dhe realisht është duke u monitoruar nga të gjitha nivelet,
    edhe ai lokal edhe ai qendror, dhe situata është nën kontroll. Priten investime, janë krijuar edhe
    disa investime lehtësuese dhe siguruese, kanale drenazhuese për largimin e ujërave nëntokësorë
    dhe sipërfaqësorë, e kështu me radhë dhe jemi duke e monitoruar situatën.
    Kemi identifikuar edhe familjet potencialisht që mund të rrezikohen, numrin e anëtarëve,
    shkallën dhe janë dhënë rekomandime që pushteti lokal, Drejtoria e Emergjencave dhe pushteti
    qendror të jenë më afër kësaj. Faleminderit!
  • Pyetje shtesë, zoti Haskuka?
    22
  • Faleminderit, ministër!
    Për këto po e dimë që vitin e kaluar ka pasur disa intervenime aty, por unë pas Vitit të Ri kam
    pasur ankesa nga qytetarët që jetojnë në atë lagje që prapë ka filluar rrëshqitja, ngase punët që
    janë bërë kanë qenë të pamjaftueshme për ta ndalur rrëshqitjen e dheut aty, ngase është dashur
    minimum edhe nja dy vende të çelen drenazhe ose bunar që të tërhiqet uji dhe të krijohen pena
    për mbrojtjen e lagjes nga rrëshqitja e dheut, për atë e kam bërë këtë pyetje. Faktikisht është
    dashur ndoshta edhe një herë të bëhet një inspektim tash pas Vitit të Ri dhe të përcaktohet
    gjendja e re që është krijuar në atë fshat. Faleminderit!
  • Kundër shqetësimeve që janë të drejta, por që janë adresuar
    tashmë, pushteti lokal është duke punuar, kanë planet e veta, masat sanuese, kështu së paku kemi
    informacione dhe ne do ta monitorojmë dhe gjithsesi që do ta inspektojmë në moment që do të
    jetë më i përshtatësh dhe do të koordinohemi me pushtetin dhe institucionet e tjera që shkalla e
    rrezikut të zvogëlohet apo të sanohet fare. Faleminderit!
  • Zonja Shqipe Pantina, pyetje për ministrin Lutfi Zharku.
  • Faleminderit!
    Zoti ministër,
    Besoj e dini edhe ju se aeroporti i Prishtinës është ndër të vetmit, nëse jo i vetmi në Evropë për
    ku nuk ka transport publik, do të thotë qytetarët për të shkuar deri atje i duhet çdo herë të
    paguajnë taksi ose të shkojnë me transportet e tyre private.
    Pyetja ime për ju, e cila është shtruar qysh nga janari, në fakt, është: pse nuk ka kompani të
    licencuara që ofrojnë transport publik për në aeroport dhe kur prisni të rregulloni çështjen e
    transportit publik për në Aeroportin e Prishtinës? Faleminderit!
  • Zoti ministër, e keni fjalën.
  • I nderuar nënkryetar,
    Kryeministër,
    Ministra,
    Deputetë,
    E nderuar deputete Pantina,
    Ministria e Infrastrukturës që nga fillimi objektiv të saj e ka pasur ofrimin e shërbimeve të
    transportit rrugor të udhëtarëve për Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” nga të gjithë
    qytetet e Kosovës, e në veçanti nga Prishtina nëpërmjet autorizimit të operatorëve të transportit.
    23
    Bazuar në autorizimet ligjore që derivojnë nga Ligji për transportin rrugor, Ministria e
    Infrastrukturës më 20 maj 2016 ka shpallur gjithsej 18 rende të udhëtimit për operim në
    relacionin Prishtinë - aeroport dhe anasjelltas, në çdo orë duke filluar nga nisja nga ora 5:00 në
    mëngjes deri në 23:00 në mbrëmje, kur do të jetë kthimi i fundit nga aeroporti.
    Shpallja e përzgjedhjes së operatorit të transportit për këtë linjë është bërë më 20 korrik 2016.
    Megjithatë, duhet të theksohet se këto nisje nuk janë funksionale ende për shkak të trajtimit të
    disa çështjeve që lidhen me shfrytëzimin e hapësirës së aeroportit nga ana e operatorëve të
    transportit rrugor që ushtrojnë veprimtarinë e transportit të rregullt me autobus.
    Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka ngritur shqetësimet në lidhje me aspektin e sigurisë
    në aeroport gjatë operimit apo qëndrimit të autobusëve dhe ka propozuar që këto çështje të
    rregullohen me marrëveshje direkte me operatorë të transportit.
    Në anën tjetër, ne si ministri konsiderojmë se këto çështje duhet të rregullohen nëpërmjet një
    marrëveshjeje bashkëpunimi apo memorandum-mirëkuptimi në mes të ministrisë dhe aeroportit,
    të cilën pastaj do të ishin të obliguar ta respektojnë të gjithë operatorët e transportit të autorizuar
    nga ministria.
    Qasja e këtillë e ministrisë bazohet në faktin se linjat janë pronë e ministrisë në përputhje me
    Ligjin për transportin rrugor, e jo të operatorëve të transportit, kurse siç e ceka në fillim, ne
    planifikojmë të kemi linja direkte edhe na qytete të tjera.
    Aktualisht, ekspertët e të dyja palëve kanë finalizua memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet
    Ministrisë së Infrastrukturës dhe Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në të cilën do të
    bëhet rregullimi i të drejtave dhe obligimeve të të gjithë operatorëve.
  • Zoti, Berisha, ulu në vend... edhe juve që jeni ulur po jua tërheq vërejtjen se ju
    nxjerr jashtë nëse bisedoni me deputetë, nuk jeni të bisedoni me deputetë.
  • ...memorandumi është nënshkruar nga ana jonë dje, në realitet
    presim që këto 2-3 ditë ta nënshkruajë edhe aeroporti dhe të fillojë zbatimi i linjës. Faleminderit!
  • Po, pyetje shtesë ka zonja Pantina?
  • Faleminderit!
    Në fakt, ministër, këtë pjesën e fundit nuk arrita as ta dëgjoj përgjigjen, përveç asaj që thatë një
    memorandum është nënshkruar dje. Kur pritet që tash të funksionalizohet dhe a do të fillojë para
    24
    fillimit të zezonës së pushimeve verore, kur pritet të ketë fluks më të madh të udhëtarëve,
    gjegjësisht qytetarëve tanë që vijnë për ta vizituar vendlindjen?
  • Urdhëro, zoti ministër!
  • Zonja deputete,
    Memorandumi nga ana e ministrisë është nënshkruar dje, e kemi dërguar në aeroport, ne presim
    që ata sot, eventualisht gjatë javës ta nënshkruajnë. Në përputhje me ligjin operatori duhet të
    fillojë brenda pesë ditësh të funksionojë, ne presim që javën e ardhme të fillojë, nëse çdo gjë
    shkon në rregull nga ana e aeroportit. Përndryshe, e ndërpremë këtë proces nëse operatori nuk e
    mban linjën, e ndërpremë këtë proces, shpallim linja të reja, do të ketë shpallje të reja për linja të
    reja apo për operatorë të rinj. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zoti Topalli ka pyetje për ministrin Lutfi Zharku.
  • Faleminderit! Unë dua të shtroj një pyetje, e cila në fakt, është shtruar edhe
    më herët, por nuk ka ndonjë përgjigje konkrete.
    Grupi i deputetëve të Ferizajt ka bërë një kërkesë pranë Qeverisë së Kosovës, me sa e di, kërkesa
    i është drejtuar kryeministrit në lidhje me autostradën për Han të Elezit dhe ka të bëjë me daljen
    e Ferizajt për këtë autostradë. Dëmtohen shumë biznese në Ferizaj, duke përfshirë edhe fshatrat
    përreth sa i përket kësaj çështjeje.
    Prandaj, do të dëshiroja të na thoni edhe një herë dhe saktësisht a do të krijohet mundësia, ngase
    ju jeni përgjegjësi kryesor, zoti ministër. Prandaj, po pyes prej jush a do t’i krijoni mundësi
    Ferizajt dhe fshatrave përreth që të kenë qasje në autostradë? Të keni parasysh që Ferizaj është
    qendër e biznesit, të keni parasysh që është njëri prej tri qyteteve më të mëdha në Kosovë dhe do
    të ishte shumë keq që të mbetet qyteti i Ferizajt dhe fshatrat përreth pa hyrje në autostradë.
  • Zoti ministër, e keni fjalën.
  • Faleminderit, nënkryetar!
    Kryeministër,
    Zëvendëskryeministër,
    Ministra,
    Deputetë,
    I nderuar deputet Topalli,
    Kësaj pyetje i është përgjigjur kryeministri javën e kaluar, unë veç mund ta konfirmoj atë që e
    tha kryeministri. Do ta mbledhim komisionin ndërministror dhe do të shqyrtohet kërkesa e
    deputetëve të Ferizajt. Faleminderit!
    25
  • Faleminderit! Pyetje shtesë, nuk keni. Faleminderit! Zoti Abdyl Ymeri ka pyetje
    për kryeministrin Isa Mustafa, e keni fjalën.
  • Faleminderit, nënkryetar!
    I nderuar kryeministër,
    Ministra,
    Kolegë deputetë,
    Kontrata në mes të Telekomit të Kosovës dhe “Dardaphone. net” apo “Z-Mobile” e nënshkruar
    në janar të vitit 2009 po shihet që ka qenë e dëmshme dhe problematike për Telekomin e
    Kosovës.
    Kjo kontratë, e cila themeloi operatorin virtual “Z-Mobile” parashihte që këtij operatori t’i
    jepeshin 200 mijë numra, ndërsa raporti të hyrave mes dy kompanive do të ndajë 73% për “Z-
    Mobile” dhe 27% për Telekomin e Kosovës.
    “Z-Mobile” arriti brenda një kohe t’i shesë 200 mijë numra dhe bëri kërkesë për një bllok prej
    100 mijë numrash të rinj. Kjo kërkesë u refuzua nga bordi i drejtorëve, mirëpo “Z-Mobile” e
    pakënaqur në refuzimin e kërkesave të parashtruara dhe mosrespektimin e kontratës më
    14.04.2015 u ankua në Gjykatën Ndërkombëtarë të Arbitrazhit.
    Tani më kemi vendimin e Gjykatës së Lartë Angleze, me selinë në Londër, e cila ka hedhur
    poshtë ankesën e Telekomit të Kosovës ndaj vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit të Odës
    Ndërkombëtare të Tregtisë.
    Vendimi për shkelje të kontratës, i vërtetuar nga kjo gjykatë, konsiston në katër pika themelore,
    për të cilat arbitrit ndërkombëtarë kanë gjetur shkelje nga Telekomi i Kosovës: mosfurnizimi me
    simkartela, mosfurnizimi me numra, mosformimi i shërbimeve 3G dhe 3GJ dhe ulja e cilësisë së
    shërbimeve.
    Zoti kryeministër,
    Cilat masa i keni ndërmarrë që të mos të vijë deri te kjo dhe çka do të ndërmerrni tani pasi që
    kemi një vendim përfundimtar, i cili do ta dëmtojë rëndë ndërmarrjen Publike Telekomi i
    Kosovës, kur dihet se Qeveria e Kosovës është pronare e 100% të aksioneve të kësaj
    ndërmarrjeje. Faleminderit!
  • Zoti kryeministër Mustafa, e keni fjalën.
    26
  • I nderuar deputet,
    Në seancën e kaluar, në të vërtetë para një seance të Kuvendit unë kam dhënë një përgjigje lidhur
    me këto çështje, edhe lidhur me Telekomin e Kosovës dhe me rastin e “Dardaphonit”. Është
    konstatuar si Kosova do të paguajë një dëm të madh nga paraja publike prej rreth 30 milionë
    eurosh për shkak të disa procedurave, të cilat as për mua si kryeministër, as për Qeverinë nuk
    janë akoma të qarta, as vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit.
    Janë duke u zhvilluar tani procedurat në drejtësinë kosovare lidhur me këtë, prej të cilave unë
    tani nuk mund të them se çfarë rezultatesh mund të marrim, por rezultati më i keq do të jetë që
    për shkak të papërgjegjësive Kosova dhe paraja publike do të humbë. Do t’i humbim rrafsh 30
    milionë euro, për të cilat nuk kemi reagim publik, kemi 2-3 pyetje të deputetëve, po s’ka asnjë
    reagim publik për këtë problem, i cili është problem shumë i madh për ne.
    Tani në qoftë se mua më shtrohet pyetja se çfarë ka ndërmarrë Qeveria ose çfarë kam ndërmarrë
    unë, ka qenë në përgjegjësinë e Telekomit të Kosovës, sepse është organizatë e pavarur publike
    që ata të kujdesen për kontratat që i lidhin dhe ta marrin përgjegjësinë ligjore dhe juridike për
    veprimet e tyre, edhe bordi i kësaj kompanie publike, edhe menaxhmenti i kësaj kompanie
    publike të sigurojnë mbrojtje adekuate në Gjykatën e Arbitrazhit, sepse dikush do të përfitojë
    këtu. Unë nuk e kam të qartë kush do të përfitojë prej këtyre 30 milionë eurove, edhe unë si
    kryeministër, edhe Qeveria do të kërkojmë përgjegjësi ligjore për shkak të një kontrate, e cila
    duhet të vlerësohet se a ka qenë në rregull apo s’ka qenë në rregull, sa ka qenë e arsyeshme të
    bëhet një kontratë e tillë me “Dardaphone” atëherë kur është bërë dhe cilat arsye e kanë shtyrë
    Telekomin të pranojë një kontratë të tillë dhe pse janë humbur ose po humben 30 milionë pasuri
    publike.
    Në qoftë se dikush më pyet se çfarë do të ndërmarrë Qeveria ose çfarë barre do të ketë Qeveria,
    unë mund të them se Qeveria nuk do ta marrë asnjë barrë të kësaj, sepse është kompania publike,
    e cila është e pavarur dhe e cila do ta marrë përgjegjësinë për veprimet e saj, por se prona publike
    do të dëmtohet për 30 milionë euro tash për tash. Çka do të bëhet, të themi, përfundimisht me
    vendimet që duhet t’i marrin organet e drejtësisë, është punë tjetër.
  • Faleminderit! Pyetje shtesë, zoti Ymeri?
  • Faleminderit!
    Zoti kryeministër,
    Tani më i kemi humbur 5 milionë euro në tenderin e pasaportave, 30 milionë euro me “Z-
    Mobile”, çka do të ndodhë nëse e humbim edhe kontestin gjyqësor me AXOS-in? Kjo po i bie që
    nga këto raste, si do që t’i quani, afera, dështime, apo diç tjetër, Buxheti i Kosovës apo
    taksapaguesit kosovarë do të dëmtohen me miliona euro, përfshirë këtu edhe shpenzimet enorme
    për të paguar avokat, këshilltar transaksionesh, e çka do të jetë. Faleminderit!
    27
  • Zoti kryeministër, e keni fjalën.
  • Po ajo që do të ndodhë mendoj se duhet të ndodhë
    përgjegjësia penale dhe përgjegjësia politike e gjithë atyre që janë shkaktarë të këtyre humbjeve.
    Tjetër përgjigje unë nuk kam si kryeministër, por duhet të përgjigjet dikush pse ne i humbim 5
    milionë e 300 mijë në procesin e pasaportave dhe më shumë se këto, jo vetëm 5 milionë, sepse
    edhe një shumë është paguar përpara, që ka shkuar për asgjë. Pse duhet t’i humbim 30 milionë
    për Telekomin, dhe në qoftë se e humbim pse e humbim një shumë për të cilën unë tash nuk
    mund të paragjykoj se do t’i humbim në relacion me AXOS-in, sepse aty janë marrë të gjitha
    masat që ne ta angazhojmë kompaninë, e cila do të na mbrojë si Kosovë në këtë arbitrazh, dhe
    unë s’kisha për ta hapur diskutimin për të, sepse procesi është në vijim. Prandaj, çdo diskutim
    këtu mund të ndikoj në këtë proces, mirëpo për të gjitha këto raste unë mendoj që duhet të pasojë
    përgjegjësia juridike dhe përgjegjësia politike. Faleminderit!
  • Faleminderit, zoti kryeministër! Deputetja Shukrije Bytyqi, pyetje për ministrin
    Arsim Bajrami.
  • Faleminderit, kryesues!
    Gjimnazi i Specializuar Matematikor është një aset kombëtar i formuar në bazë të marrëveshjes
    së mirëkuptimit ndërmjet tri institucioneve relevante, MASHT-it, Universitetit “Hasan Prishtina”
    dhe Komunës së Prishtinës me numër 135/01-2, datë 27. 8. 2014. Dhe, ky gjimnaz ballafaqohet
    me shumë probleme.
    Pyetja që unë do t’ia bëj ministrit të Arsimit është: Pse ministër edhe sot e kësaj dite ky aset
    kombëtar e ka vetëm një person, staf menaxheria, administrator, sekretar, e gjithçka tjetër?
    Pse asnjë institucion nuk i ka përmbushur zotimet e marra nga marrëveshja?
  • Zoti ministër, e keni fjalën.
  • I nderuar nënkryetar i Kuvendit,
    I nderuar zoti kryeministër,
    Të nderuar deputetë,
    E nderuar deputete Bytyqi,
    Më lejoni të ju informoj që Gjimnazi i Specializuar Matematikor është duke u trajtuar si një
    gjimnaz elitar i interesit të veçantë publik edhe mbi bazën e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet
    Ministrisë së Arsimit, Komunës së Prishtinës dhe Universitetit të Prishtinës.
    Dhe, më lejoni të tregoj se çfarë ne kemi ndërmarrë këto vite për ta mbështetur këtë gjimnaz.
    28
    E para, ne këtë gjimnaz e kemi shpallur si një gjimnaz të specializuar për të cilin do të jetë
    përgjegjës Ministria e Arsimit, pra e kemi ngrehur në nivel republikan dhe do ta mbështetim në
    vazhdimësi që ky gjimnaz të ndërtohet si një shkollë e specializuar e nivelit shtetëror, sepse
    përfshin nxënësit nga tërë territori i Republikës së Kosovës.
    E dyta, të gjithë nxënësit e këtij gjimnazi, pra janë rreth 120 nxënës, janë nxënës të
    subvencionuar dhe ata tani më të gjithë e kanë marrë gjithë bursën shtetërore nga Ministria e
    Arsimit, bursë kjo e cila është e mjaftueshme për t’iu mbuluar shpenzimet e transportit nga
    cilado pjesë e Kosovës dhe shpenzimet e ushqimit. Domethënë, ata të gjithë tani në konto e kanë
    bursën, të cilën unë e kam akorduar pas vizitës këtij gjimnazi si shenjë mbështetjeje.
    E treta, ne jemi duke e përfunduar Kurrikulën e specializuar për këtë gjimnaz, në mënyrë që ky
    gjimnaz ta ruajë traditën elitare dhe t’i stimulojë nxënësit që jo vetëm të shkojnë në këtë gjimnaz,
    por pastaj edhe t’i vazhdojnë studimet për matematikë, të cilat paraqesin interes të veçantë
    publik.
    Dhe, veprimi i katërt, ne jemi duke punuar në gjetjen e stafit të përhershëm, pra mësimdhënësve
    të përhershëm, sepse aktualisht ky gjimnaz mbështetet tërësisht nga Katedra e Matematikës e
    Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore mbi bazën e marrëveshjes së Universitetit të
    Prishtinës dhe ne jemi të interesuar që të gjejmë një staf të përhershëm dhe së shpejti do ta kemi
    një zgjidhje, kur ky gjimnaz do t’i ketë mësimdhënësit e vetë, qoftë edhe ata universitarë, me
    kontrata të përhershme, në mënyrë që vërtet këtyre nxënësve t’ua ofrojmë një mësimdhënie çfarë
    e kërkon një gjimnaz i shkollës së mesme, sepse nuk mund të pretendojmë që t’ua ofrojmë një
    mësim akademik çfarë afrohet në Katedrën e Matematikës.
    Dëshiroj të ju siguroj që Ministria e Arsimit në tërësi do ta mbështesë këtë gjimnaz edhe
    nëpërmjet një këshilli drejtues, i cili funksionon dhe i cili tani merr vendime.
    Unë i kam vizituar edhe prindërit e nxënësve, edhe këshillin drejtues, mësimdhënësit dhe
    nxënësit, për të treguar përkushtimin që vërtet ky gjimnaz ta vazhdojë traditën tani për disa
    dekada, që të jetë një shkollë e talenteve, një shkollë elitare, e cila do të mundësojë që ne vërtet
    të kemi nxënës të mirë, që nesër do të jenë edhe mësimdhënës të suksesshëm.
  • Faleminderit! Pyetje shtesë?
  • Faleminderit!
    Po, ministër, vërtet është që ky është një aset kombëtar dhe është e mira kjo që shkollë tani i ka
    118 nxënës, prej tyre domethënë gjenerata e parë sivjet janë maturantë. Por, ne e kemi ngrehur
    këtë çështje qe dy vjet me radhë, domethënë mësimi nuk ka filluar me kohë, kanë pasur problem
    me pagesa të mësimdhënësve, dhe unë dua të ju pyes juve se pse ende këta nxënës nuk kanë
    29
    literaturë, nuk konvikt banimi dhe nuk kanë mensë ushqimi? E di që janë diskutuar disa gjëra,
    edhe ne kemi biseduar me prindër dhe e kemi vizitua edhe shkollë, por shqetësimi i prindërve
    është që nxënësit janë të moshës shumë të re dhe u duhet edhe një konvikt banimi dhe realisht
    edhe në marrëveshje është ashtu që nxënësit që janë aty ta kenë një banim të përhershëm. Dy
    nxënës janë prej Preshevës. Unë konsideroj që është një aset kombëtar, e jo ndoshta vetëm
    shtetëror.
  • Zoti ministër, e keni fjalën.
  • E nderuar deputete,
    Ju siguroj se jam jashtëzakonisht i familjarizuar me këtë gjimnaz, edhe duke i takuar nxënësit
    dhe prindërit, dhe vendimi që unë kam sjellë është një paketë stimulative që përfshin bursën, e
    cila është solide për nxënësit e shkollës së mesme, përfshin ushqimin falas në qendrën e
    studentëve dhe ne do të punojmë që nga viti i ardhshëm të përfshijë edhe vendosjen falas në
    konvikt.
    Nuk ka qenë e mundur që pas 10 vjetëve ndoshta lënie pas dore të këtij gjimnazi, menjëherë t’i
    akomodojmë të gjitha kërkesat, por dy kërkesa fundamentale, ajo për bursë shtetërore dhe ajo për
    ushqim janë e siguruar. Të gjithë do ta marrin kartelën elektronike me të cilën do të kenë qasje
    në mensën e studentëve dhe do t’i kenë tri ushqime falas, dhe këtu po premtoj që nga viti i
    ardhshëm ata do ta kenë edhe një pavijon në konvikt, në mënyrë që t’i akordojmë së paku 30
    dhoma për këta nxënës, në mënyrë që ta rritim numrin e nxënësve, sepse janë pak vetëm katër
    paralele, dëshirojmë të kemi më shumë paralele, sepse e them të drejtën ne e kemi një mungesë
    interesimi të studentëve për t’u regjistruar në drejtim të matematikës dhe mësimdhënësit e
    matematikës janë deficitarë për ta ngritur cilësinë dhe për ta pasur sukses në vlerësimin e
    ardhshëm ndërkombëtar të tekstit PISA 2018, pilotimi i të cilit do të fillojë në këtë javë.
  • Faleminderit! Zonja Bajrami, pyetje për ministrin Arsim Bajrami.
  • Faleminderit, kryesues!
    Çështja që sot dua ta ngre ka të bëjë me personelin akademik në Universitetin e Prishtinës, zoti
    ministër.
    Të lutem, a mund të na e shpjegoni procedurën e zgjedhjes së personelit akademik në
    Universitetin e Prishtinës, konkretisht a bëhet mbi baza partiake, apo ka politika gisht në këtë
    çështje?
  • Ministër, e keni fjalën.
    30
  • Faleminderit, e nderuar deputete Bajrami!
    Zgjedhja e stafit akademik në universitetet publike është çështje e rregulluar tërësisht me Ligjin
    për arsimin e lartë dhe me statutin e universiteteve publike dhe është një çështje që bën pjesë në
    autonominë akademike, secili universitet kudo brenda hapësirës evropiane është autonom dhe i
    pavarur në përcaktimin e kritereve për zgjedhjen e mësimdhënësve dhe në avancimin, duke i
    respektuar në tërësi dispozitat ligjore.
    Meqenëse ju kërkuat që unë t’i shpjegoj këto procedura, më lejoni të ju tregoj se çdo
    mësimdhënës zgjidhet mbi bazën e konkursit publik dhe janë tri nivele të zgjedhjes.
    Niveli i parë është vetë fakulteti, apo njësia akademike, ku formohet komisioni recensues dhe
    komisioni recensues pastaj voton dhe rekomandon zgjedhjen apo avancimin e cilitdo staf
    mësimdhënës.
    Niveli i dytë është universiteti apo komisioni për politikën akademike, që është një mekanizëm, i
    cili i rishikon zgjedhjet sa i përket plotësimit të kushteve ligjore dhe standardeve që e përcakton
    në mënyrë autonome universiteti.
    Dhe, niveli i tretë është Senati i Universitetit të Prishtinës.
    Ministria e Arsimit në tërësi e respekton autonominë dhe nuk përzihet në politikën e zgjedhjes
    dhe avancimit të stafit. Mirëpo, ne i trajtojmë ankesat që mund t’i paraqesë stafi akademik, i
    trajtojmë në mënyrë ligjore nëpërmjet Inspektoratit dhe në qoftë si u referoheni edhe rasteve
    mediale që janë ngrehur ndoshta gjatë këtij viti, ju siguroj që secili rast që ka ardhur në
    Ministrinë e Arsimit është trajtuar dhe ne i kemi rekomanduar Senatit të Universitetit marrjen e
    masave kudo që kemi parë shmangien e këtyre procedurave të parapara me Ligjin për arsimin e
    lartë dhe me statutin e universiteteve publike.
  • Faleminderit! Pyetje shtesë, zonja Bajrami?
  • Po, kryesues!
    Faleminderit ministër për këto shpjegime!
    Por, mua më intereson në Fakultetin Ekonomik, zoti ministër, kemi pasur një konkurs ku ka
    konkurruar edhe një koleg i juaji nga Kabineti qeveritar. Fatkeqësisht sot nuk është këtu.
    Zoti Hoti ka qenë aplikues ose kandidat në konkursin e datës 24. 11. 2016 me numër të
    protokollit 3/671, e fare nuk ka pasur pjesë hyrje që të tregojë se ku është bazuar ky konkurs. Në
    Fakultetin Ekonomik i ka marrë katër lëndë, ministër! Katër lëndë të rregullta në Fakultetin
    Ekonomik dhe mbi të gjitha në komision kanë qenë dy anëtarë të partisë së tij. A është ky një
    konflikt interesi, por edhe kisha pasur dëshirë që të ishte vetë ministri këtu dhe të tregonte se si
    31
    mund t’i kryejë të gjitha punët, a thua?! Ministri i suksesshëm, profesor i rregullt në
    Universitetin e Prishtinës, prandaj unë po besoj që nuk do fjalë dhe nuk do koment, edhe ju zoti
    Mustafa po më shisni...
    (Ndërprerje nga regjia)
  • Faleminderit! Zoti ministër Bajrami, e keni fjalën!
  • Faleminderit, e nderuar deputete!
    Nëse i referoheni ministrit të Financave, profesor Avdullah Hotit, ju kujtoj se ai është
    mësimdhënës tani e disa vite në Fakultetin Ekonomik. Sigurisht bëhet për rizgjedhjen e tij, ai
    është i barabartë sikur çdo kandidat tjetër, trajtohet në mënyrë të barabartë.
    Sa u përket angazhimeve të tij në fakultet, kjo është çështje ligjore, çështje e Statutit të
    Universitet, dhe mendoj se vetë fakulteti dhe universiteti janë të obliguar që të vendosin për
    aspektet ligjore të angazhimit të mësimdhënësve në njësitë akademike.
  • Faleminderit! Zonja Shukrije Bytyqi, pyetje për kryeministrin Isa Mustafa.
  • Faleminderit, kryesues!
    Çështja që do ta ngre është lidhur me shqetësimet e qytetarëve të komunës së Malishevës, duke e
    ditur se edhe më tutje Malisheva është një zonë endemike ku jeta e qytetarëve është e rrezikuar
    nga virusi i etheve hemorragjike “Krime Kongo” dhe duke ditur se ky është problem edhe i
    Qeverisë qendrore, jo vetëm i nivelit lokal, edhe pas takimit që ju kryeministër keni zhvilluar me
    kryetarin e Komunës së Malishevës, me gjithë premtimet që do të ndani mjete për dezinfektim,
    ju nuk e keni bërë një gjë të tillë.
    A ka logjikë që ta leni të vetme komunën e Malishevës të përballet me këtë çështje shumë
    problematike?
    Atje për tre vjet rresht nuk është shënuar fatmirësisht asnjë vdekje nga virusi i etheve “Krime
    Kongo” duke iu falënderuar angazhimit të madh të qeverisjes lokale.
    Zoti kryeministër,
    Cila është arsyeja që këtë vit ju nuk keni ndarë asnjë cent për dezinfektimin selektiv të zonave
    endemike.
  • Zoti kryeministër, e keni fjalën.
    32
  • Faleminderit, zonja deputete!
    Tash unë mund të them se nga buxheti, përkatësisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë
    për këtë destinim janë ndarë 665 mijë euro, që akoma është agjenci në kuadër të Zyrës së
    Kryeministrit dhe këto mjete janë të destinuara për repelimin e kafshëve. Tanimë ka përfunduar
    faza e parë dhe është paraparë që sot të fillojë faza e dytë, dhe është vlerësuar nga Komisioni
    Ndërministror, i cili po punon në këtë fushë se kjo është masa më e mirë që mund të japë efekte,
    jo vetëm në Malishevë, por edhe në komunat të tjera, sepse me këtë masë është paraparë që të
    trajtohen 44 fshatra të Malishevës, 34 fshatra të Rahovecit, 13 fshatra të tjera të vijës
    administrative me komunën e Malishevës, e po ashtu edhe 6 fshatra që ndërlidhen me këta kufij.
    Unë kam biseduar edhe me ministrin e Shëndetësisë dhe me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe
    Zhvillimit Rural për këtë çështje, e kam biseduar edhe me kryetarin e Komunës së Malishevës
    para 3 javësh ose një muaj, ka qenë në zyrën time. Ne jemi të gatshëm në çdo moment që është e
    nevojshme të ndajmë mjete, qoftë Ministrisë së Bujqësisë, qoftë Ministrisë së Shëndetësisë, edhe
    350 mijë euro në qoftë se kërkohet që ta bëjmë spërkatjen, por mbetet pastaj në kompetencën e
    këtij grupi ministror që të vlerësojë lidhur me masat që duhet të ndërmerren. Do të jemi të
    gatshëm që nga rezerva buxhetore të intervenojmë për çdo nevojë, në mënyrë që ta parandalojmë
    çdo rrezik që mund të paraqitet në Malishevë. Faleminderit!
    (Drejtimin e mbledhjes e merr nënkryetari i Kuvendit, z. Sabri Hamiti.)
  • A ka pyetje shtesë?
  • Po! Faleminderit!
    Kryeministër, është e vërtetë që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e ka ndarë një pjesë të
    buxhetit dhe është bërë repelimi i kafshëve, tani ka filluar faza e dytë. Por, nuk është e
    mjaftueshme të bëhet vetëm repelimi i kafshëve, duke e ditur shqetësimin e qytetarëve dhe duke i
    ditur pasojat që kanë humbur jetën 18 njerëz pas luftës për shkak të këtyre etheve.
    Prandaj, ju edhe e keni premtuar. Është shumë e domosdoshme të bëhet edhe spërkatja e
    sipërfaqeve dhe ju i keni premtuar bashkë në takim edhe me ministrin e Bujqësisë kryetarit të
    Komunës se do të ndani mjete, se nuk është i mjaftueshëm buxheti i Komunës së Malishevës për
    spërkatjen e sipërfaqes të theksuar të fshatrave të komunës së Malishevës.
  • Faleminderit! Atëherë deputeti Lahi Brahimaj, pyetje për ministrin Arsim
    Bajrami.
    33
  • Faleminderit, kryesues!
    Pyetja ime është për ministrin e Transportit, i cili u largua: Ministër, keni premtuar se autorruga
    Prishtinë-Pejë do të përfundojë në afate kohore, e tash një kohë të gjatë nuk vërehet se është duke
    u punuar në këtë rrugë nga Llozica në drejtim të Pejës.
    Pyetja është: A mund të na tregoni se kur do të fillojnë punimet dhe a ka një afat kohorë se kur
    do të përfundojë?
    Dhe si pyetje shtesë: Ka mbi dy vjet që kjo autorrugë në drejtim të Dukagjinit, afro 4-5 kilometra
    te Kijeva janë të shtruara qe 2 vjet dhe e mbyllur me barriera që nuk shfrytëzohet më shumë se
    dy vjet. Ndërsa në rrugën prej Dollcit në drejtim të Gllaverës çdo vit ka aksidente me fatalitet,
    sigurisht se do të ishte më mirë këto kilometra të shkojnë në Dollc.
    Ndërsa kur është fjala për të prerë shirita, para dy vjetësh ministri me kryeministrin dhe
    presidentin me vrap shkuan për ta prerë shiritin e rrugës në drejtim të Ferizajt për në Fushë-
    Kosovë, e pas 6 muajve ajo rrugë u shemb mbi Vetërnik dhe ka mbi dy vjet që nuk shfrytëzohet.
    A të riparohet kjo rrugë dhe kur?
  • Zoti deputet, t’i mund ta kesh bërë edhe pyetjen e tillë, por unë ju them që më 14.
    4. 2017 keni bërë pyetje për ministrin e Arsimit, z. Bajrami, lidhur me shkollën “Gjergj Fishta”
    në Jagodë të Klinës e të tjera, por nuk po shkoj më tutje. Kaq kisha, meqë ministri tjetër nuk
    është këtu.
    Brahimaj, urdhëro!
  • Këtë pyetje e kam bërë më 23 shkurt dhe asnjëherë nuk më është lexuar
    emri për ta lexuar këtë pyetje.
    Ndërsa pyetjen për ministrin e Arsimit e kam bërë më 14 prill dhe atë nëse më jepet mundësia do
    ta lexoj.
  • Faleminderit!
    I nderuar ministër,
    Pyetja ime është u drejtohet për shkollën “Gjergj Fishta”, e cila ndodhë në Jagodë të Klinës. KA
    mbi dy vjet që tualetet aty nuk janë në shfrytëzim, ndërsa nxënësit janë të detyruar të dalin në
    mal që t’i kryejnë nevojat e tyre. Janë të rrezikuar nga gjarprit dhe fatkeqësitë tjera.
    34
    Është i njëjti problem në shkollën e Doblibarës “Dëshmorët Lleshi”, shkollë e cila u ndërtua me
    donacion dhe më nuk u bë asnjë investim në të. Kanë pëlcitur gypat e ujësjellësit aty dhe kabllot
    e rrymës kanë dalë, e nxënësit rrezikohen nga fatkeqësi nga rryma.
    Kurse në shkollën e Cërmjanit në 100-vjetorin e saj i ke premtuar karriget dhe tavolina shtesë në
    fjalën që e ke pasur publike, prej atëherë qe dy vjet nuk u bë diçka. A mund të na thuash diçka
    për këto?
  • Ministri Bajrami e ka fjalën.
  • Faleminderit!
    I nderuar deputet Brahimaj,
    Më lejoni t’i jap përgjigjet në pyetjet e parashtruara.
    Fillimisht dëshiroj të jua përkujtoj se menaxhimi i shkollave dhe i infrastrukturës është tërësisht
    një kompetencë e pushtetit komunal dhe e autoritetit komunal, sidomos mirëmbajtja e këtyre
    shkollave është kompetencë e kryetarëve të komunave, drejtorëve komunalë dhe ju inkurajoj që
    t’i takoni drejtorët komunalë të këtyre shkollave dhe kryetarët e komunave dhe të kërkoni që ata
    të ndajnë mjete për mirëmbajtjen e këtyre shkollave.
    Ndoshta është lajmi i mirë që sivjet komisioni i granteve e ka akorduar grantin e ri specifik për
    arsim, i cili është rritur për 6 milionë dhe shkollat do të marrin buxhet shtesë për mirëmbajtjen
    dhe renovimin e shkollës.
    Sa i përket shkollës “Ali Hasi”, është e vërtetë se ne kemi qenë bashkë në kremtimin e 100-
    vjetorit dhe është e vërtetë se ne kemi premtuar inventar, nuk kemi pasur një kërkesë specifike
    dhe ju inkurajoj që ta inkurajoni drejtorin e shkollës që të vijë në Ministrinë e Arsimit dhe ne
    plotësisht do ta mbështetim këtë shkollë me inventar, sepse inventarizimi është një përgjegjësi e
    Ministrisë së Arsimit dhe ne ndihmojmë, dhe e kemi një kontratë afatgjate për t’i ndihmuar të
    gjitha shkollat me inventar dhe pajisje tjera shkollore.
  • Pyetje shtesë, zoti deputet?
  • Për shkollën “Ali Hasi”, t’i vetë e ke premtuar edhe në fjalën publike, por
    edhe në bashkëbisedim me drejtorin, e ke pasur kërkesën, nuk është realizuar.
    Ndërsa për shkollën “Gjergj Fishta” në Jagodë, ata kanë bërë kërkesë në Drejtorinë Komunale,
    por nuk i janë përgjigjur, njëjtë edhe me Drejtorinë Komunale në Gjakovë, shkolla e “Dëshmorët
    Lleshi”, por ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe nuk është investuar.
    Pyetja ime ishte: A je në dijeni për këto që janë kah ndodhin?
    35
  • Urdhëro, ministër!
  • Edhe një herë, i nderuar deputet,
    Jemi në njohuri jo vetëm për këto shkolla, por me dhjetëra e qindra shkolla parashtrojnë kërkesa
    për renovime, për mirëmbajtje, por nuk do t’ua jap asnjë pritje shkollave, këto probleme duhet të
    zgjidhen në pushtetet komunale.
    Pushtetet komunale gjenerojnë të hyra nga taksat e qytetarëve dhe unë uroj që ato të hyra të
    orientohen drejt sektorit të arsimit.
    Kurse edhe një po ju them, për shkollën “Ali Hasi” nuk kemi pasur një kërkesë specifike. Ne
    jemi të gatshëm në çdo kohë dhe e ftoj edhe nga këtu Drejtorinë e shkollës që të vijë edhe ne do
    t’ua japim inventarin dhe pajisjet tjera pa asnjë hezitim.
  • Faleminderit! Edhe për një pyetje kemi kohë. Deputetja Teuta Haxhiu, pyetje
    ministrin Arsim Bajrami.
  • Faleminderit, nënkryetar i Kuvendit!
    Është mirë që ministrat apo Qeveria, kur deputetët u parashtrojnë pyetje, të marrin ndonjë hap,
    pas parashtrimit të pyetjeve, edhe pse rendi po na vjen shumë vonë për t’i bërë këto pyetje.
    Pyetja ime për ju, ministër, pra pas përfundimit, pas skadimit të Kontratës Kolektive ishte se si e
    arsyetoni moszbatimin e Kontratës Kolektive, përderisa i ka skaduar afati më 11 prill 2017? E di
    që dje e keni nënshkruar, po tani na tregoni a e keni bërë nënshkrimin e kësaj kontrate sikurse
    kontrata e fundit, e cila u nënshkrua, por nuk u zbatua dhe a do ta zbatonin në tërësi? Apo,
    thjesht, vetëm po nënshkruajmë kontrata me sindikatat dhe asnjëherë nuk po respektohen në
    tërësi.
  • Ministri Bajrami e ka fjalën.
  • E nderuar deputete Haxhiu!
    Më lejoni t’ ju informoj, besoj që edhe e keni përcjellë dje nëpërmjet mediave, brenda afatit
    ligjor është nënshkruar Kontrata e re Kolektive trevjeçare për të gjithë mësimdhënësit e nivelit
    parafillor, parauniversitar, por edhe të arsimit të lartë, një kontratë që është një lajm i mirë për të
    gjithë mësimdhënësit që përmban tri shtylla kryesore: e para, kontrata ofron një mbështetje të
    madhe për zhvillimin profesional të të gjithë mësimdhënësve, për ngritjen e karrierës dhe për
    vlerësimin e performansës, duke përfshirë edhe shpërblimin sipas performansës.
    Pra, kjo kontratë i ofron mundësinë secilit mësimdhënës që të avancojë në karrierë dhe ky
    avancim të reflektojë jo vetëm në pozitën e tij brenda shkollës, por edhe në aspektin material.
    36
    Kemi ofruar katër nivele të gradimit të mësimdhënësve dhe nesër do të jetë ceremonia solemne e
    inaugurimit të kësaj pakete. Pra, të gjithë mësimdhënësit parauniversitarë do të gradohen në katër
    nivele për t’i ofruar mundësinë secilit të mbërrijë në nivelin më të lartë dhe ky përparim do të
    mbështetet edhe në pagën e tyre. Ne do të angazhohemi që te Ligji për pagat të sigurojmë
    pagesat shtesë për këta mësimdhënës.
    Segmenti i dytë i Kontratës Kolektive është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Sindikatat duhet të
    jenë partnerë jo vetëm kur është në pyetje pozita materiale, por edhe në përpjekjen e
    përgjithshme në ngritjen e cilësisë, sepse jemi pajtuar që sindikata të mbështesë përpjekjet e
    Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit për rritjen emergjente të cilësisë në të gjitha
    nivelet e arsimit.
    Dhe, segmenti i tretë, ai tipik sindikal, e kemi akorduar pakon e mbështetjes sindikale për
    punëtorët e arsimit në disa segmente dhe, në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e
    Arsimit do të mbështetë buxhetet komunale, sepse punëdhënësit e mësimdhënësve
    parauniversitarë janë komunat. Tregova edhe në pyetjen paraprake që e kemi rritur grantin
    specifik, e kemi rritur ndjeshëm grantin specifik të komunave dhe do të angazhohem që komunat
    me mirëbesim të ofrojnë mbështetje për mësimdhënës sa i përket transportit, sa i përket
    segmenteve të tjera, sa i përket pensioneve, ndoshta ceremoniale, me rastin e pensionimit dhe me
    këtë ne e kemi kryer një obligim ligjor dhe jemi zotuar të punojmë me sindikatën jo vetëm në
    aspekte sindikale, por në aspekte emergjente, për të cilat po angazhohemi të gjithë, ngritja
    emergjente e cilësisë në sistemin arsimor në mënyrë që vërtet ky proces të fillojë dhe pastaj të
    rezultojë me një standard çfarë ne mund të arrijmë.
  • Faleminderit! Të nderuar deputetë, pyetje shtesë?
  • Faleminderit!
    Të obliguar keni qenë edhe me mbledhjen e mbajtur në Kuvend më 11 dhe 18 prill të vitit 2013,
    kur Kuvendi ka rekomanduar që Qeveria të nxjerrë ligj të veçantë për statusin e punëtorëve të
    arsimit shqip në Republikën e Kosovës nga viti shkollor 1990 -1991, deri në vitin shkollor ‘98 -
    ‘99, në të cilin statusi i tyre barazohet me statusin e personave të merituar në formimin dhe
    ndërtimin e shtetit të Republikës së Kosovës.
    I nderuar ministër, Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë e obliguar të hartojë këtë ligj në
    afatin kohor prej tre muajsh. Sot kanë kaluar tre vjet dhe ende nuk e keni nxjerrë një ligj të tillë.
    Çka tash, edhe sa vjet të tjera duhet të presim? Apo ndoshta shumica e tyre edhe nuk janë sot në
    jetë.
  • Urdhëro, ministër!
    37
  • Faleminderit, e nderuar deputete!
    Edhe si mësimdhënëse e dini që ky është një ligj që 15 vjet i vonuar, pra padrejtësisht i vonuar
    dhe më lejoni t’ju informoj që tanimë ligji ka përfunduar, është harmonizuar plotësisht me
    kërkesat sindikale, me Zyrën e Kryeministrit, e cila e ka mbështetur këtë proces dhe ligji
    aktualisht është në vlerësimin final financiar. Kemi zbritur në maksimum koston financiare dhe
    ne urojmë që sa më shpejt të vijë në këtë legjislaturë, në mënyrë që ky ligj të miratohet dhe
    mësimdhënësit të marrin kontributet e merituara në vitet më të rëndësishme të mbijetesës së
    arsimit shqip, pra vitet ’90-’99 dhe uroj që kjo legjislaturë të jetë me fat që ta sjellë këtë ligj, të
    cilën tani katër legjislaturat e mëparshme nuk kanë mundur ta trajtojnë për shkak të një kostoje të
    papërballueshme. Kemi pasur edhe mirëkuptimin e sindikatave, e kemi zbritur në minimum
    koston financiare, kostoja financiare është periodike, nuk është një ngarkesë e menjëhershme dhe
    urojmë së bashku që ky ligj në këtë legjislaturë të miratohet.
  • Faleminderit! Atëherë, është harxhuar koha për pyetje parlamentare. Pyetjet e
    deputetëve që nuk marrin përgjigje në dy seanca plenare, do të publikohen në revistën e
    Kuvendit dhe në faqen zyrtare elektronike të Kuvendit.
    3. Interpelanca e kryeministrit të Kosovës, z. Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetes
    Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, për çështjen e
    shfrytëzimit të thëngjillit dhe minierën e Sibocit
    Deputetja Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues në bazë të nenit
    44 të Rregullores së Kuvendit ka parashtruar kërkesë për të ftuar në interpelancë kryeministrin e
    Kosovës, Isa Mustafa, për çështjen e shfrytëzimit të thëngjillit dhe minierën e Sibocit.
    Ju njoftoj se në bazë të Rregullores së Kuvendit interpelanca mund të zgjasë deri në tri orë.
    Përfaqësuesi i interpelancës mban të drejtën e fillimit të debatit në kohëzgjatje deri në 10 minuta
    dhe në përmbyllje të debatit në kohëzgjatje pesë minuta, sipas nenit 44.7 të Rregullores së
    Kuvendit. Kryeministri Isa Mustafa e paraqet dhe e arsyeton qëndrimin e Qeverisë së Republikës
    së Kosovës për çështjen e shtruar në interpelancë në kohëzgjatje prej 15 minutave, sipas nenit
    44.8 të Rregullores së Kuvendit. Koha e ndarë për diskutim sipas grupeve parlamentare dhe
    deputetëve pa grup parlamentar është në vijim, kur të fillojë puna do ta lexoj dhe këtë pjesë.
    Atëherë, interpelanca zyrtarisht është paraqitur nga Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur nga 15
    firma deputetësh, mua po më duken që janë kryesisht të Lëvizjes “Vetëvendosje”, po s’është me
    rëndësi kjo, mund të jenë edhe të tjerë. Atëherë, nuk po e shoh Donika-Kadaj, a ka zëvendës prej
    këtyre që janë nënshkrues që e merr detyrën e Kadaj-Bujupit, shefi i Grupit Parlamentar të
    “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca e ka fjalën.
    38
  • I nderuar nënkryetar,
    Unë kërkoj që kjo interpelancë të shtyhet, për shkak që parashtruesja e kërkesës është në një
    udhëtim zyrtar, bashkë me anëtarët e komisionit, kanë vizitë zyrtare në Budapest. Kjo vizitë
    zyrtare është ditur shumë më herët që do të ndodhë, herën e parë interpelanca është shtyrë për
    shkak të një udhëtimit zyrtar të kryeministrit, kësaj radhe ka udhëtim zyrtar parashtruesja e kësaj
    interpelance. Kështu që me mirëkuptim edhe nga deputetët e koalicionit qeverisës kërkoj që kjo
    interpelancë të shtyhet për një moment kur të vendosë Kryesia në mbledhjen e ardhshme të
    Kuvendit të Republikës së Kosovës.
  • Pra, nënshkruesit e kërkesës së kësaj interpelance, në emër të Donika Kadaj-
    Bujupi, deputetët e “Vetëvendosjes” kërkojnë që meqë Kadaj- Bujupi s’është këtu dhe qenka në
    udhëtim zyrtar, të mos mbahet interpelanca. Unë pos këtij deklarimit tjetër nuk kam për këtu, po
    të shtoja diçka, do të shtoja që kemi pasur mbledhje dje të Kryesisë dhe shumë mirë është ditur
    që do të jetë në rend dite kjo pikë. Kjo më shumë për deputetët që s’janë anëtarë Kryesie dhe
    s’janë kryetarë të grupeve parlamentare.
    Kaq, po jap vetëm fakte, s’bëj interpretime. Po të shkojë logjika kush, kur udhëton dhe sa janë
    zyrtare, unë po shpreh njëfarë skepticizmi kur mbahet kjo interpelancë, por është problem i
    perceptimit tim, nuk është juaji. Atëherë, mua më mbetet t’ju them që e kemi këtë njohuri, po
    s’kemi çka të votojmë këtu, sepse interpelanca s’mund të bëhet.
    4. Interpelanca e ministrit Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i
    mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kontratën e privatizimit të
    Kompanisë së Distribuimit të Energjisë Elektrike
    Deputeti Visar Ymeri, i mbështetur nga 15 deputetë nënshkrues, në bazë të nenit 44 të
    Rregullores së Kuvendit ka parashtruar kërkesë për ta ftuar në interpelancë ministrin e Zhvillimit
    Ekonomik, z. Blerand Stavileci, në lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë së
    Distribuimit të Energjisë Elektrike. Ju ftoj se në bazë të Rregullores së Kuvendit interpelanca
    mund të zgjasë 3 orë. Përfaqësuesi i interpelancës mban të drejtën e fillimit të debatit në
    kohëzgjatje prej dhjetë minutave dhe në mbyllje të debatit në kohëzgjatje prej pesë minutash.
    Ministri Stavileci e paraqet dhe e arsyeton qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për
    çështjen e shtruar në interpelancë në kohëzgjatje 15 minutave. Koha e ndarë prapë është, si duket
    s’kemi pse e ndajmë. Pra, tash e kemi situatën inverse.
    Kjo ka ndodhur, në seancën tjetër është shtyrë, sepse keni thënë ju, zotërinj të “Vetëvendosjes”,
    pa Ymerin s’bëhet kjo interpelancë”. Ymeri është këtu, s’është Blerand Stavileci. Pra, nëse keni
    diçka të deklaroni, deklaroni prapë, ju jap fjalën, por unë sa po e shoh, kjo interpelancë nuk
    ndodh sot. Urdhëro, Ymer, e ke fjalën.
    39
  • Natyrisht që pa ministrin, i cili është i thirrur në interpelancë, interpelanca
    s’mund të mbahet, këtu jam dakord. Por, një pyetje e kam për Sekretarinë e Kuvendit: a ka
    ndonjë shkresë zyrtare nga ministri që s’mund të vijë sot ose mund të vijë pas një ore a dy, ku ta
    di unë? Ka mundësi që e ka llogaritur që do të kemi edhe një interpelancë tjetër, ose nëse ia ka
    deleguar këtë përgjegjësi ndonjë prej ministrave të tjerë ose kryeministrit.
  • Interpelanca s’delegohet, Ymer, ti e di shumë mirë atë punë. Ju s’po e delegoni si
    kërkesë prej njëri-tjetrit, e po pritni interpelanca s’delegohet, interpelanca është me emër, sa i
    përket Rregullores. Puna tjetër unë nuk di, letër unë për vete s’kam.
    Edhe kjo nuk ka çka të interpretohet tutje, interpelanca nuk mund të mbahet sot, sepse mungon
    ministri Stavileci.
    5. Debat parlamentar sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, e mbështetur edhe nga 9
    deputetë të tjerë nënshkrues, në lidhje me moszbatimin e rekomandimeve të Avokatit të
    Popullit nga Qeveria e Republikës së Kosovës
    Të nderuar deputetë, deputetja Teuta Haxhiu, e mbështetur nga 9 deputetë të tjerë ka propozuar
    debat parlamentar në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga Qeveria e
    Republikës së Kosovës. Atëherë, e ftoj deputeten Teuta Haxhiu që në cilësinë e propozuesit të
    çështjes ta marrë fjalën.
  • Faleminderit, nënkryetar i Kuvendit!
    Për hir të opinionit publik, debati i thirrur nga ana ime dhe e kolegëve nënshkrues ka rreth pesë
    muaj që po presim për këtë debat. Debat për moszbatimin e rekomandimeve të Avokatit të
    Popullit për vitin 2015, përderisa neve na ka ardhur edhe raporti për vitin 2016. Prandaj, kërkoj
    falje në qoftë se vërtet ka edhe diçka nga rekomandimet dhe është mirë në qoftë se ka filluar
    zbatimi i tyre, por ne nuk kemi informata.
    Në bazë të nenit 65 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 15, pika 8 të Rregullores
    së Punës së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkon nga
    Kryesia e Kuvendit që të thërrasë seancë për debat parlamentar me çështjen në vijim:
    Moszbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së
    Kosovës. Në Ditën ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut nga përshkrimi i gjendjes jo të mirë në
    Kosovë, duke pasur parasysh mosimplementimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe
    organizatave të tjera që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga ana e Qeverisë së
    Republikës së Kosovës dhe institucionet e tjera, pra është e nevojshme që Kuvendi të debatojë
    për këtë çështje.
    40
    Bazuar në rekomandimet e Avokatit për vitin 2015, nga ana e tij, pra të këtij institucioni, nga
    rreth 60 rekomandime të paimplementuara janë 36 rekomandime, 7 prej tyre janë në pritje të
    implementimit për afro 2 vjet. Qeveria e Kosovës është institucioni kryesor, i cili bën shkeljen e
    të drejtave të njeriut duke mos zbatuar rekomandimet e Avokatit të Popullit. Pas kësaj për
    moszbatim të rekomandimeve radhitet Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, pastaj kemi
    edhe sistemin e drejtësisë që përfshin gjykatat, shërbimin korrektues, e të tjera. Bazuar në të
    gjitha këto të dhëna, pra është e nevojshme që sot të bëjmë debat, të mbajmë një debat dhe në
    fund do të dakordohemi sa i përket rekomandimeve, të cilat unë i synoj t’i paraqes në fund.
    Rëndësia e zbatimit të raporteve me rekomandime të Avokatit të Popullit: Tipar kryesor i
    raporteve të Avokatit të Popullit është se ato nuk e kanë për qëllim vetëm të përshkruajnë punën
    e institucionit të Avokatit të Popullit, siç praktikohet zakonisht nga shumica e organeve që i
    raportojnë Kuvendit, por qëllim kryesor dhe shumë i rëndësishëm i raporteve është që të japin
    informacione mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës, si dhe paraqesin
    rekomandime konkrete drejtuar institucioneve publike përgjegjëse për përmirësimin e kësaj
    gjendjeje. Ky rol i Avokatit të Popullit në paraqitjen e rekomandimeve konfirmohet edhe me
    Kushtetutë, si dhe me Ligjin nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit.
    Neni 135 i Kushtetutës, raportimi i Avokatit të Popullit përcakton shprehimisht: “Avokati i
    Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa nëse vëren shkelje të drejtave
    dhe lirive të njeriut nga ana e organeve të administratës publike dhe organeve të tjera shtetërore”.
    Po ashtu, Ligji për Avokatin e Popullit kapitulli 3, kompetencat dhe përgjegjësitë e Avokatit të
    Popullit përmend rolin e Avokatit të Popullit në paraqitjen e rekomandimeve për autoritetet
    shtetërore të Republikës së Kosovës. Fakti që dhënia e rekomandimeve përbën pjesën kryesore të
    punës së Avokatit të Popullit, i jep një natyrë tjetër raporteve të tij në krahasim me raportin e
    shumicës të organeve të tjera të pavarura.
    Kjo nuk do të thotë se këto organe të pavarura e kanë të pamundur ose të papërshtatshme që të
    paraqesin rekomandime, por megjithatë kompetencat dhe përgjegjësia për të dhënë rekomandime
    të tilla luajnë një rol shumë më të madh në punën e Avokatit të Popullit, gjë që pasqyrohet qartë
    në raportet e tij. Pse është i rëndësishëm zbatimi i tyre?
    Ne kemi parë në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2015, në të cilat janë adresuar 57
    rekomandime dhe po ashtu ka pasur një rritje të përqindjes së zbatimit të tyre që flet një trend
    pozitiv, megjithatë duhet synuar që kjo përqindje e zbatimit të rritet. Po ashtu, indikativ është
    raporti preliminar i paraqitur nga Avokati në fund të vitit 2016, i cili neve na ka ardhur tanimë,
    mirëpo nuk e kemi shqyrtuar si komision ende. Shihet një trend i rritjes së raportimeve, pra me
    rekomandime, sidomos për çështje sistematike të drejtave të njeriut, në të cilat përfshihet një
    numër shumë i madh i qytetarëve, të drejtat e të cilëve janë shkelur. Ndër to mund të përmendim
    rastin e mosekzekutimit të vendimeve të plotfuqishme të gjykatave, çështjen e dinjitetit të njeriut
    41
    në rastin e detyrimit të pensionistëve që të dëshmojnë se janë gjallë, rastin e mirënjohur
    “Grudiq”, është e rëndësishme që të ndalemi pak te opinioni i Avokatit të Popullit sa i përket
    këtij rasti. Ky opinion paraqet rastin e parë ku një institucion kombëtar i të drejtave të njeriut i
    drejtohet Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës bazuar në Rregulloren 9, të Rregullores
    që ka të bëjë me mbikëqyrjen e ekzekutivit të aktgjykimeve për zbatimin e një vendimi të
    GJDNJ-së kundrejt një vendimi të tretë.
    Siç e dimë, aktgjykimi në rastin “Grudiq” kundër Serbisë është aktgjykim parimor, me të cilin
    Serbia është e obliguar të kompensojë në mënyrë të njëjtë, sipas këtij aktgjykimi, pensionet
    kontributdhënëse, pensionet invalidore të punës dhe pensionet e familjarëve për qytetarët e
    Republikës së Kosovës, të cilat i kanë gëzuar këto pensione deri në vitin 1999, kur edhe janë
    ndërprerë nga Serbia në mënyrë arbitrare. Serbia në vazhdimësi ka dhënë arsyetime për t’i ikur
    zbatimit të këtij aktgjykimi, përkundër detyrimit dhe respektimin e Konventës Evropiane për të
    Drejtat e Njeriut, e së këndejmi obligimit për zbatimin e këtij vendimi. Në anën tjetër, duke
    marrë parasysh se deri më tani institucionet e Republikës së Kosovës nuk e kanë ngritur këtë
    çështje në instanca, nëpërmjet të cilave do të kërkohej zbatimi i këtij aktgjykimi dhe së këndejmi
    për të gjithë rastet e tjera të kësaj natyre Avokati i Popullit ka parë të arsyeshme të japë opinionin
    e tij, duke u bazuar në Rregulloren e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që ka të bëjë
    me mbikëqyrjen e ekzekutimit të aktgjykimeve.
    Opinioni i Avokatit të Popullit në mënyrë të detajuar sqaron sfondin ligjor dhe kronologjik lidhur
    me çështjen në fjalë dhe del me rekomandime konkrete: sipas Kushtetutës dhe standardeve
    ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në këtë drejtim, Kuvendi e ka për detyrë të mbështesë
    punën e Avokatit. Në kontestin e një Republike parlamentare, Kuvendi është institucioni,
    pushteti i të cilit buron drejtpërdrejt nga populli i Kosovës. Ky fakt e vesh Kuvendin jo vetëm me
    të drejtën, por edhe me detyrën për ta kontrolluar Qeverinë prej institucioneve të tjera shtetërore,
    sidomos, pra në moszbatimin e këtyre rekomandimeve.
    Detyrën e parlamenteve për të mbrojtur autoritetet shtetërore lidhur me të drejtat e njeriut e
    konfirmon edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e cila në vitin 2011 nxori
    Rezolutën nr. 1823 “Parlamentet Kombëtare, garantuese të të drejtave të njeriut në Evropë”. Në
    këtë rezolutë Asambleja ka pohuar se Parlamentet Kombëtare janë çelësi i implementimit efektiv
    të normave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në nivelin kombëtar. Duke iu referuar
    gjithashtu detyrës së tyre për të mbrojtur të drejtat e njeriut, duke kërkuar llogari prej ekzekutivit
    në veçanti, Asambleja Parlamentare është shprehur se Parlamentet Kombëtare janë në pozitë të
    veçantë për të kërkuar llogari prej Qeverisë për zbatimin e shpejtë dhe efektiv të këtyre
    aktgjykimeve.
    Për shkak se paraqitja e rekomandimeve dhe zbatimi i tyre në praktikë luajnë një rol të
    rëndësishëm në raportin e Avokatit, votimi për miratimin e raportit të Avokatit të Popullit duket
    42
    sikur nuk ka kuptim, ky është mendimi im, dhe më shumë duket si një votim formal, sepse ne, në
    të kundërtën, po mendojmë që Avokati nuk po paraqet një të vërtetë. Votimi për miratim është i
    përshtatshëm kur Kuvendi dëshiron të shprehë mendimin e tij për punën që ka të bëjë me
    institucionet si në të kaluarën, por është i përshtatshëm për një institucion që po raporton për
    hapat që duhen ndërmarrë nga autoritetet shtetërore në të ardhmen.
    Nisur nga kjo, do të ishte e përshtatshme që ndryshimi i Rregullores së Kuvendit me procedurë të
    shpejtë për mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e
    autoriteteve shtetërore, në këtë mënyrë Kuvendi do të kishte mundësi të luajë një rol në rritjen e
    nivelit të zbatimit të këtyre rekomandimeve. Duke marrë parasysh faktin që Avokatit të Popullit i
    mungojnë kompetencat ekzekutive për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të tij, është e
    domosdoshme që për statusin e misionit të këtij institucioni Kuvendi ta mbështesë sa më
    fuqishëm këtë mision. Ne deputetët për të pasur një pasqyrë më reale të zbatimit të
    rekomandimeve të Avokatit të Popullit është e rëndësishme të kemi raportim të rregullt periodik
    të kryesuesit të Grupit ndërministror për të drejtat e njeriut, që në këtë rast është kryeministri i
    vendit, sipas vendimit të Qeverisë të datës 13 maj 2016, e që kryeministri pas thirrjes nga ana
    ime të këtij debati ka mbajtur një mbledhje formale, vetëm një herë ka mbajtur një mbledhje
    formale dhe asnjëherë nuk i ka raportuar Kuvendit që e ka obligim.
    Po ashtu, është shumë e rëndësishme që të rritet roli i Kuvendit në rast të moszbatimit të
    rekomandimeve të Avokatit të Popullit brenda afatit të përcaktuar që zakonisht është 30 ditë. Të
    thirren në përgjegjësi institucionet e vendit për të kuptuar arsyet e moszbatimit të
    rekomandimeve.
    Të nderuar kolegë deputetë, rekomandimet unë i kam këtu, por pres që pas kontributit tuaj në
    këtë drejtim t’i harmonizojmë dhe të dalim... Atëherë, me insistimin tuaj, unë po i lexoj
    rekomandimet:
    (Ndërprerje nga regjia)
  • Vazhdojani, se po i lexon rekomandimet.
  • Pra,
    1. Të implementohen rekomandimet e Avokatit të Popullit,
    2. Të krijohen kushtet e nevojshme në kuptimin financiar që rekomandimet e Avokatit të
    Popullit të zbatohen,
    3. Kuvendi të kërkojë përgjegjësinë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për moszbatimin
    e vendimit të Qeverisë të datës 12 maj 2016, raportim të rregullt periodik të kryesuesit të
    Grupit ndërministror për të drejtat e njeriut, të cilin e udhëheq kryeministri,
    43
    4. Në rast të moszbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, që është pra 30 ditë, të
    thirren në përgjegjësi udhëheqësit e institucioneve në komisionet përkatëse në Kuvend
    për të kuptuar arsyet e moszbatimit të këtyre rekomandime, dhe
    5. Kuvendi i Kosovës gjatë plotësim-ndryshimit të Rregullores së Kuvendit ta rregullojë
    çështjen e votimit të raporteve të Avokatit të Popullit, për arsye se Avokati i Popullit
    raporton për gjendjen reale për të drejtat e njeriut.
    Pra, edhe njëherë rekomandimi i fundit sidomos është që shpeshherë na ka ndodhur që raportet,
    të cilat vijnë në Kuvend, marrin ose nuk marrin votimin tonë dhe thjesht nuk ka përgjegjësi
    asnjëherë. Prandaj, unë pres që ky rekomandim sa i përket raportit të Avokatit të Popullit, pra të
    mos votohet në Kuvend, sepse në të kundërtën ne, në qoftë se ndodh që të mos i votojmë raportet
    e Avokatit të Popullit, ne po ndërhyjmë dhe thjesht po tregojmë që Avokati i Popullit nuk po
    tregon një të drejtë që ai e ka të garantuar. Faleminderit!
  • Faleminderit! Ju njoftoj se janë paraqitur dy vetë deri tash. Lirije Kajtazi apo
    Qeveria e ka të drejtën e fjalës kurdo, por kryetarët e grupeve është mirë ose në emër të grupeve
    nëse donë të deklaroheni. Në emër të grupeve, a ka deklarime në emër të grupeve? I kam tre
    emra. Kajtazi, a flet? Mexhide, në emër të grupit? Flet Mexhide Mjaku-Topalli për Grupin e
    PDK-së.
  • TOPALLI: Faleminderit, nënkryetar!
    I nderuar kryeministër,
    Kabinet qeveritar,
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Më lejoni të them se vendi ynë po përballet me një nga proceset më të mëdha politike dhe
    historike që lidhen me procesin e integrimit të Kosovës në BE. Ky është një proces sfidues dhe
    shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, i cili ofron perspektivën për zhvillim dhe
    mirëqenie, po ashtu kërkon institucione të përgjegjshme, funksionale, llogaridhënëse,
    transparente dhe me kapacitete të mjaftueshme njerëzore, të cilat duhet ta bartin peshën e
    angazhimit dhe përgjegjësisë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme që do ta
    udhëheqin dhe realizojnë procesin e integrimit të Kosovës në BE.
    Është e padiskutueshme se efekti i ligjeve, politikave dhe performansave të institucioneve që
    merren me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut varet nga kontesti i përgjithshëm
    politik, ekonomik, social dhe kulturor, duke përfshirë edhe qeverisjen e mirë, nivelin e
    demokracisë. Secili shtet e ka mekanizimin e vet kombëtar për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut dhe
    një sistem i tillë efektiv shihet si shenjë e qeverisjes së mirë dhe si një kontinuitet ndaj sundimit
    të ligjit dhe demokracisë në vend.
    44
    Edhe institucioni i Avokatit të Popullit e luan një rol të rëndësishëm në kuadrin e sistemit
    kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si një mekanizëm i pavarur. Thelbi i filozofisë së
    funksionimit të këtij institucioni është që Avokati i Popullit, pavarësisht se cilat forca politike
    udhëheqin shtetin, ai do të jetë gjithherë një oponencë për mirëqenie. Në raportin e Avokatit të
    Popullit është kërkuar që të debatohet në Kuvend, siç është edhe ky i sotmi. Krejt kjo në të mirë
    të përmirësimit të gjendjes së të drejtave të njeriut në Kosovë. Ndërsa, sa i përket zbatimit të
    rekomandimeve të dala nga Avokati i Popullit, në raportin e Avokatit të Popullit të vitit 2015
    vlerësohet se ka pasur një ngritje, ku 50% e rekomandimeve janë realizuar, ndërsa pjesa tjetër
    është duke u trajtuar prej institucioneve, që do të thotë se ende janë në proces.
    Në bazë të raportit të Avokatit të Popullit, shkeljet e të drejtave të njeriut apo ankimimit janë të
    natyrave të ndryshme, duke filluar nga fëmijët, të cilët detyrohen të punojnë, e deri tek
    pensionistët, të cilët nuk mund të realizojnë një jetë të dinjitetshme. Autoritetet në nivel qendror
    dhe lokal të qeverisjes sonë duhet të sigurojnë përgjigje të shpejta për të gjitha kërkesat dhe
    rekomandimet e Avokatit të Popullit. Sidomos Zyra e Kryeministrit duhet të koordinojë dhe të
    monitorojë procesin e zbatimit të rekomandimeve të institucionit të Avokatit të Popullit, adresuar
    ministrive dhe komunave.
    Realizimi i rekomandimeve të dala nga institucioni i Avokatit të Popullit zhvillon një
    administratë profesionale, efikase dhe efektive, transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi të
    Administratës Publike karshi qytetarëve dhe forcën e zhvillimit të sundimit të ligjit. Dhe, nga kjo
    rezulton rritje e besimit të qytetarëve në Administratën Publike, sistemin gjyqësor dhe në të
    gjitha institucionet e tjera të vendit. Ndërsa, sa u përket rekomandimeve të dala nga deputetët
    nënshkrues që e kanë thirrur këtë debat është mirë që grupet parlamentare të takohen dhe t’i
    harmonizojnë rekomandimet e dala nga ky debat. Faleminderit!
  • Faleminderit! Lirije Kajtazi për Grupin Parlamentar të LDK-së e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    I nderuar kryeministër,
    Zëvendëskryeministër,
    Ministra,
    Të nderuar deputetë,
    Kjo që ne sot po e bisedojmë rreth zbatimit të rekomandimit të një institucioni të pavarur
    kushtetues, rekomandimeve të Avokatit të Popullit, natyrisht që jemi të prirë ta shohim si një
    mundësi për mbjellje të një disipline pozitive, e cila ndihmon edhe në dialogimin e mekanizmave
    shtetërorë, të atij të Parlamentit, të Qeverisë dhe të gjithë atyre që u adresohen rekomandimet.
    Si një institucion i tillë i pavarur, Avokati i Popullit tani me ndryshimin e ligjeve bazike për të
    drejtat e njeriut ka më shumë kompetenca dhe në këto kompetenca është shtuar Mekanizmi
    45
    kombëtar për parandalimin e torturës, që është shumë i nevojshëm të arrijë në ato vende, ku është
    interesimi edhe i vetë neve deputetëve, por ndoshta në pamundësi që të jemi në institucionet ku
    njerëzit janë të privuar nga liria, që ka qenë shqetësim në disa raste, është Mekanizimi kombëtar
    për parandalim të torturës ai i cili na e ofron këtë pasqyrë. Pastaj i është shtuar kompetenca në
    mbikëqyrjen e sektorit privat dhe, ajo që është esenciale, inicimi i procedurave gjyqësore nga
    Avokati i Popullit.
    Krejt këto kanë ndikuar që normal me rritje të kompetencës ka reflektuar edhe me rritje të
    rekomandimeve nga ky institucion dhe rritja e rekomandimeve, për fat të mirë, ka ndikuar në
    zbatimin e rekomandimeve. Siç e keni parë nga Avokati, është shtuar në 50% zbatimi i
    rekomandimeve dhe, për fat të mirë, kjo është në harmoni me vetë fjalën e kryeministrit kur e ka
    marrë detyrën se do të jetë ai i cili do të kujdeset ndjeshëm në zbatimin e rekomandimeve të këtij
    institucioni.
    Natyrisht që mbetet shumëçka për t’u bërë, ngase krejt kjo nuk e ka vetëm atë ndikimin juridik, e
    ka edhe politik, edhe të mos them buxhetor, kështu që shumë çështje dhe në bisedat e
    drejtpërdrejta me Avokatin, ngase si Komision i të Drejtave të Njeriut kemi një bashkëpunim të
    theksuar, është thënë që ka shumë çështje që mbesin në procedurë nga kostoja financiare që ato e
    kanë mbi vete. Është me rëndësi ta themi edhe si komision kemi organizuar një tryezë, ku kemi
    ftuar të gjitha institucionet, të cilave u adresohen rekomandimet dhe përveç Zyrës Administrative
    të Mitrovicës Veriore dhe Komunës së Parteshit, të gjitha institucionet e tjera kanë qenë të
    pranishme. Po ashtu, është për t’u përshëndetur edhe Grupi ndërministror, siç edhe ka prezantuar
    edhe Avokati gjatë punës së tij në komision. Grupi ndërministror që e ka ngritur kryeministri dhe
    si sekretariat ka Zyrën për Qeverisje të Mirë dhe aty, natyrisht që janë kërkuar që të dinamizohet
    zbatimi i rekomandimeve.
    Duhet ta pranojmë që shpesh edhe ne, ndoshta jomjaftueshëm, apo institucionet tona i marrin
    rekomandimet edhe të institucioneve të tjera të pavarura, siç ndodh edhe atij të shërbimit të
    pavarur mbikëqyrës dhe, edhe pse e dimë se janë të natyrës përmbarimore, shpesh institucionet
    tona e neglizhojnë dhe gjëra të tilla na barten edhe në gjykatë. Megjithatë, ne e shohim si mjaft të
    rëndësishme që t’i jepet hapësirë debatit për rekomandime, ngase kjo sjell kualitet në qeverisje,
    kjo sjell edhe kualitetin e institucioneve tona në përgjithësi, me mundësinë që edhe ligjet tona të
    përmirësohen sa më mirë dhe krejt kjo edhe në funksion të një demokracie të brendshme, e cila e
    ofron zërin e qytetarëve aty ku ne kemi nevojë dhe është mbrojtësi i rasteve kur edhe në
    pamundësi që ata të jenë të ulur drejtpërdrejt në tryezat e vendimmarrjes, ne jemi të obliguar që
    t’i zbatojmë rekomandimet, që njëherësh janë edhe zbatim apo respektim i të drejtave të njeriut.
    Sa për rekomandimet besoj se në fund është mirë t’i shikojmë së bashku dhe ta shohim se çfarë
    mund të bëjmë që të përmirësohet kjo fushë. Faleminderit!
    46
  • Mytaher Haskuka, në emër të Lëvizjes “Vetëvendosje”, e ka fjalën.
  • Së pari, po më vjen mirë që në fund erdh radha për të diskutuar edhe
    këtë çështje, ose të vijë te debati lidhur me mosimplementimin e rekomandimeve të Avokatit të
    Popullit.
    Në aspektin e përgjithshëm janë dy çështje, por do të flas edhe për një rast konkret lidhur me
    mosimplementimin e kërkesave të Avokatit të Popullit, siç është shkon në aspektin e
    institucioneve të gjyqësorit. Në raportin e fundit të Avokatit të Popullit, të cilin e kemi marrë
    vitin e kaluar, në tabelën nr.14 implementimi i rekomandimeve të nxjerra nga raportet për rastet
    e hetuara, domethënë theksohet se janë 57 rekomandime, nga këto vetëm 14 janë implementuar,
    ndërsa nuk janë implementuar 36 dhe 7 janë në pritje të implementimit. Domethënë, me njëfarë
    aspekti vetëm diku 25% të rekomandimeve të Avokatit të Popullit implementohen nga ana e
    institucioneve shtetërore dhe me këto, si për shembull, mund ta vërejmë në këtë tabelë që
    Qeveria e Kosovës i ka vetëm dy rekomandime të implementuara, 11 rekomandime të
    paimplementuara dhe 2 në pritje. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale nuk ka asnjë
    rekomandim të implementuar, 7 janë të paimplementuara dhe 0 në pritje.
    Është problematike, si për shembull, gjykatat e Kosovës, ku faktikisht ka shumë raste, të cilat
    nuk janë implementuar, po në përgjithësi, nga çështjet të cilat paraqiten nga institucioni i
    Avokatit të Popullit janë edhe zvarritje e proceseve gjyqësore, e cila është njëra nga problemet
    kyçe të qytetarëve të Kosovës, edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tanimë në raportin e tyre
    ceket se janë diku 417 mijë e 733 raste të pazgjidhura nëpër gjykatat e Kosovës, të cilët
    paraqesin një problem serioz dhe shkelje flagrante të të drejtave të njeriut në aspektin e
    drejtësisë.
    Në këtë aspekt unë dua të marr një rast konkret se si të drejtat bazike të qytetarëve të Kosovës
    shkelen nga gjykatat e Kosovës dhe rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk merren parasysh.
    Edhe pse, për shembull, në rastin konkret janë dy rekomandime nga Avokati i Popullit, një në
    vitin 2012 dhe një në vitin 2014, me rastin e njëjtë dhe në të dy rastet asgjë nuk është bërë nga
    gjykatat për ta adresuar çështjen ose nga Ministria e Drejtësisë apo nga Këshillit Gjyqësor i
    Kosovës apo kushdo qoftë që merret me drejtësi në Kosovë.
    Për rastin konkret, unë e mora lejen edhe të personit që të flas me emër konkret dhe me mbiemër,
    është rasti i zotit Rrahim Bajrami, i cili në vitin 2003, për shkaqe pronësore, domethënë shkon në
    gjykatë dhe rasti vazhdon me vite të tëra. Para se të finalizohet rasti në vitin 2009, domethënë
    para se të vendosë gjykata se e kujt është prona, një gjykatë tjetër e Kosovës, Gjykata Komunale
    e Prishtinës, e shpall personin të vdekur, pa anëtarë të familjes prezentë, pa dëshmitarë, faktikisht
    janë dy dëshmitarë, të cilët nuk e njohin personin personalisht dhe pa raport mjekësor. Faktikisht,
    kjo është një keqpërdorim i gjykatave, në mënyrë që të fillohen ndërtimet në pronën e kontestuar.
    47
    Domethënë, këta persona, nuk do t’i jap emrat, me këtë vendim të gjykatës që është bërë në vitin
    2009, kur personi Rrahim Bajrami është shpallur i vdekur, me këtë vendim pastaj këta vazhdojnë
    të bëjnë ndërtime në pronën e kontestuar të Rrahim Bajramit. Rrahim Bajrami pas këtij rasti, po
    në të njëjtin vit, më 2009, hap një padi ndaj gjyqtarit, i cili e ka shpallur të vdekur dhe dy
    personave, të cilët kanë kërkuar që të shpallet i vdekur.
    Që nga viti 2009 asnjëherë nuk është mbajtur seanca lidhur me gjykatësin, i cili e ka shpallur të
    vdekur Rrahim Bajramin. Prej vitit 2015, diku rreth 15-16 raste, kërkesa për gjykatë është
    dërguar një herë në Gjykatën e Prizrenit, pastaj në Gjykatën e Gjilanit, pastaj prapë në Gjykatën
    e Prishtinës, por edhe pse 15 herë është thirrur, gjykata nuk ka mbajtur asnjëherë seancë lidhur
    me rastin konkret. Pastaj, pas të gjitha këtyre gjërave, domethënë Rrahim Bajrami këto i ka
    paraqitur te Avokati i Popullit dhe Avokati i Popullit, pas një shqyrtimi të mirëfilltë të raportit,
    në vitin 2013 nxjerr vendimet në 7-8 faqe dhe në faqen përfundimtare rekomandon:
    1. Gjykatës Themelore të Prishtinës 4 rekomandime, që të merren masat e menjëhershme për
    shqyrtimin dhe vendosjen e lëndës gjyqësore të anketuesit Rrahim Bajrami pa vonesë të
    mëtutjeshme, lidhur me rastin e vitit 2003, rastin pronësor.
    2. Të anulohet vendimi i Gjykatës Komunale të Prishtinës për shpalljen “të vdekur” të ankuesit
    Rrahim Bajrami.
    3. Të merren masa ndaj veprimeve, keqpërdorimeve eventuale të gjyqtarëve përkatës për
    shpalljen “të vdekur” të ankuesit Rrahim Bajrami, si dhe zvarritjen e paanshme të procedurave
    gjyqësore në rastin Rrahim Bajrami dhe
    4. Të garantojë shqyrtimin e rasteve dhe dorëzimin e aktgjykimeve për të gjitha palët, vënien e
    afatit të arsyeshëm në pajtim me nenet 6 dhe 13 të KDNJ-së.
    Tash, ky vendim është marrë në vitin 2013 nga ana e Avokatit të Popullit, tani jemi në vitin
    2017, jemi në prill të vitit 2017, domethënë kanë kaluar prapë 4 vjet nga vendimi i Avokatit të
    Popullit, asgjë nuk është rekomanduar, asgjë nga rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk janë
    marrë parasysh nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe personi Rrahim Bajrami ende oficialisht,
    domethënë është “i vdekur” në raportet zyrtare të shtetit të Kosovës.
    Pra, një person 8 vjet është në mesin tonë, kërkon të drejtën të shpallet që është i gjallë dhe ai
    nuk mund të arrijë këtë të drejtë. Dy vendime të Avokatit të Popullit nuk merren parasysh dhe
    më se 15 seanca nuk mbahen, ngase gjyqtarët nuk janë të interesuar që të gjykojnë kolegun e
    tyre, i cili në mënyrë të kundërligjshme e ka shpallur të vdekur personin Rrahim Bajramin. Tash,
    s’po di a ka ndonjë rast më flagrant të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të mosimplementimit
    të rekomandimeve të Avokatit të Popullit sa ky rast? Domethënë, ne si grup parlamentar e
    mbështesim kërkesën e deputetes zonja Teuta Haxhiut dhe rekomandimet, të cilat janë paraparë
    për implementimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Edhe njëherë kërkojmë që
    rekomandimet, të cilat i nxjerr Avokati i Popullit të merren parasysh nga institucionet e Kosovës,
    48
    ngase është e papranueshme që më se 70-80% të rekomandimeve të mosimplementohen nga
    institucionet përkatëse, e këtu duke filluar prej Qeverisë së Kosovës dhe ministritë e tjera
    përkatëse dhe gjykatat e Kosovës. Faleminderit!
  • Ali Berisha flet në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
    ALI BERISHA: Faleminderit, i nderuar nënkryetar i Kuvendit të Kosovës!
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Sot po debatojmë për një temë që është themel i shteti të së drejtës, mbrojtja dhe promovimi i
    lirive dhe të drejtave të njeriut. Por, në vend që të flisnim këtu me vlerësime pozitive sa i përket
    respektimit të të drejtave, në fakt, sot duhet të ankohemi dhe të kërkojmë llogari institucionale
    për moszbatimin dhe implementimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
    Trendi i keq për të drejtat e njeriut pasqyrohet ende në statistikat e Kosovës. Një vlerësim është
    se institucioni i gjyqësorit dhe Administratës Publike, ku bëjnë pjesë ministritë dhe Administrata
    Lokale, prijnë në ankimimet e qytetarëve dhe problemet ankimore për shkeljen e të drejtave të
    njeriut. Sa i përket shkeljeve të të drejtave të njeriut nga sistemi gjyqësor, pjesa më e madhe e
    shkeljeve ka të bëjë me zvarritjen e procedurave gjyqësore dhe një grup i rasteve ka të bëjë me
    mosekzekutimin e vendimeve të plotfuqishme gjyqësore. Ndërsa, te Administrata ka probleme
    shumë të mëdha, për çka edhe ka pasur raport, të cilin e ka Qeveria dhe ne si Kuvend i Kosovës.
    Në atë raport mund të shihet një kulturë e papërgjegjësisë të Administratës Publike dhe nuk
    ekziston asnjë kontroll efektiv gjyqësor mbi vendimet që nxjerr Administrata. Pra, i vetmi organ
    gjyqësor përgjegjës për kontrollin e Administratës është Departamenti për Konflikte
    Administrative që funksionon në kuadër të Gjykatës Themelore dhe në Gjykatën e Apelit,
    gjithashtu.
    Se ka mjaft shkelje të të drejtave të njeriut dhe sa i përket vetë të punësuarve në Administratën
    apo kandidatëve që pretendojnë të punësohen aty, mund ta vlerësoni edhe në raportet e Agjencisë
    së Pavarur Mbikëqyrëse të Shërbimit Civil të Kosovës, ku raportohet për ankimimet, për
    konkurse, largim nga puna pa bazë, zëvendësim apo degradim brenda institucioneve, e tjerë dhe
    askush nuk po ndëshkohet për këto shkelje. Edhe në rekomandimet që i ka publikuar institucioni
    i Avokatit të Popullit kërkohet që të ndërrohet kjo qasje dhe që duhet të ketë efekt më të madh në
    sistemin gjyqësor, në kontrollin e vendimeve që nxjerr Administrata e dy niveleve: atij lokal dhe
    atij qendror.
    Avokati i Popullit në çdo raport të tij për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut ka dhënë
    shumë rekomandime, të cilat asnjëherë nuk janë marrë parasysh. Por, sipas Avokatit të Popullit,
    kjo do të duhej të na bëjë të mos ndiheshim mirë. Shteti është për t’u dalë në mbrojtje qytetarëve,
    e jo të jetë shkelës i të drejtave të njeriut. Për fund, shpresoj që ato që janë rekomandime të kësaj
    49
    seance të harmonizohen mes grupeve të deputetëve, të aprovohen, por edhe të implementohen.
    Faleminderit!
  • Faleminderit, zoti Berisha! Shukrije Bytyqi flet për Grupin “Nisma”.
  • Faleminderit, kryesues!
    Fatkeqësisht sot po diskutojmë për shkelje të të drejtave të njeriut, ndoshta kishte qenë më mirë
    që ne sot të diskutojmë për avancim dhe ngritje të nivelit të vetëdijes dhe për mosshkelje të të
    drejtave të njeriut, por po shohim që ndër shkelësit kryesorë të të drejtave të njeriut prin Qeveria
    e Kosovës, mandej ministritë, drejtoritë komunale, gjykatat, qendrat korrektuese, por edhe
    shkollat.
    Për neve është shumë shqetësuese çështja e moszbatimit ose mosimplementimit të
    rekomandimeve të Avokatit të Popullit, siç u cek edhe nga parafolësit e tjerë. Domethënë as 25%
    të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nuk gjejnë zbatim nga institucionet përkatëse, të cilat
    kanë bërë shkelje të lirive dhe të të drejtave të njeriut. Ne konsiderojmë se institucioni i Avokatit
    të Popullit është një institucion i pavarur dhe ashtu edhe duhet të jetë. Prandaj, institucionet e
    tjera, ato që bëjnë shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut, duhet t’i marrin më me përgjegjësi
    çështjet dhe shkeljen e të drejtave të njeriut dhe t’i trajtojnë me shumë përpikëri rekomandimet e
    Avokatit të Popullit dhe t’i zbatojnë ato në përpikëri. Nuk janë pa shkelje të të drejtave të njeriut
    edhe universitetet e Republikës së Kosovës, ku prin Universiteti “Hasan Prishtina”, Universiteti i
    Prishtinës, po edhe universitetet e tjera.
    Fatkeqësisht, domethënë që nuk kemi institucion në Republikën e Kosovës që nuk bën shkelje të
    lirive dhe të drejtave të njeriut. Ne e përkrahim iniciativën e koleges Teuta Haxhiu për këtë debat
    parlamentar dhe shpresojmë që rekomandimet të harmonizohen mes grupeve parlamentare, të
    votohen, por edhe të gjejnë zbatueshmëri. Faleminderit!
  • Faleminderit! Dëgjuam deklarata në emër të grupeve parlamentare, fjalën e ka
    kërkuar kryeministri i Republikës së Kosovës, zoti Isa Mustafa.
  • Faleminderit, zoti nënkryetar i Kuvendit!
    Unë nuk dëshiroj të diskutoj gjatë për këtë çështje, vlerësoj se ne duhet ta respektojmë
    institucionin e Avokatit të Popullit dhe po ashtu të bëjmë përpjekje maksimale për
    implementimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, por në asnjë rast nuk duhet ta
    shfrytëzojmë këtë institucion për nevoja politike. Prandaj, unë ju ftoj që të jemi të kujdesshëm në
    vlerësimet që i japim. A janë vlerësime tona, apo vlerësime të Avokatit të Popullit, në qoftë se ne
    vlerësojmë se Qeveria e Republikës së Kosovës është shkelësi kryesor i të të drejtave dhe lirive
    të njeriut, unë ju kisha lutur ta argumentoni atë.
    50
    Në qoftë se këtë e ka thënë Avokati i Popullit, atëherë Avokati i Popullit duhet ta arsyetojë dhe ta
    argumentojë. Në qoftë se dikush thotë nga këtu, atëherë ju kisha lutur të argumentohet, sepse kjo
    nuk është vetëm çështje e relacioneve tona pozitë-opozitë, ose të relacioneve tona politike. Janë
    çështje edhe të relacioneve tona me komunitetin ndërkombëtar dhe në qoftë se ne për shkak të
    mospajtimeve të brendshme i dërgojmë sinjale komunitetit ndërkombëtar, se Qeveria e Kosovës
    është shkelësi kryesor i të të drejtave dhe lirive të njeriut, atë duhet ta argumentojmë, për arsye se
    është në pyetje shteti dhe Qeveria e shtetit.
    Unë nuk di këso vlerësimesh. Unë e kam mbajtur grupin ndërministror për të drejtat e njeriut, ka
    qenë edhe Avokati i Popullit, kemi diskutuar për këto çështje, por në asnjë rast nuk e kam pasur
    një vlerësim se Qeveria është shkelësi dhe nuk e pranoj një vlerësim të tillë pa e argumentuar ju,
    ose pa e argumentuar Avokati i Popullit.
    Ndërkaq sa i përket implementimit, përkatësisht realizimit të rekomandimeve të Avokatit të
    Popullit, ne do ta bëjmë atë, do të insistoj që edhe grupi ndërministror të punojë edhe më tutje në
    këtë fushë, por kurrsesi që Institucionin e Avokatit të Popullit ta shfrytëzojmë për qëllime
    politike. Faleminderit!
  • Faleminderit, zoti kryeministër.
    Atëherë vijojmë me diskutuesit tjerë të paraqitur sipas radhës. Bali Muharremaj, nga AAK-ja, e
    ka fjalën.
  • Faleminderit, i nderuar nënkryetar!
    Të nderuar deputetë,
    Nuk mund të ketë besim të qytetarëve në Institucionin e Avokatit të Popullit pa filluar të
    respektohen rekomandimet e tij nga institucionet e vendit.
    Të drejtat e njeriut rregullohen me konventa të shumta në kuptimin ndërkombëtar, të dakorduara
    thuajse të gjitha shtetet, sidomos ato të fuqishme, nëpërmjet rezolutave të miratuara në
    organizatat e Kombeve të Bashkuara. Kosova, para se të ndodhë lufta, kuptohet ka qenë nën
    okupim dhe si e tillë është e kuptueshme që ai regjim ka bërë gjithnjë shkelje flagrante,
    diskriminim të të drejtave të njeriut mbi bazën e racës dhe etnisë.
    Që nga viti 1999 e këndej është e kuptueshme që liritë dhe të drejtat e njeriut brenda territorit të
    Kosovës kanë qenë më të mbrojtura. Janë më mirë pra vetëm nëse e krahasojmë me paraluftën,
    por nuk janë shumë më pak mirë nëse e krahasojmë ndër vitet e respektimit të të drejtave të
    njeriut, apo implementimin e rekomandimeve të Institucionit që merren me mbrojtjen dhe
    promovimin e të drejtave të njeriut, siç është Avokati i Popullit pas luftës.
    51
    Sa herë ka pasur raportim të Avokatit të Popullit për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe ka dhënë
    rekomandimet e veta, prapë herën tjetër është dashur të flasim po për të njëjtat rekomandime, që
    nuk janë implementuar, kryesisht nga organet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
    Shkelje të të drejtave të njeriut kemi kudo nga Qeveria e Kosovës në raportet me qytetarët, të
    cilat vazhdojnë të jenë kampion në këtë drejtim. Sikur të ishin në gjerësi të mira këto, atëherë do
    t’ia kalonim edhe Zvicrës. Shkelje ka edhe në qendrat e korrektimit të Kosovës, në spitale, në
    shtëpi të shëndetit, në shkolla, në institucione dhe në çdo vend tjetër ku kanë sado pak mundësi
    që ta bëjnë një gjë të tillë, sepse në vend të fuqizimit të Institucionit të Avokatit të Popullit nga
    ky Kuvend, por edhe nga Qeveria. Ne duke mos insistuar në zbatimin e rekomandimeve të
    Avokatit të Popullit, ia humbim peshën dhe rëndësinë, duke mos u marrë shumë me të.
    Pra, këtu shihet qartë kush është si dhe, të themi, sponsorizuesi kryesor i humbjes së peshës për
    Institucionin e Avokatit të Popullit, që ai është i vetmi organ civil e shoqëror, që ndoshta mund ta
    thotë opinionin e vet të pandikuar e të paanshëm politikisht.
    Qeveria e Kosovës, duke mos e respektuar zërin dhe opinionin e Avokatit të Popullit sa u takon
    lirive dhe të të drejtave të njeriut, dhe përderisa vazhdon të jetë shkelësi më i madh i këtyre lirive
    dhe të të drejtave bashkë me institucionet e saj, normalisht se do të ketë raporte të dobëta e aspak
    shpresëdhënëse në kuptimin e përafrimit me Bashkimin Evropian dhe integrimit në të.
    Për fund e kam një pyetje për Qeverinë e Republikës së Kosovës, meqë në mes rregullimit të
    fondit ligjor sa i përket Avokatit të Popullit, moszbatueshmëria e rekomandimeve të tij
    konsiderohet vepër penale. A jeni në dijeni sa zyrtarë qeveritarë apo sa persona edhe nga sektori
    privat janë thirrur në përgjegjësi për moszbatueshmërinë e rekomandimeve të Avokatit të
    Popullit. Faleminderit!
  • Vjosa Osmani e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    E mirëpres debatin për këtë temë. Besoj se është një temë jashtëzakonisht e rëndësishme për
    shkak se një shoqëri funksionale e demokratike patjetër që matet edhe me nivelin e mbrojtjes së
    të drejtave të njeriut dhe jo rastësisht shtetet më të zhvilluara në Evropë, por edhe më gjerë, janë
    pikërisht shtetet që kanë nivel shumë më të lartë të të drejtave themelore e kushtetuese të
    qytetarëve të saj.
    Unë e mora fjalën për ta dhënë një kontribut sado të vogël lidhur me rekomandimet që u
    prezantuan nga kolegia deputete.
    52
    E para, sa i përket rastit “Grudiq” kundër Serbisë, ky Kuvend në mandatin e kaluar e ka miratuar
    një rezolutë, e cila e ka obliguar Qeverinë e Kosovës që ta krijojë një komision ndërministror, i
    cili, përveçse do ta përfshijë edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, po ashtu do të
    përfshijë edhe ekspertë të fushës së të drejtës evropiane dhe në veçanti ekspertë që kanë përvojë
    në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilët do t’u ndihmojnë pensionistëve që t’i
    përgatitin lëndët e tyre para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kundër Serbisë.
    Prandaj, në rekomandimet e Kuvendit ne duhet të kërkojmë edhe zbatim të plotë të asaj rezolute
    të Kuvendit dhe ndoshta ministri i Punës mund të na sqarojë deri ku kanë arritur në këtë proces
    dhe në qoftë se ka ndonjë rast konkret ku edhe janë ndihmuar pensionistët nga ky komision që t’i
    përgatitin lëndët e tyre për Gjykatën Evropiane.
    E dyta, duhet ta inkurajojmë Qeverinë që t’i rrisë përgatitjet për anëtarësim në Këshillin e
    Evropës, sepse, tek e fundit, për të gjitha këto shkelje që po pretendohet se janë bërë nga
    institucionet publike të Kosovës, qytetarët e Kosovës sot nuk mund të vijojnë apo të shkojnë me
    paditë e tyre deri në Gjykatën e Strasburgut, por gjithçka përfundon në sistemin e drejtësisë së
    Kosovës, për të cilin edhe ka më së shumti vërejtje këtu në raportin e vitit 2016.
    Në momentin kur Kosova është anëtare e Këshillit të Evropës, automatikisht është edhe palë në
    Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe qytetarët e Kosovës do ta kenë edhe një instancë
    më shumë, një instancë të pavarur evropiane që do të vendosë për të drejtat e tyre.
    E treta, rekomandoj që meqenëse shumë nga rekomandimet e Avokatit të Popullit ndërlidhen me
    ndryshime që duhet të bëhen në legjislacion dhe me punën e cila mund të bëhet në Kuvendin e
    Kosovës, pra që nuk kemi nevojë ta presim Qeverinë apo institucionet tjera ekzekutive, që ta
    bëjmë një lidhje të drejtpërdrejtë në mes të rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe punës së
    komisioneve parlamentare në Kuvend. Pra, automatikisht rekomandimet që dalin nga ky
    Kuvend, për shembull, që lidhen me një ministri të caktuar, ose me Këshillin Gjyqësor, ose të
    tjera, të bëhen automatikisht pjesë e planit të punës së komisioneve të Kuvendit. Ka këtu pra
    çështje që lidhen me rekomandime për të drejtën e qytetarëve në ambient, kjo do të shkonte
    drejtpërdrejt në komisionin që merret me këtë çështje, ose Komisioni për Integrime Evropiane
    për shumë nga çështjet që janë përmendur në raportin e vitit 2016. Natyrisht, Komisioni për të
    Drejtat e Njeriut do të duhej ta luante një rol koordinimi me komisionet e tjera në këtë aspekt.
    Pra, ta japim edhe ne si Kuvend një kontribut të drejtpërdrejtë, që shkon shumë përtej këtij
    debati, duke thirrur vazhdimisht në raportime e dëgjime ministrat dhe duke i marrë ata në
    përgjegjësi për zbatimet e rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Pra, të shkohet shumë përtej
    një debati që bëhet një herë gjatë një mandati për këto rekomandime. Për shembull, te çështja e
    dhunës në familje, dhunës në baza gjinore, për të cilën raporti flet shumë pak në krahasim me
    shkeljet tjera, ndër të tjera rekomandohet që të bëhet profilizimi profesional i gjyqtarëve të
    53
    Gjykatës Themelore për çështjen e dhunës në familje. Me këtë çështje unë besoj që gjatë
    raportimit të Këshillit Gjyqësor në Komisionin për Legjislacion, patjetër do të duhej të ngrihej si
    çështje, por edhe kur të përgatitet buxheti vjetor i Republikës së Kosovës në buxhetet që ndahen
    për gjykata, patjetër duhet të kërkojmë që të bëhet buxhetimi edhe në këtë aspekt. Ose, për
    shembull, thuhet që duhet të harmonizohet Ligji për mbrojtjen nga dhuna në familje me ligjet
    tjera, për shkak të mospërputhjeve me disa nga dispozitat.
    Kjo është iniciativë që mund ta marrim vetë ne si deputetë, pa pritur nga Qeveria dhe
    institucionet tjera që merren me këto çështje, siç janë Policia, Prokuroria apo gjykatat.
    Dhe, përfundimisht, besoj që ka mundësi t’i shikojmë disa prej shembujve më të mirë në Evropë,
    siç është Suedia, dhe vendi ku ka lindur institucioni i Ombudspersonit që të shihet se si kanë
    arritur ato shtete që nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Ombudspersonit ta kenë kaq të lartë
    dhe të shohim çfarë masash konkrete, të prekshme, që mund t’i ndërmarrim edhe ne, mund t’i
    kopjojmë, të them kështu kushtimisht, në mënyrë që edhe përqindja e zbatimit të rekomandimeve
    të Ombudspersonit nga institucionet e Kosovës të rritet.
    Pra, propozoj që rekomandimet të jenë shumë më konkrete dhe të matshme, përafërsisht të jepet
    edhe afati kohor për secilin prej tyre. Faleminderit!
  • Faleminderit! Albulena Haxhiu e ka fjalën.
  • Faleminderit!
    Së pari, më duhet të them që për të dëshmuar se këtij Kuvendi i ka humbur legjitimiteti e
    dëshmon fakti se as argumentet, as rezolutat, por edhe raportet me rekomandime që i votojmë
    nuk po e kanë asnjë kuptim për faktin se nuk po zbatohen nga institucionet tjera, qoftë nga
    Qeveria, apo edhe nga institucionet tjera të drejtësisë.
    Deputeti ynë, Mytaher Haskuka, në emër të grupit parlamentar foli në përgjithësi për raportin e
    zonjës Teuta Haxhiu, që është deputete e Grupit Parlamentar të AAK-së, por u ndal veç e veç në
    shumicën prej këtyre rekomandimeve, mirëpo unë do të ndalem vetëm në dy çështje.
    Sa i përket Institucionit të Avokatit të Popullit, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni
    132, paragrafi 3, thuhet: “Çdo organ, institucion ose autoritet tjetër që ushtron pushtet legjitim në
    Republikën e Kosovës është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’ia
    paraqesë atij apo asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligjin”.
    Pra, i bie që secili institucion, apo secili organ që e konsideron veten se është pushtet legjitim,
    duhet t’u përgjigjet rekomandimeve apo kërkesave të Avokatit të Popullit.
    54
    Meqë Qeveria është shkelësja më e madhe e të të drejtave të njeriut, u tha këtu edhe në foltoren e
    Kuvendit, i bie që Qeveria nuk po e konsideron veten pushtet legjitim. Dhe, në qoftë se është
    kështu, unë pajtohem, sepse konsideroj që kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin.
    Së dyti, në pikën 6 të rekomandimeve thuhet se Kuvendi i Kosovës gjatë plotësim-ndryshimit të
    Rregullores së Kuvendit ta rregullojë votimin apo mosvotimin e raporteve të Avokatit të Popullit.
    Ne e kemi pasur si Komision për Legjislacion një kërkesë të tillë nga Avokati i Popullit, në fakt
    ka qenë kërkesa e prerë që raportet e Avokatit të Popullit të mos i nënshtrohen votimit në
    seancën parlamentare, pra të diskutohen, mirëpo jo të votohen.
    Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, institucionet e pavarura i raportojnë Kuvendit dhe
    shqetësimi im në këtë drejtim është se mos edhe institucionet tjera që janë të pavarura po e
    përdorin si precedent në mënyrë që të mos i raportojnë Kuvendit, apo që raportet e tyre të mos
    votohen. Në qoftë se do ta vendosnim drejt këtë çështje, është që me Rregulloren e Kuvendit,
    çfarëdo raporti i institucionet të pavarur, që nuk votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës,
    të shkarkohet ose drejtuesi i atij institucioni, ose Bordi, varësisht se si është i rregulluar
    institucioni. Mirëpo, kjo nuk po ndodh për faktin se edhe në qoftë se në të kaluarën nuk kanë
    kaluar në Kuvend të Republikës raportet e institucioneve të pavarura, askush nuk ka marrë
    përgjegjësi për këtë.
    Pra, mendoj që këtë çështje duhet analizuar, në qoftë se jemi për votim ose jo të raporteve të
    Avokatit të Popullit. Ne si komision kemi pasur po ashtu takim me Komisionin për të Drejtat e
    Njeriut dhe po ashtu më duhet ta theksoj faktin që jemi në draftim të Rregullores së punës prej
    vitit 2010 dhe kjo është si vërejtje për Kryesinë e Kuvendit dhe pengesat që po i bëjnë në këtë
    drejtim. Prej vitit 2010, Kuvendi nuk ka një rregullore të re veten, edhe pse me Rregulloren
    aktuale thuhet se secila legjislaturë e ka rregulloren e vet. Ky Kuvend ka dështuar disa herë që ta
    votojë Rregulloren e punës për shkak të interesave të njerëzve përbrenda Kryesisë së Kuvendit.
    Pra, po them se kjo çështje, domethënë kërkesa e Avokatit të Popullit, që rekomandimet apo
    raporti i tij të mos votohet në Kuvend, do të shqyrtohet edhe në grupin apo Nënkomisionin për
    Mandate dhe Imunitete, i cili aktualisht është duke u marrë me Rregulloren e punës.
    Faleminderit!
  • Fjalën e ka Selvije Halimi.
  • Faleminderit, nënkryetar!
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Meqenëse pika e diskutimit ka të bëjë me një raport të Komisionit përkatës për të Drejtat e
    Njeriut dhe me disa rekomandime, unë dua të përqendrohem në diskutimin tim edhe rreth nivelit
    të ne deputetëve në raport me të drejtat e njeriut.
    55
    Fillimisht dua të them që pajtohem me të gjitha ato që tha kolegia ime, Vjosa, e që ma shkurtoi
    diskutimin. Cili është niveli i ne deputetëve? Cila është përgjegjshmëria dhe përgjegjësia e ne
    deputetëve në raport me të drejtat e njeriut?
    Ne deputetët shpeshherë e kemi humbur arsyen, duke mos qenë mjaftueshëm të vëmendshëm, të
    përgjegjshëm dhe të kujdesshëm gjatë hartimit të legjislacionit, gjatë shqyrtimit të tij, qoftë në
    Kuvend, qoftë nëpër komisione përkatëse. Dhe, shkelja e të drejtave të njeriut, shkelja e lirive të
    njeriut, sesa është dhe në çfarë niveli është, varet fillimisht nga legjislacioni. Kushtetutën e kemi
    të rregulluar shumë mirë, i kemi edhe konventat për të drejtat dhe liritë e njeriut, të cilat jemi të
    obliguar t’i zbatojmë, por me legjislacionin e dytë, me ligje, me udhëzime administrative nuk
    qëndrojmë mjaftueshëm mirë dhe për këtë nuk mund ta fajësojmë asnjë institucion tjetër, që
    buron nga Kuvendi, përveçse ne vetveten.
    Të nderuar kolegë,
    Para se të flasim për zbatimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut në praktikë, para se ta
    adresojmë përgjegjshmërinë te institucionet përkatëse, që domosdo pajtohem se nuk jemi në
    nivelin e kënaqshëm, unë bëj pyetje për secilin nga ne se sa po abuzojmë ne si deputetë me të
    drejtat e fëmijëve kur përdorim gjuhë të vrazhdë, gjuhë jashtë çdo etike parlamentare, duke iu
    adresuar njëri-tjetrit. Unë mendoj se më e rëndësishme është kjo, sesa kur flasim për adresime
    për të drejtat e njeriut nga institucionet, sepse ato mund të korrigjohen shumë shpejt, mjafton
    gatishmëria jonë në mënyrë të organizuar nga të gjithë mekanizmat shtetërorë.
    Abuzimi me fëmijët, me gjuhën tonë joparlamentare, lë domosdoshmërisht pasoja në shëndetin e
    tyre mendor dhe për këtë asnjëherë nuk na shkon mendja para se të deklarohemi. Asnjë fëmijë
    nuk është fajtor për asnjë veprim të prindit të tij, por ne duhet të jemi të kujdesshëm gjatë
    deklarimeve, kur flasim për njëri-tjetrin, për institucionet dhe përgjegjësit me emër dhe mbiemër.
    Kjo do t’i ruante fëmijët tanë që ata të mos kenë probleme me vetveten dhe probleme psikike dhe
    ata të mos jenë të padurueshëm dhe agresivë në rrethe shoqërore, siç po ndodh sot në Kosovë.
    Çështja tjetër që do të kërkoja, në rekomandim duhet të hyjë domosdoshmërisht edhe rishikimi i
    legjislacionit dhe udhëzimeve administrative, sepse në veçanti me udhëzime administrative po
    lihet mundësia e shumë interpretimeve dhe për dikë udhëzimi del mirë dhe nuk ia cenon asnjë të
    drejtë, por për dikë cenon të drejta. Krejt kjo po ndodh për shkak se interpretimi i tyre pastaj po
    bëhet sipas tekeve dhe bindjeve politike. Kjo nuk ndodh vetëm në nivelin qeveritar, por kjo
    ndodh edhe në institucionet e pavarura publike, kjo ndodh edhe në nivelin lokal.
    Andaj, bëj thirrje që të gjithë mekanizmat, të gjitha institucionet e vendit të jenë të përgjegjshme
    në respektimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut konform Kushtetutës. Jemi mirë, por e mira
    asnjëherë nuk përfundon. Rrethanat nëpër të cilat jemi duke kaluar, bllokadat të cilat jemi duke
    ia bërë vetvetes dikush i koncepton si shkelje të të drejtave të njeriut, dikush i koncepton që nuk
    56
    janë të tilla. Andaj, ne duhet të ofrojmë strategji konkrete, të kemi definicione konkrete se çka
    duam të themi kur themi se kemi shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, e jo t’i japim kahe
    politike, sepse shkelja apo liritë dhe të drejtat e njeriut kanë një koncept shumë të gjerë dhe
    buron nga institucionet dhe familja. Faleminderit!
  • Faleminderit! Ismajl Kurteshi e ka fjalën.
  • Faleminderit!
    Përshëndetje për të gjithë!
    Dihet se Avokati i Popullit trajton vetëm ankesa të qytetarëve karshi institucioneve publike. Fakti
    që nuk janë të rralla rastet kur rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk respektohen, dëshmon se
    shkeljet ndodhin nga institucionet publike.
    Mosrespektimi i këtyre institucioneve ndodh më shumë në institucionet qendrore të vendit, edhe
    pse bazuar në statistikat në përgjithësi janë rreth 70 ose 80% të rekomandimeve, që nuk
    respektohen dhe kjo është edhe shkalla në të cilën shkelen edhe të drejtat e qytetarëve të
    Kosovës, pikërisht nga institucionet publike të vendit.
    Duke pasur parasysh këtë injorim të Institucionit të Avokatit të Popullit po mungon edhe raporti i
    këtij institucioni për çështje dhe për institucione shumë të rëndësishme, po ashtu publike, siç
    është për shembull gjendja në burgjet e Kosovës. Këta muajt fundit të gjithë jemi dëshmitarë se
    në burgjet e Kosovës kanë ndodhur edhe vdekje të dyshimta të të burgosurve, e në mesin e tyre
    edhe e aktivistit politik Astrit Dehari, por për habi nuk kemi pasur asnjë raport të Avokatit të
    Popullit për gjendjen në burgjet e Kosovës, e që do të ishte me interes për të gjithë qytetarët e
    Kosovës, që ta kenë një raport të tillë nga një institucion aq i rëndësishëm.
    Nëse nuk respektohen rekomandimet e Avokatit të Popullit, atëherë cila është arsyeja e
    ekzistimit të këtij institucioni dhe nëse këto rekomandime injorohen nga institucionet publike, e
    kryesisht ato qendrore, atëherë del se këto institucione praktikisht po i shkelin të drejtat e njeriut.
    Kështu që rekomandimet e sotme do të duhej të ndikojnë, të kontribuojnë, që kjo praktikë e
    mosrespektimit të rekomandimeve të Institucionit të Avokatit të Popullit të ndërpritet dhe kështu
    t’i kushtohet më shumë rëndësi respektimit të të drejtave të qytetarëve të vendit. Faleminderit!
  • Fjalën e ka Blerta Deliu-Kodra.
  • KODRA: Faleminderit, zoti Hamiti!
    Të nderuar kolegë deputetë,
    I nderuar ministër,
    Meqë u shterua debati, një pjesë e kolegëve i thanë disa prej diskutimeve që unë do t’i përmend
    tërthorazi.
    57
    Mendoj se është tepër me rëndësi që ne po e diskutojmë zbatimin e rekomandimeve të Avokatit
    të Popullit. E përgëzoj kolegen Haxhiu që e ka marrë një nismë për faktin se si institucione
    mendoj se e kemi obligim të punojmë në mënyrë që këto rekomandime të zbatohen nga
    institucionet përkatëse.
    Së fundi e kemi pasur edhe një kërkesë, siç u tha edhe më herët, nga Institucioni i Avokatit të
    Popullit, që të ndryshojë Rregullorja e Kuvendit dhe që raporti vjetor i Avokatit të Popullit të
    diskutohet në seancë plenare, meqë me këtë rregullore aktuale kemi problem dhe mund të flasim
    me orë të tëra, mirëpo nuk do të ketë asnjëherë zbatim të rekomandimeve të avokatit, nëse ne si
    deputetë të zgjedhur nuk do të kërkojmë përgjegjësi direkte nga Qeveria për zbatimin e këtyre
    rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
    Do ta përmend këtu edhe shkeljen e të të drejtave të njeriut, si raste të fundit. Mendoj se të gjithë
    jemi të vetëdijshëm për atë që javën e kaluar ka ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të
    Kosovës, kur Vahide Tasholli nga Ferizaj e lindi foshnjën e saj në pllakat e Qendrës Klinike
    Universitare të Kosovës, në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike. Po ashtu, rasti i kësaj ka qenë
    nëpër një pjesë të madhe të medieve të Kosovës dhe mendoj se është një shkelje flagrante e të të
    drejtave të njeriut dhe institucionet përgjegjëse i kanë nisur hetimet lidhur me këtë rast.
    Mua më vjen mirë, prandaj dua të përgëzoj Avokatin e Popullit, i cili duke u thirrur në
    kompetencat dhe përgjegjësitë që i ka, ka nisur hetimet ‘ex officio’ për rastin e lindjes në pllakat
    e
    QKUK-së dhe dëmtimeve që foshnja në këtë rast ka marrë. Po ashtu, edhe për rastin e
    fundit të kërcënimeve ndaj gazetares, zonjës Arbana Xharra. Do të thotë, Avokati i Popullit, duke
    u thirrur në këto kompetenca, ka marrë për sipër që ‘ex officio’ t’i hetojë këto raste dhe të dalë
    me rekomandime konkrete lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e legjislacionit
    përkatës nga institucionet përgjegjëse.
    Unë besoj shumë që institucionet duhet të jenë të vetëdijshme dhe t’i marrin me shumë seriozitet
    rekomandimet që do të dalin nga fillimi i hetimeve nga Avokati i Popullit dhe do t’i trajtojnë me
    shumë seriozitet dhe që raste të tilla të mos ndodhin më.
    U përmend se kemi edhe shkelje të të drejtave të njeriut nëpër spitale, prandaj mendoj që rasti i
    fundit i zonjës Tasholli, lindja e saj në pllakat e QKUK-së, është një alarm për institucionet që ne
    t’i marrim në konsideratë dhe t’i trajtojmë me kujdes pacientët dhe të gjithë qytetarët e
    Republikës së Kosovës.
  • Haskuka, a do edhe një herë të flasësh? Mytaher Haskuka e ka fjalën.
    58
  • Po, më herët ka qenë në emër të grupit. Nuk do ta zgjas, po vetëm pasi
    kryeministri na akuzoi pak për politizim dhe për pozitë-opozitë..., unë vetëm dua t’ia përkujtoj
    disa gjëra kryeministrit, edhe pse ai shkoi menjëherë.
    Në aspektin e raportit të Avokatit të Popullit është tabela, e cila tregon për implementimin e
    rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Brenda atyre institucioneve, të cilat faktikisht nuk i kanë
    implementuar rekomandimet e Avokatit të Popullit, në listë prin Qeveria e Kosovës. Unë i
    dhashë edhe statistikat në fjalimin paraprak.
    Po ashtu, edhe ministritë, të cilat janë pjesë e Qeverisë, shumica e tyre nuk i kanë implementuar
    rekomandimet e Avokatit të Popullit. Tash, çështja është se kjo nuk është as me opozitë, as me
    pozitë, por është për të drejtat e njeriut dhe lidhur me vendimet e Avokatit të Popullit për
    përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në Kosovë. Në atë aspekt, ai si kryeministër
    duhet t’i marrë ato seriozisht dhe të mundohet që me Kabinetin qeveritar t’i implementojë
    rekomandimet e Avokatit të Popullit. Kjo është kërkesa që ne e kemi si deputetë.
    Në aspektin e pikave, që nuk janë lidhur me shkeljen e të të drejtave të njeriut, apo me debatin se
    kush është fajtor, çështja është se ekzistojnë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut në Kosovë.
    Unë paraprakisht e mora një shembull konkret, me emër e mbiemër, se si personit i privohet e
    drejta për të qenë i gjallë. Në anën tjetër, janë edhe çështjet tjera, të cilat i konstaton raporti.
    Mbrojtja e të drejtave të qytetarëve është çështje qeveritare, është çështje e kryeministrit, ai duhet
    të merret me to. Zvarritja e procedurave gjyqësore është çështje e cila domosdo lidhet me
    Qeverinë. Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore është çështje e cila lidhet me Qeverinë.
    Çështjet pronësore, të cilat paraqiten në raport si çështjet kryesore të shkeljes së të drejtave të
    njeriut, po ashtu janë çështje që lidhen me Qeverinë. E drejta e qasjes në dokumente publike, e
    cila garantohet edhe me Kushtetutë, e që nuk respektohet në shumicën e rasteve, në shumicën e
    institucioneve shtetërore, është çështje e cila lidhet me Qeverinë dhe me kryeministrin.
    Të drejtat shëndetësore, mosrealizimi i së të drejtave shëndetësore, e cila paraqitet në raport,
    lidhet me Ministrinë e Shëndetësisë, lidhet me Qeverinë dhe me kryeministrin, barazia gjinore, e
    kështu me radhë. Domethënë, shumë çështje të cilat janë paraqitur në raport e të cilat janë çështje
    ku shkelen të drejtat e qytetarëve të Kosovës lidhen me Qeverinë. Unë këtu s’po shoh kurrfarë
    problemi në aspektin e kësaj.
    Prandaj, meqë kryeministri nuk është këtu, por është ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale,
    janë edhe rekomandimet lidhur me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, besoj se raporti
    duhet të merret seriozisht, po qe se dëshirojmë që Kosova të përparojë në këtë çështje dhe ta
    kemi një shoqëri të mirëfilltë. Në atë aspekt, të merren seriozisht rekomandimet dhe të
    mundohemi t’i implementojmë ato.
    59
    Përndryshe, në raportin e vitit 2016 është edhe një pjesë që ka të bëjë me konditat në Burgun e
    Prizrenit dhe ndoshta qeveritarët po t’i kishin marrë seriozisht çështjet që janë paraqitur aty,
    ndoshta edhe rasti i Astrit Deharit s’do të ndodhte. Domethënë, Avokati i Popullit ka dalë me një
    deklaratë, në të cilën ka kërkuar që të ketë një hetim serioz dhe të paanshëm, e cila sërish nuk
    është respektuar nga organet kompetente.
    Unë, në këtë aspekt, kërkoj që debatin ta kthejmë në atë aspekt se si ta përmirësojmë gjendjen e
    të të drejtave të njeriut, e cila është shumë problematike dhe vazhdon të jetë problematike, po qe
    se nuk merren parasysh rekomandimet e Avokatit të Popullit. Faleminderit!
  • Daut Haradinaj e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    Shkurt: Meqë, kryeministri shkoi, tashmë kjo që desha ta them veç e humbi peshën, por
    kryeministri nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë, sepse është punëdhënësi më i madh në
    Kosovë. Këtu shumica e rekomandimeve të Avokatit të Popullit ndërlidhen me Ekzekutivin. Kjo
    është e para.
    E dyta, ky debat është thirrur vitin e kaluar dhe tash prapëseprapë e ka humbur peshën, por liritë
    dhe të drejtat e njeriut shkelen pothuajse çdo ditë dhe në shumë sfera. Është krejtësisht e
    papërgjegjshme, kur kryeministri thotë “mos të bëjmë pozitë dhe opozitë”, ndërsa në anën tjetër
    sot e dëgjova një pyetje parlamentare, që një ministër i merr katër lëndë në Universitetin Publik.
    Kjo është absurd. A nuk kemi ne kuadro që do të mund të ishin pjesë e atij institucioni?
    Nëse flasim për institucionet e brendshme, për avancimin e njerëzve, po ju siguroj që me FSK,
    me Polici, me inteligjencë, me Shërbimin Korrektues, me Universitet, me spitale, të gjitha këto
    shkojnë me të njohshëm dhe që ndërlidhen direkt me shefin e shtetit dhe ministrat e dikastereve
    të caktuara. Kurrkund nuk ka transparencë, kurrkund nuk ka barazi, gjithkund shkojnë me të
    njohshëm dhe avancohen, qoftë polici, qoftë ushtari, qoftë inteligjenca, qoftë shefi i
    inteligjencës, shefi i policisë, shefi i spitalit... Ne në Kosovë jetojmë, nuk mund të themi që
    s’është e vërtetë. Shumë e vërtetë është!
    Për shembull, e kemi këtu ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale këtu, është një rekomandim,
    për shembull po e marr shumë thjesht: “Universiteti i Prishtinës duhet ta implementojë Ligjin
    rreth pranimit të fëmijëve të dëshmorëve”. Dhe, tash e sa kohë asnjë veprim nuk është bërë. I
    keni me data të shpjeguara.
    Tash e dëgjova edhe një kolege të pozitës, e cila tha se nuk është mirë të diskutohet për të drejtat
    e njeriut. Në të njëjtën kohë e kemi edhe një debat pas kësaj pike, që ndërlidhet me të njëjtën
    60
    temë, i ftuar nga deputetët e pushtetit dhe që ndërlidhet me të drejtat e punëtorëve. Edhe ai është
    njeri, pavarësisht se e ka një detyrë.
    Kështu që këta tash çka po bëjnë? Politikë po bëjnë. Me një fjalë, më mirë është të merren
    seriozisht rekomandimet, të implementohen, dhe e kanë obligim edhe ligjor, edhe kushtetues, se
    sa të thonë “pse opozita po e thirrka një debat”, i stërvonuar, i thirrur vitin e kaluar. Faleminderit!
  • Zafir Berisha e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    Natyrisht, po flasim për një çështje të rëndësishme, e cilat në fakt paraqet gjendjen në të cilën
    gjendet shteti ynë, shtet i ri. Në fakt, moszbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit paraqet
    gjendjen e mjerueshme të institucioneve të vendit, veçanërisht të Ekzekutivit.
    Është një fenomen që kemi rritje të numrit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga viti në
    vit dhe kjo është shqetësuese, për faktin se Ekzekutivi dhe organet përgjegjëse, jo që s’e marrin
    parasysh Avokatin e Popullit, por thjesht i shtojnë, ose i rritin shkeljet e të të drejtave të njeriut
    në vendin tonë.
    Shkeljet e të të drejtave të njeriut janë evidente në Kosovë në të gjitha fushat, në shëndetësi, në
    punësim, ku gjendja është alarmante për shkak edhe të bindjeve politike, njerëzit ndëshkohen,
    ose edhe pse nuk janë anëtarë të skemave kriminele të parapolitikës së partive në pushtet.
    Natyrisht, shkeljet shkojnë edhe deri atje sa edhe subvencionet në bujqësi bëhen mbi baza
    partiake politike, gjë që nuk është pasqyrë e mirë, as për vendin, por edhe karshi miqve tanë
    ndërkombëtarë, si një vend me ambicie për integrim në familjen evropiane.
    Shkeljet shkojnë deri atje sa edhe në skemat e përfituesve të ndihmave sociale të ketë ndërhyrje,
    por ajo që është më eklatante, që do ta ndërlidh edhe me qytetin prej nga vij unë, shkeljet e të të
    drejtave të qytetarëve në fushën e drejtësisë, veçanërisht në Prizren, ku ditëve të fundit është një
    rast tepër eklatant, ku për të njëjtën vepër një qytetar dënohet, ndërsa tjetri nuk dënohet. I pari
    nuk është pjesë e bandave të klanit “Pronto”, ndërsa i dyti është pjesë e bandave të klanit
    “Pronto” dhe nuk dënohet. Është shumë interesant se në medie kemi parë se është e njëjta
    materie dhe e njëjta lëndë. Kjo lë të kuptohet se, megjithatë, parapolitika e partive në pushtet
    është duke i shërbyer të keqes së vendit dhe është duke e paraqitur një pasqyrë jo të mirë në
    fushën e të drejtave të njeriut dhe në këtë rast unë mund të them se Kuvendi ka përgjegjësi që të
    kërkojë nga Ekzekutivi i vendit që në mënyrë rigoroze t’i marrë në konsideratë rekomandimet e
    Avokatit të Popullit. Faleminderit!
  • Famir Shurdhaj e ka fjalën.
    61
  • Faleminderit, kryesues!
    Të nderuar deputetë,
    Meqë jemi sot duke debatuar për raportin e Avokatit të Popullit, i cili i saktëson të gjitha shkeljet
    e të të drejtave të njeriut, shkeljet e të drejtave të punëtorëve, shkeljet e të drejtave të fëmijëve,
    shkeljet e të drejtave të pensionistëve, unë po ndalem këtu në veçanti, pasi kryeministri tha “mos
    bëni politikë dhe adresohuni drejtpërdrejt institucioneve ku janë shkelur këto të drejta”.
    Për shembull, në mandatin e kaluar, pasi këtu është edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies
    Sociale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e ka krijuar grupin, i cili ka bërë vlerësimin e
    për çështjen e pensioneve në lidhje me Serbinë, që është vjedhur fondi pensional dhe grupi i
    ekspertëve ka bërë gjithë ekspertizën dhe i ka rekomanduar Qeverisë dhe Qeveria e ka nxjerrë
    një udhëzim administrativ, ku në bisedimet me Serbinë do të futet kjo temë, e cila është shumë e
    nevojshme për qytetarët e Republikës së Kosovës, meqë është vjedhur fondi pensional nga
    Serbia.
    Asnjëherë Qeveria e Kosovës apo ministrja për Dialog nuk e ka hedhur si temë të bisedimeve, as
    propozim, në dialogun në Bruksel çështjen e pensioneve të qytetarëve të Republikës së Kosovës,
    apo të fondit pensional, që është vjedhur nga Serbia. Madje, e kemi edhe rastin eksperimental,
    çifti Grujiq, që e ka fituar kontestin gjyqësor në Gjykatën e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut.
    Personalisht jam takuar me çiftin Grujiq në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ai mbeti
    një zë i shuar. Qeveria asnjëherë nuk mori asnjë rekomandim, që të paktën në bisedimet në
    Bruksel ta ketë temë kryesore këtë.
    Janë edhe shumë çështje të tjera, mirëpo po ndalem te të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara,
    te shkollimi i tyre, te përkrahja institucionale. Me të vërtetë, po abuzohet me ligj me këtë
    kategori sociale, sepse këta fëmijë po izolohen. Familjet me asistencë sociale nuk po kanë
    mundësi ta mbajnë veten me atë asistencë sociale që marrin nga skemat sociale e lëre më nëse
    ata kanë fëmijë me nevoja speciale apo të veçanta, si do të gjenden në këtë rast? Po e marr një
    shembull, si prind i një fëmije me nevoja speciale, qysh do t’i trajtojë Kosova fëmijët në spektrin
    e autizmit? A do t’i lërë persona me retardime mentale që tërë jetën të vazhdojnë, e t’ua japim
    një pension, apo do t’i integrojë këta njerëz në shoqëri, sikur në vendet tjera?
    Kjo po ndodh në Kosovë për faktin se institucionet e Kosovës nuk kanë kurrfarë përkrahjeje
    institucionale për këta fëmijë, përveç një pensioni të aftësisë së kufizuar. Kjo kategori e këtyre
    fëmijëve në vendet tjera integrohen në shoqëri me programe nga Ministria e Shëndetësisë,
    Ministria e Arsimit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe me përkujdesje sociale, të cilët pas
    moshës 10 apo 12-vjeçare e kalojnë këtë problem.
    Në Kosovë i kemi mbi 400 fëmijë, prindërit e shumicës së tyre kanë dalë jashtë shtetit, kanë
    shkuar azil, shumica e të tjerëve i trajtojnë në Kosovë nëpërmjet disa organizatave joqeveritare,
    62
    të cilat po mundohen të paktën t’i dalin në ndihmë kësaj kategorie. Madje, edhe me ligjin që tash
    po bëhet për aftësinë e kufizuar, pretendohet që të hiqet asistenca, nëse dikush i familjes është i
    punësuar, për këtë kategori, e kam fjalën për fëmijët me nevoja të veçanta, me sindromën dawn,
    me autizëm dhe me nevoja të tjera sociale.
    Mendoj që Avokati i Popullit mirë i ka saktësuar të gjitha këto probleme. Edhe këto
    rekomandime janë për Qeverinë. Kryeministri nuk mund t’u ikën, as dikasteret e Qeverisë,
    obligimeve kushtetuese dhe ligjore, të cilat i miraton ky Kuvend. Mendoj që ne si Kuvend, ose
    duhet t’u përmbahemi rekomandimeve të Avokatit të Popullit, i cili është i pavarur, është i
    zgjedhur nga Kuvendi, ose nuk kemi nevojë ne të bëjmë politikë këtu, opozitë dhe pozitë, për ta
    thyer njëri-tjetrin. Kryeministri del edhe thotë: “mos bëni politikë... mos e shfrytëzoni rastin...”!
    Mendoj se këto rekomandime, Qeveria së pari duhet t’i marrë për bazë seriozisht dhe t’i shikojë
    mirë edhe rekomandimet e deputetëve këtu në Kuvend. Faleminderit!
  • Faton Topalli e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    Kryeministri deklaroi pak më herët dhe kërkoi që të argumentohet pse Qeveria e Kosovës është
    shkelësja kryesore e të drejtave të njeriut. E keqja në këtë çështje është që ai, posa e shtroi këtë
    pyetje iku nga seanca dhe, në fakt, përgjigjja për pyetjen që shtroi as që e interesoi.
    Unë dua t’ia përkujtoj kryeministrit që Qeveria e Kosovës, jo vetëm nga opinioni i brendshëm, jo
    vetëm nga opozita, por edhe nga organizata me renome ndërkombëtare, siç është ajo Amnesty
    International, është kritikuar për vdekjen e Astrit Deharit në rrethana të paqarta dhe shumë të
    dyshimta në burgjet e Kosovës.
    Aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, si Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi e Egzon
    Haliti po mbahen për arsye politike në arrest, edhe pse nuk ka asnjë fakt për akuzat të cilat u
    ngarkohen atyre. Ky është një proces krejtësisht politik dhe krejtësisht i diktuar nga politika dhe
    është një shkelje drastike e të drejtave të njeriut.
    Sot kemi qindra fëmijë anekënd Kosovës prej moshës 10, 11 e deri në moshën 14-vjeçare, që
    punojnë rrugëve të Kosovës, shesin cigare, për t’i mbështetur ekonomikisht familjet e tyre. A
    nuk është kjo shkelje e të drejtave të njeriut?
    Konsiderohet që informaliteti në ekonomi e kalon shifrën prej 30%. Këta janë punëtorë që
    punojnë në kushte të rënda, me rroga minimale, pa asnjë siguri sociale, pa kontribute për
    pensionet dhe pa asnjë të drejtë në punë. Sot kemi 420 000 dosje të pazgjidhura në gjykatat e
    63
    Kosovës, qytetarë të cilëve u është shkelur e drejta themelore e njeriut, e drejta që shteti në këtë
    rast ta ndajë drejtësinë për ta.
    Gjykata Kushtetuese ka vendosur që punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj t’u paguhet
    dëmshpërblimi në raport me procesin e privatizimit, një vendim të cilin Qeveria e Kosovës në
    kundërshtim me ligjin nuk e ka zbatuar asnjëherë. Qeveria e Kosovës e mban përgjegjësinë
    kryesore dhe është shkelësja kryesore e këtyre të drejtave, për shkak se nuk ka krijuar kushte që
    ato të mbrohen.
    Është detyrë e Qeverisë që t’i krijojë mekanizmat dhe të kujdeset që ata të funksionojnë. Kur
    Qeveria nuk i krijon mekanizmat mbrojtës, kur ajo nuk kujdeset që mekanizmat ekzistues të
    funksionojnë, atëherë ajo mban përgjegjësinë dhe është stimuluese, herë e drejtpërdrejtë, herë
    indirekte e shkeljes së të drejtave themelore të njeriut.
  • Faleminderit! Fjalën e merr Teuta Haxhiu. Teutë, i ke 5 minuta, të lutem!
  • Faleminderit, nënkryetar i Kuvendit!
    Po u them faleminderit kolegëve, që e ndihmuan debatin.
    Para së gjithash, është detyrë e secilit prej deputetëve, mirëpo sinqerisht humbja e interesimit dhe
    vonesat e thirrjes së debateve normalisht se po e tregon ndoshta një rezultat sa vërtet ka nevojë të
    diskutohet.
    Është vërtetë e papranueshme se si Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i merr, ama absolutisht,
    mos të them me 1% seriozitet rekomandimet, rezolutat që nxirren në Kuvend. Këtë e kam thënë
    shumë herë, me fakte.
    Ashtu siç e përmendi edhe kolegia ime, Vjosa, janë shumë rezoluta, të cilat kanë mbetur nën hije
    dhe asnjëherë nuk janë marrë parasysh nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Të nxjerrë
    vendime Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të mos i zbatojë vendimet e veta, kjo nuk do
    koment!
    Prandaj, për kryeministrin, i cili tentoi të thoshte diçka në Kuvend, në fakt po i sugjeroj që ta
    lexojë me vëmendje raportin e vitit 2015 të Avokatit të Popullit. Po flasim, folëm, për raportin
    me rekomandime dhe nuk guxon të bëjë politikë me deputetët, në këtë rast tendenca, sepse nuk
    mund të bëjë, gjoja se nuk është shkelësi më i madh. Shkelësi më i madh dhe nuk mund të themi
    që kryeministri e ka hapësirë vetëm zyrën e vet. Kryeministri i ka vartësit e vet, pra ministrat,
    prandaj e kemi thënë sa herë, në papërgjegjësi për të qenë i përgjegjshëm në detyrën e vet, ai do
    të duhej shumë më herët të largohej nga Qeveria.
    64
    Prandaj, edhe një herë, faleminderit deputetë! Rekomandimet unë i kam lexuar më herët. Vërtet,
    i vlerësoj të gjitha sugjerimet tuaja dhe pres që t’i harmonizojmë ndërmjet grupeve parlamentare.
    Unë i kam shënuar disa nga rekomandimet e kolegëve deputetë dhe si të doni, vendos edhe
    nënkryetari... A të punojmë në rekomandime tani për pak kohë, apo ta lëmë pas drekës. Unë,
    megjithatë, s’po thërras drekë!
    Pra, edhe një herë, faleminderit! Është shumë serioze që të flasim për rekomandimet e një
    institucioni, siç është Avokati i Popullit, prandaj nuk besoj se këtu ka politikë, por rekomandime
    me fakte, kush është shkelësi më i madh, se ato të tjerat që nuk janë në raport, normalisht se dalin
    shumëfish shkelës më i madh Qeveria e Republikës së Kosovës, pa dyshim. Faleminderit!
  • Faleminderit! E dëgjuam debatin me përfundimin e kërkueses së debatit. Të gjitha
    ato që janë rekomandime të kërkuara apo të sistemuara me deputetë të tjerë kur të bëhen gati
    vijnë në Kuvend.
    Unë ju jap pushim për drekë deri në orën 15:00. Do të vazhdojmë atëherë. Faleminderit!
    * * *
    65
    Vazhdimi i mbledhjes, pas pauzës
    Mbledhjen e drejton nënkryetari i Kuvendit, z. Xhavit Haliti.
  • Po fillojmë, të nderuar deputetë:
    6. Debat parlamentar sipas kërkesës së deputetëve Bekim Haxhiu dhe Xhevahire Izmaku,
    të mbështetur edhe nga 8 deputetë të tjerë nënshkrues, në lidhje me shkeljen e të drejtave
    të punëtorëve në Kosovë
    Deputetët Bekim Haxhiu dhe Xhevahire Izmaku, të mbështetur nga 8 deputetë të tjerë, kanë
    propozuar debat parlamentar në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.
    Xhevahirja nuk është, atëherë i japim të drejtën zotit Haxhiu që ta marrë fjalën për të bërë
    ekspozenë e tij lidhur me çështjen e ngritur.
  • I nderuar nënkryetar,
    I nderuar ministër,
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Në bazë të nenit 68 të Kushtetutës dhe në bazë të nenit 15, pika 8 të Rregullores së Kuvendit, së
    bashku me deputeten Xhevahire Izmaku dhe me mbështetjen e deputetëve të Grupit Parlamentar
    të Partisë Demokratike e kemi thirrur këtë debat parlamentar për të diskutuar në lidhje me
    shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.
    Është evidente se në Kosovë shkelen të drejtat e punëtorëve. Kushtet e punës, siguria dhe
    shëndeti në punë janë ndër brengat kryesore të çdo punëtori.
    Sipas raportimeve, vetëm gjatë 5 vjetëve të fundit në sektorin e ndërtimtarisë 61 qytetarë kanë
    humbur jetën në vendet e tyre të punës, ndërkaq 220 të tjerë janë lënduar. Ky numër mund të jetë
    shumë më i madh, sepse shumë raste të lëndimeve dhe vdekjeve në punë nuk raportohen fare.
    Shkelja e të drejtave të punëtorëve fillon në shumë raste, duke mos u ofruar fare kontrata të
    punës, pastaj puna me orar të stërzgjatur, deri në 12 orë në ditë, punëtorët nuk kompensohen për
    punën që kryejnë jashtë orarit të rregullt të punës, u mohohet e drejta e shfrytëzimit të pushimit
    javor dhe vjetor, e që është shkelje e së drejtës për pushim. Mosrespektim i pushimit të lehonisë,
    ndërprerja e marrëdhënies së punës nga punëdhënësi pa paralajmërim, zgjatja e kontratave mbi
    vepër më shumë se sa lejohet me ligj, e të tjera, e në shumë raste edhe ato kur kuptohet se femrat
    janë shtatzënë nuk u ofrohet në sektorit privat punë fare.
    Largimet kolektive nga puna janë të papranueshme dhe të dënueshme me ligjet në fuqi në
    66
    Republikën e Kosovës. Në fund të vitit 2016, siç e dini, kemi pasur largim kolektiv nga puna të
    95 punëtorëve të KEDS-it.
    Inspektorati i Punës në shkallën e parë dhe të dytë kishte vendosur në favor të punëtorëve, por
    KEDS nuk e kishte respektuar vendimin e Inspektoratit të Punës dhe Inspektorati i Punës ishte i
    pafuqishëm, duke mos i shqiptuar KEDS-it as gjobën me të vogël për mosrespektim të vendimit.
    Prandaj punëtorët e larguar nga puna rrugën e tyre e kanë kërkuar nëpërmjet Gjykatës.
    Kjo kërkesë është jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve që janë larguar në mënyrë
    kolektive nga KEDS-i, por edhe të atyre punëtorëve që aktualisht janë duke punuar në KEDS dhe
    u shkelen të drejta e tyre të punës dhe u nënshtrohen presioneve dhe shantazheve të ndryshme
    nga punëdhënësi.
    Prandaj, kjo kërkesë është edhe në mbrojtje të punëtorëve të angazhuar në sektorin e
    ndërtimtarisë, aty ku kemi pasur shumë raste të vdekjeve për shkak të mungesës së kushteve të
    punës si në sektorin privat, por edhe në atë publik, në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.
    Ky debat organizohet për të gjithë ata punëtorë që kryejnë punën me përgjegjësi dhe përkushtim
    të plotë, ndërsa u mohohen të drejtat e tyre themelore të garantuara me ligj dhe Kushtetutë. Të
    drejtat e punëtorëve vazhdojnë të shkelen, edhe pse në aspektin ligjor të drejtat e tyre mbrohen
    me ligj.
    Kuvendi i Kosovës për t’i mbrojtur të drejtat e tyre i ka miratuar këto ligje:
    - Ligji i punës, i miratuar më 1 nëntor 2010,
    - Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë,
    - Ligji për Inspektoratin e Punës,
    - Ligji për Këshillin Ekonomiko-Social,
    - Ligji për organizimin sindikal në Kosovë,
    - Ligji për aftësim, riaftësim dhe punësimin e personave më aftësi të kufizuara,
    - Ligji për grevat,
    - Ligji për dhënien e lejes për punë dhe punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
    e akte të tjera nënligjore.
    Përkundër miratimit të legjislacionit për këtë fushë, Inspektorati i Punës nuk ka arritur të jetë në
    shërbim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve për të mbikëqyrur zbatimin e ligjeve në fuqi.
    67
    Inspektorati i Punës ka vetëm 50 (pesëdhjetë) inspektorë, të cilët mbikëqyrin 37 komunat e
    Kosovës dhe kanë për obligim që së paku çdo punëmarrës ta inspektojnë një herë brenda një viti,
    apo edhe më shpesh, me kërkesë të palës së kërkuar.
    Po, Inspektorati i Punës duket se ka devijuar nga detyra dhe përgjegjësia që e ka me ligj dhe, pse
    po e them këtë?
    Sepse në shumë raste inspektorët e punës dhe Inspektorati i Punës, me kapacitetet që kanë, kanë
    interferuar në proceset e konkurrimeve në përzgjedhjet e drejtorëve, siç është rasti në Qendrën
    Klinike Universitare të Kosovës, por nuk janë marrë me problemet dhe me ankesat e punëtorëve
    dhe qytetarëve, të cilëve u shkelet e drejta e tyre e punës.
    Puna e mirë e Inspektorati të Punës do të ndikonte në zbatimin e Ligjit të Punës dhe ligjeve të
    tjera të cekura më lart dhe kjo jo vetëm që do të ishte në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të
    punëtorëve, por do të ndikonte edhe në luftimin e informalitetit dhe zvogëlimin e papunësisë.
    Nuk ka zhvillim ekonomik pa respektim të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat. Ky sektor
    do të ishte atraktiv për punëkërkuesin vetëm atëherë kur të respektohen ligjet në fuqi dhe
    respektohen të drejtat e punëtorëve.
    Prandaj, duke parë këto shkelje të të drejtave të punëtorëve, së bashku me kolegen në
    bashkëpunim edhe me deputetë të tjerë kemi nxjerrë disa rekomandime, të cilat pres që të
    plotësohen nga ju, të nderuar kolegë deputetë. Prandaj më lejoni të lexoj që në fillim
    rekomandimet që mendoj se duhet të votohen në fund të këtij debati:
    - Obligohet Inspektorati i Punës që të kryejë inspektime efektive në të gjithë sektorët,
    - Të bëjë monitorimin e respektimit të të drejtave të punëtorëve në të gjitha ndërmarrjet publike
    dhe private dhe të gjitha raportet e inspektimeve dhe masat e shqiptuara t’i publikojë në ueb-
    faqen e Inspektoratit të Punës.
    - Deputetët e Kuvendi të Kosovës janë kundër çdo largimi kolektiv nga puna. Prandaj, kërkohet
    nga KEDS që t’i kthejë në vendet e tyre të punës 95 punëtorët e larguar në mënyrë kolektive në
    vitin 2016.
    - Të respektohet Kontrata Kolektive në të gjithë sektorët dhe në të gjitha ndërmarrjet.
    - Të respektohet Ligji i punës dhe Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe ligjet e tjera që
    rregullojnë të drejtat e punëtorëve, marrëdhëniet ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve.
    - Të funksionalizohet Këshilli Ekonomik Social i Kosovës dhe Këshilli Kombëtar për Sigurinë
    68
    dhe Shëndetin në Punë, duke u plotësuar me ekspertë të fushës përkatëse sipas ligjeve në fuqi,
    sepse këto këshilla nuk janë të plotësuara me kuadrat profesionale sipas ligjit.
    - Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale të aprovojë Strategjinë për mbrojtjen e të drejtave të
    punëtorëve dhe për sigurinë dhe shëndetin në punë.
    - Gjithashtu obligohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të rrisë kapacitetet e
    Inspektoratit të Punës, transparencën dhe llogaridhënien.
    - Inspektorati i Punës obligohet që çdo tre muaj të raportojë në Komisionin Parlamentar për
    gjetjet nga inspektimet, për nivelin e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve në Kosovë dhe të
    gjitha këto t’i raportojë para Komisionit Parlamentar. Faleminderit!
  • Faleminderit! Tani është radha e përfaqësuesve të grupeve politike. Në emër të
    Grupit Parlamentar të PDK-së, cili e keni fjalën? Abdyli nuk është, Mexhidja, nuk është këtu.
    Agim, ti nuk je në emër të grupit. Atëherë flisni me radhë, merrni dikush fjalën si deputet. Zoti
    Abdyl Ymeri e ka fjalën.
  • Faleminderit, nënkryetar!
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Sfida e cila po na përcjell nga viti në vit, edhe pse ka ndryshime, është niveli i lartë i papunësisë.
    Përqindja e të papunëve pa dyshim është më e larta në rajon dhe në Evropë.
    Kur flitet për ata që kanë pasur fatin të kenë një vend pune, pozita e tyre ende nuk është e
    kënaqshme, edhe pse kemi ligje të avancuara që rregullojnë këtë fushë dhe që janë sipas
    standardeve evropiane, por implementimi i këtyre ligjeve nuk është në nivelin e dëshirueshëm.
    Standardet në sektorin publik dhe privat nuk janë në përputhshmëri me standardet dhe konventat
    ndërkombëtare.
    Situata e të punësuarve në sektorin privat, krahasuar me atë të sektorit publik, është shumë më e
    rëndë, se shumica e të punësuarve në sektorin privat janë pjesë e ekonomisë joformale, e
    ekonomisë së zezës që është një fenomen tepër shqetësues dhe këta punëtorë janë të dëmtuar nga
    shmangiet e shpeshta fiskale.
    Ende ka të punësuar në sektorin privat që punojnë pa kontratë pune, me orar të zgjatur të punës,
    pa të drejta për pushim ditor, pushimi javor ose vjetor, pa kompensim për punë jashtë orarit, pa
    sigurim në punë, pa pajisje mbrojtëse dhe pa të drejta fundamentale, të cilat rrjedhin nga
    instrumentet legale ndërkombëtare.
    69
    Një punonjës informal apo punëtor që punon në të zezën, është një punonjës i panjohur, pa asnjë
    të drejtë legjitime dhe, për rrjedhojë, nuk mund të monitorohet në kushte të tij, profilit të punës
    që do të thotë, nuk mund të flasim kurrsesi për një vend të denjë apo për kushtet të sigurisë dhe
    shëndetit në punë.
    Po ashtu kemi pasur raste dhe aksidente të rënda në punë dhe në forma të ndryshme është tentuar
    që të fshihen rastet e tilla, por kanë qenë mediat ato që i kanë dhënë fund heshtjes dhe fshehjes së
    aksidenteve të rënda, e në disa raste tragjike, edhe me humbje jete, duke i shfaqur pamjet në
    media të shkruara dhe elektronike.
    Shtrohet pyetja: çfarë ndihme marrin këta punëtorë dhe familja e tyre pas këtyre aksidenteve,
    nëse nuk janë të siguruara, nuk kanë kontratë pune?
    Pronari ka pushtet thuajse absolut mbi punëtorët dhe në rrethana të mosinspektimit nga ana e
    inspektorëve të punës, ai bëhet zotërues konkret i fatit të punëtorëve brenda orarit të punës.
    Ky pushton buron edhe nga niveli i lartë i papunësisë që është në vendin tonë. Çka ndikon që
    organizimi dhe rezistenca aktive punëtore të jetë inekzistente, ose në rastet më të mira
    rudimentare.
    Si të tejshfrytëzuar dhe të nënshtruar në marrëdhëniet e punës, punëtorët fitojnë nga puna e tyre
    të ardhura të pamjaftueshme për të bërë një jetë shoqërisht të dinjitetshme.
    Shumë shpesh më ka rënë të dëgjoj se nuk ka punëtorë të mirë dhe që nuk donë të punojnë.
    Unë them se ka punëtorë të denjë dhe profesionistë të shumtë, vetëm se donë të trajtohen si duhet
    dhe paga dinjitoze, për të mbajtur familjet e tyre, po pse i njëjti punëtor që nuk ka punuar këtu, e
    që del në vendet perëndimore, është punëtori më i zellshëm? Sepse trajtohet si duhet dhe ka të
    ardhura të mjaftueshme për t’i përmbushur obligimet familjare.
    Konsideroj se ata që merren me këtë fushë duhet të kenë një studim, një analizë dhe ekspertizë
    për tri gjëra esenciale të punëtorëve.
    E para, mbi kushtet e jetës së punëtorëve, për të parë përballueshmërinë e jetës nga paga që e
    fiton dhe sa i përmbushet kërkesa familjes në përgjithësi.
    E dyta, kushtet të punës: në çfarë kushtesh dhe në ç’ambient e kryen punën, shkalla e rrezikut
    shëndetësor në punë, raportet pushtetore me pronarin dhe mbikëqyrësit, marrëdhëniet mes
    punëtorëve dhe vështirësitë e organizimit sindikal, njohjen dhe zbatimin e të drejtave që burojnë
    70
    nga kuadri ligjor. Sepse në të dy sektorët, edhe atë publik dhe privat, kemi raste ku punëtorët i
    nënshtrohen një presioni për arsye të ndryshme.
    Dhe e treta, kemi aspektin botëkuptimor, i cili është kufizuar në njohjen e ndërgjegjes punëtore
    mbi konceptet si shfrytëzim në punë, barazia dhe mundësia e vetë administrimit të ndërmarrjeve.
    Institucionet tona që merren me këtë fushë duhet të bëjnë inspektime të shumta në mënyrë që të
    kemi sa më pak punëtorë që punojnë në të zezën dhe pa kontrata pune.
    Gjatë inspektimit të fokusohen më shumë te të drejtat e punëtorëve që garantohen me
    legjislacionin e punës, zbatim korrekt të kontratës së punës, e cila rregullon marrëdhënie në mes
    të punëdhënësit dhe punëmarrësit, kontrollet në drejtim të respektimit të orarit zyrtar, pagesës për
    orët jashtë orarit, pagesën e një page më të denjë dhe moslejimin e pagës nën atë minimale, po
    ashtu të kërkohet të rritet standardi i sigurisë dhe i shëndetet në punë, për të krijuar kushte më të
    sigurta pune sikurse dhe një ndërgjegjësim më të madh të vetë punonjësve për të kërkuar masa të
    duhura teknike që të ruajnë jetën e tyre.
    Sipërmarrësit duhet të investojnë më shumë për sigurinë në punë, për vetë faktin se kostoja e
    parandalimit të një aksidenti është gjithnjë më lirë se sa kur aksidenti ndodh. Duke pasur gjithnjë
    në konsideratë edhe aspektin human të dëmtimit të njeriut, apo për më keq, akoma për humbjen e
    një jete njerëzore. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zoti Zemaj e ka fjalën.
  • Faleminderit, i nderuar nënkryetar!
    Kolegë deputetë,
    Zoti ministër,
    Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka shqyrtuar edhe pjesën e kërkesës së
    debatit nga dy deputetët, por edhe ka trajtuar me vëmendje të veçantë edhe rekomandimet që
    edhe u lexuan. Shumica nga to janë pjesë edhe e diskutimeve të përditshme, por edhe kërkesave
    dhe nevojave që kanë çështjet që kanë edhe me respektimin e të drejtave të punëtorëve në
    sektorin privat, por edhe në sektorët e tjerë në Republikën e Kosovës, duhet të kenë trajtim
    adekuat ligjor.
    Tanimë është evidente që këto të drejta të punëtorëve në disa sektorë të caktuar, sidomos në
    sektorin privat, nuk respektohet, nga e cila përpos humbjeve financiare, kemi edhe raste të rënda
    të shfrytëzimit të paligjshëm të tyre, jo rrallë herë shumë nga këto kategori kanë pësuar edhe në
    shëndet dhe jetë.
    71
    Nevoja për punë ka bërë që shumë nga këta të mos bëhen pjesë e raportimit të shkeljeve të këtyre
    të drejtave dhe kjo na jep një arsye shtesë që organet kompetente, përpos obligimit ligjor që kanë
    në kryerjen e detyrave, të shtojnë aktivitetin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
    Pjesë të tjera, apo sektorë të veçantë që përmendëm, sidomos pjesa e sektorëve që kanë kaluar
    nga sektori shoqëror në atë privat, është tregues i qartë se institucionet e Kosovës nuk kanë qenë
    të vëmendshëm apo nuk kanë mundur t’u përshtaten kërkesave dhe mbrojtjes së të drejtave të
    këtyre punëtorëve, qoftë në mosrespektimin e Kontratës Kolektive, por qoftë edhe në
    mosrespektimin e Ligjit të punës dhe Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, edhe ligjet e tjera që i
    rregullojnë këto të drejta.
    Andaj, krahas rekomandimeve që janë dhënë, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të
    Kosovës kërkon që Inspektorati i Punës jo vetëm të rrisë transparencën dhe llogaridhënien, por
    duke rritur numrin e punëtorëve dhe duke iu përshtatur një herë kërkesave të tyre edhe në
    raportim, por mbi të gjitha, edhe vënies para drejtësisë të gjithë ata që i shkelin këto të drejta në
    mënyrë permanente, qoftë në përjashtim jo të drejtë ligjor nga puna, qoftë në shkeljen e orarit të
    punës dhe, mbi të gjitha, mosrespektimin e shëndetit dhe jetës së tyre në punë.
    Andaj, nëse është e nevojshme do të kemi qasje konstruktive në harmonizimin e këtyre
    rekomandimeve, edhe pse është tregues i qartë që këto rekomandime e plotësojnë edhe kornizën
    e kërkesave të vazhdueshme që kanë pasur deputetët apo që kanë ngritur deputetët karshi këtyre
    çështjeve jo rrallë herë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
    Ajo çka është thënë dhe neve si na është dhënë si informacion edhe nga vetë Ministria e Punës
    dhe e Mirëqenies Sociale, është një tregues i rritjes së këtij kujdesi, ta quaj kështu, është një
    tregues i rritjes edhe i kërkesave që kanë dalë, rritjes së kapaciteteve të Inspektoratit të Punës,
    por njëherësh rritjes së llogaridhënies dhe përgjegjësisë që njerëzit që ankohen të marrinë
    përgjigje në afate sa më të shkurta kohore. Besoj që këto do të jenë pjesë e shpjegimit edhe nga
    vetë ministri.
    Kështu që Grupi Parlamentar i LDK-së i përkrah këto rekomandime, besoj që edhe deputetët e
    tjerë, qoftë në aspektin ligjor, qoftë edhe në aspektin kohor të kërkesave për implementimin e
    këtyre rekomandimeve do të jenë koshientë ndaj këtyre kërkesave, të cilat janë shumë të drejta
    që njerëzit që mos pësojnë për shkak të mosrespektimit të ligjit, apo mbi të gjitha, për shkak të
    nevojës që kanë për punë dhe për jetë më të mirë. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zoti Topalli e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    Të nderuar deputetë,
    72
    Nëse në Kosovë ka një grup qytetarësh, i cili është krejtësisht i pambrojtur, i diskriminuar në
    formën më të vrazhdë të tij, i trajtuar pa dinjitet, i përçmuar, i zhveshur nga të drejtat elementare
    të njeriut, i shfrytëzuar në maksimum dhe i paguar në minimum, ky grup janë punëtorët e
    Kosovës. Kush janë këta qytetarë? Janë kryesisht punëtorë ndërtimi, shitës dhe shitëse në
    dyqane, në pompa të benzinës, pastrues dhe pastruese, janë punëtorë që merren me ndërtimin e
    rrugëve, kanalizimeve, janë punonjës furrash, fabrikash, punëtorë të KEK-u, “Bechtel&Enka”, të
    aeroportit, janë kamerierë e kameriere, janë kuzhinierë, taksistë, elektricistë, shoferë, molerë,
    kopshtarë, teknikë medicinalë, janë rojë në ndërmarrje private të sigurimeve, berberë, kujdestarë
    fëmijësh, pra janë të gjithë ata që punojnë punë të rënda fizike dhe ofrojnë shërbime, pa të cilat
    nuk do të funksiononte jeta publike, madje pjesërisht as private në Kosovë. Cilat janë problemet
    e tyre?
    Për ta kuptuar skllavërimin e punëmarrësve të Kosovës nuk ka nevojë për të cituar statistikat, për
    të prezantuar hulumtime të ndryshme. Mjafton të ndaleni në një punishte ndërtimtarie, të
    bisedoni me një shitës në shitore apo në një pompë benzine, të diskutoni me një kopshtar dhe do
    të kuptoni shumë shpejt se të gjithë ata njerëz kanë të njëjtat probleme, e këto janë: orari i gjatë i
    punës, puna pa pushim vjetor, moskompensimi i orëve shtesë, moskompensimi i punës gjatë
    natës, ditëve të vikendeve, festave, pushimit të lehonisë, pagesës sipas kualifikimit, rroga të
    ndryshme mes grave dhe burrave për shërbime të njëjta, pagat minimale, moskompensimi i
    pushimit vjetor mjekësor, fatkeqësisë në punë, kushtet e rënda të punës në kundërshtim me
    Ligjin e punës dhe një varg problemesh të tjera, të cilat punonjësve të Kosovës u janë të njohura.
    Mjafton t’u hedhim një sy kushteve të punës në ndërmarrjen “Bechtel&Enka” si një prej
    punëdhënësve të mëdhenj, për ta kuptuar se sa i diskriminuar dhe sa i skllavëruar është punëtori
    në Kosovë. 12 orë punë në ditë, një racion ushqimor, një ditë pushim në muaj, kush lëndohet
    largohet nga puna, kush mbetet invalid nga lëndimi, nuk merr dëmshpërblim.
    Vetëm gjatë tre muajve të fundit kemi pasur gjashtë të vdekur nga fatkeqësitë në punë. Nëse
    vazhdon ky trend, deri në fund të vitit, së paku kështu thonë ekspertët, do të kemi edhe 20 të
    vdekur në fatkeqësitë e punës.
    Rasti i fundit është ai i punëtorit të ndërtimtarisë në Prishtinë, Asllan Asllani, nga Drenasi, 41-
    vjeçar, baba i dy fëmijëve, veteran i UÇK-së, i cili në pamundësi për të jetuar me ndihmën, me
    lëmoshën prej 170 eurosh dhe ja çfarë keni bërë me veteranët e luftës, është detyruar të punojë në
    ekonominë informale për të siguruar ushqimin, për t’i siguruar mbijetesën familjes dhe fëmijëve
    të tij. Por, kush është fajtor për këtë situatë dhe marrëdhënies skllavopronare në punë? Kush
    është fajtor për orarin e gjatë 10, 12, 14 orë në ditë, për moskompensimin e orëve shtesë, për
    punën pa pushim vjetor, për një ditë pushimi në javë, e të shumë të tjerëve, një herë në muaj?
    Kush është fajtor që s’kemi siguri në punë? Kush është fajtor për rrogat minimale? Kush është
    fajtor që nuk kompensohet pushimi mjekësor, që nuk merret dëmshpërblim për lëndimet dhe
    73
    kush është fajtor që nuk zbatohet Ligji i punës? Kush tjetër: fajtor është Qeveria e Kosovës. Pse
    është fajtore Qeveria e Kosovës? Është fajtore për shkak që për 38 komunat e Kosovës ka
    punësuar vetëm 52 inspektorë, që i bie për çdo komunë të ketë mesatarisht nga 1.3 inspektorë të
    punës, të cilët e kanë për detyrë të kujdesen që të zbatohet Ligji i punës. Me 52 inspektorë në
    Kosovë nuk mund të sigurohet kurrë zbatimi i Ligjit të punës.
    Edhe pse Ligji i punës ka shumë mangësi, ai paraqet një bazë solide për të drejtat e punëtorëve.
    Por Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar që as kjo bazë solide e ligjit të zbatohet.
    Duke mos u angazhuar për zbatimin e Ligjit të punës, ajo është kontribuuesi kryesor për rritjen e
    informalitetit në ekonomi dhe, në të njëjtë kohë, sponzoruesi kryesor i shkeljes së të drejtave të
    punëtorëve.
    Informaliteti në ekonomi, nga njëra anë, krijon bazë për shkeljen e të drejtave të punësuarve dhe,
    nga ana tjetër, dëmton buxhetin e Kosovës dhe kjo nënkupton më pak buxhet për zhvillim
    ekonomik, më pak buxhet për arsim, më pak buxhet për pensione, më shumë raste sociale dhe
    më pak ndihma sociale, më pak inspektorë dhe, në fund, përsëri me pak të drejta për punëtorët
    dhe më pak punëtorë në tregun e punës.
    Kur mungon kontrata në ekonominë informale apo kur ajo përpilohet jashtë Ligjit të punës,
    subjekti më pak i fuqishëm dhe më shumë i varur, në këtë rast, punëtori, është pala e dëmtuar,
    sepse raporti mes punëtorit dhe ndërmarrësit nuk është me raport vullnetar mes dy subjekteve të
    barabarta që kanë obligime karshi ligjit dhe obligime karshi njëri-tjetrit.
    Ky raport, duke e pasur parasysh krizën e varfërisë, kthehet një raport skllavërues, ku
    punëmarrësi dhe vullneti i tij është të njëjtën kohë ligj, kushtetutë, shtet.
    Punëtori e ka mbrapa familjen, duhet ta sigurojë ekzistencën e saj, ai është i gatshëm të pranojë
    gjithçka për të munduar ta sigurojë mbijetesën, edhe pse është i vetëdijshëm që trajtimi i tij është
    në kundërshtim me ligjin.
    Tani, nëse ne vërtet dëshirojmë të mbrojmë të drejtat e punëtorëve, duhet ta bëjmë këtë me katër
    hapa që janë vendimtarë:
    1. Të ndryshohet Ligji i punës për t’i shtuar të drejtat e punëtorëve aty ku me ligj janë të
    cunguara,
    2. Të zbatohet Ligji i punës,
    3. Të garantohet zbatimi i tij nëpërmjet rritjes së numrit të inspektorëve të punës dhe,
    74
    4. Të krijohet një gjykatë e punës, e cila merret vetëm me rastet e shkeljeve të të drejtave të
    punës, pa pasur nevojë për të pritur vite të tëra për t’i realizuar punëtorët e dëmtuar të drejtat që u
    takojnë me ligj.
    Çfarëdo përpjekje tjetër, çfarëdo rekomandimi pa plotësuar këto katër pika, do të ishte qarje me
    lot krokodili dhe një debat pas gati tre vjetësh bashkëqeverisjeje, një debat tri orësh dhe 30 ditë
    para zgjedhjeve që mund t’i kontribuojë ndoshta rritjes së votave, por jo të drejtave të
    punëtorëve.
  • Faleminderit! Zoti Pal Lekaj e ka fjalën.
    PAL LEKAJ: Faleminderit, kryesues!
    Qytetarë të Kosovës,
    Kolegë deputetë,
    Derisa Kosova ka kaluar nëpër zhvillime të ndërlikuara politike, të drejtat socio-ekonomike,
    përfshirë të drejtat e punëtorëve, nuk janë adresuar në mënyrë të përshtatshme, as në kohën e
    para pavarësisë, e as pas pavarësimit të vendit.
    Kosova ka popullsinë më të re në rajon dhe një popullsi që ka rritje më të shpejtë se çdo vend në
    Evropë.
    Të rinjtë meshkuj e femra nën moshën 25-vjeçare përbëjnë rreth 50% të popullsisë, nga të cilët
    rreth 20 janë të moshës 15 deri 24 vjet.
    Përveç që është niveli i lartë i papunësisë këtu, në mesin e të punësuarve, sidomos në sektorin
    privat, por nuk përjashtohet edhe ai publik, kemi raste të shumta ku nuk respektohen të drejtat e
    këtyre punëtorëve, si në aspektin e lidhjes së kontratave, të cilat fare nuk respektohen, po ashtu
    në drejtën për pagesë shtesë pas orarit të rregullt të punës, po ashtu edhe sigurimet shëndetësore
    shumë punëdhënës nuk ua paguajnë.
    Nuk duhet harruar edhe në rast të fatkeqësive gjatë punës askush nuk ua mbulon shpenzimet për
    shërim apo, larg qoftë, kur kemi raste me fatalitet gjatë punës. Askush nuk kujdeset më tutje për
    familjen e të punësuarit që pëson.
    Pra, Qeveria si organ përgjegjës për të implementuar ligjet që përkojnë me këtë sektor, mund të
    arsyetohet se i ka ligjet më të mira në rajon, në këtë drejtim, por këto ligje që i kemi nxjerrë ne
    në këtë Kuvend nuk po zbatohen në terren dhe si pasojë e moszbatimit të ligjeve ata që po e
    pësojnë më së shumti janë punëtorët që në kundërshtim me ligjin, e pa më të voglin shpërblim
    punojnë edhe më tepër se tetë orë në ditë dhe në kushte tejet të rënda, si në kuptimin e mjeteve të
    75
    punës, e po ashtu edhe kuptimin e klimës, ata punojnë edhe kur është shi dhe rreziku është më i
    madh, edhe kur është borë po ashtu, që mund të jetë rrezik për të rrëshqitur.
    Pra, kur flitet për të drejtat e punëtorëve, standardet në sektorin publik dhe privat nuk janë në
    përputhshmëri me standardet dhe konventat ndërkombëtare.
    Situata e punëtorëve në sektorin privat, krahasuar me atë të sektorit publik, është shumë më e
    rëndë, ngase shumica e të punësuarve në sektorin privat janë pjesë e ekonomisë joformale, e
    ekonomisë së zezë dhe janë të dëmtuar nga shmangiet e shpeshta fiskale.
    Nga rreth 400 mijë punëtorë në Kosovë, rreth 30% nga ta janë pjesë e ekonomisë joformale.
    Sipas Trustit Pensional të Kosovës, janë rreth 280 mijë punëtorë që paguajnë kontributet e tyre
    aktivisht, kjo nga të dy sektorët, publik dhe ai privat.
    Edhe pse, e thashë më lart, ligjet në Kosovë janë më të mira e Kushtetuta e Kosovës inkorporon
    në mënyrë indirekte konventa të shumta për të drejtat e njeriut, e rrjedhimisht për të drejtat e
    punëtorëve, ato prapë nuk respektohen ose nëse ndodh ajo, është me masë shumë të vogël.
    Elementi tjetër i dobët në fushën e punësimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve është
    trupi ekzekutiv i Inspektoratit të Punës, i themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut mbi Ligjin
    thelbësor të punës, me një ligj të veçantë mbi Inspektoratin e Punës të miratuar në vitin 2002,
    ndryshuar në vitin 2008.
    Që nga fillimi Inspektorati është ballafaquar me vështirësi në realizimin e kompetencave të
    caktuara dhe funksionalizimin si organizim struktural dhe mungesës së përkrahjes.
    Pra, këto arsye nuk kanë arritur të përmbushin funksionet dhe obligimet e saj të parapara me
    legjislacionin vendor dhe standardet me përgjegjësi, ILO-konventës nr. 81 dhe protokollit të saj
    nga viti 1995. Neni 3, pika 1 a e konventës përcakton se funksionet e sistemit të inspektimit të
    punës duhet të sigurojnë zbatimin e dispozitave ligjore lidhur me kushtet e punës dhe mbrojtjes
    së punëtorëve në vendin e punës. Dispozitat e tilla që lidhen me orë, pagesë, sigurimi, shëndet
    dhe mirëqenie, punësimin e fëmijëve dhe personave të rinj dhe çështjeve të tjera, deri në atë
    masë që dispozitat e tilla të zbatohen nga inspektoratet e punës.
    Kjo kërkon përkrahje të plotë nga institucionet qendrore, pra para së gjithash, duke krijuar kushte
    adekuate të punës dhe përkrahje optimale logjistike.
    76
    Duke marrë parasysh mungesën e kapaciteteve dhe ushtrimit të fuqive të sindikatave si dhe
    inspektorateve të dobëta, të cilat duhet t’i mbikëqyrin punëdhënësit, është e qartë se ka hapësirë
    të mjaftueshme për abuzim dhe shkelje të të drejtave.
    Dikush mund të thotë se ka pasur përparime në fushën e të drejtave të punëtorëve në Kosovës,
    ndoshta me paraluftën dhe mund të ketë krahasime të tilla dhe mund të vërehet një përparim, por
    nëse e krahasojmë me pasluftën ose me paspavarësinë, kemi ende sfida për t’u tejkaluar ky
    problem, e kjo ndodh për shkak të kompleksitetit të ligjeve dhe legjislacionit, në një anë, dhe
    implementimit të dobët, në anën tjetër.
    Nga të gjitha raportet që janë bërë e që bëhen për këtë segment vërehet një konflikt i normave, e
    cila vazhdon të mbetet një pengesë serioze për implementimin e plotë të dispozitave ligjore dhe
    shpesh krijojnë situata të paqarta dhe pasiguri kur flasim për mbrojtjen e të drejtave të
    punëtorëve.
    Është me rëndësi që të qartësohet Ligji i punës si dhe të sigurojë të drejtat e punëtorëve dhe të
    krijojë siguri të përgjithshme dhe mbrojtje më të mirë për punëtorët.
    Është obligim i autoriteteve dhe i kompanive të hartojnë dhe të zbatojnë rregullat përkatëse të
    procedurave dhe instruksione të tjera ligjore, në mënyrë që të përmbushin dispozitat e Ligjit të
    punës, kjo duhet të ndodhë në vazhdimësi.
    Institucionet publike duhet të jenë më aktive në promovimin dhe monitorimin e respektimin e të
    drejtave të punëtorëve, Inspektorati i Punës, Bordi Mbikëqyrës i Pavarur, gjykata, punëtorët
    socialë si dhe shoqëria civile duhet të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim.
    Në të njëjtën kohë institucionet administrative, siç është Inspektorati i Punës, si dhe institucionet
    juridike, në përgjithësi gjykatat, u mungojnë kapacitetet që të mbikëqyrin implementimin e
    ligjeve dhe të ushtrojnë detyrat e tyre sipas kompetencave të tyre për shkak të problemit me staf,
    përkrahje financiare dhe pajisjeve adekuate, të cilat janë çështje thelbësore.
    Duke marrë parasysh mungesën e kapacitetit të sindikatave për të ushtruar fuqi dhe dobësitë e
    përmendura me lart, është e qartë se mbikëqyrja dhe implementimi i Ligjit të punës mbetet një
    sfidë e vërtetë për institucionet vendore.
    Partnerët socialë si dhe shoqëria civile në përgjithësi, duke bërë këtë çështje temë diskutimi
    serioz për muajt dhe vitet në vijim. Faleminderit!
  • Faleminderit! Tani po vazhdojmë me zonjën Mexhide Mjaku- Topalli.
    77
  • TOPALLI: Faleminderit, nënkryetar!
    Të nderuar qytetarë,
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Kur jemi te debati rreth shkeljes së të drejtave të punëtorëve në Kosovë, opinioni publik për çdo
    ditë bombardohet me lajme për shkelje drastike të të drejtave të punëtorëve.
    Themi se me dhjetëra punëtorë iu nënshtrohen kushteve të rënda të punës në sektorin privat, u
    mungon edhe mbrojtja adekuate të cilët i humbin jetët e tyre, lëndohen dhe nuk gëzojnë asnjë
    benificion as në shërim, e as që mund ta gëzojnë të drejtën e pensionimit edhe pse ndodh që të
    kenë lëndime të rënda.
    Një numër i konsiderueshëm i punëtorëve në sektorin privat nuk kanë kontratë pune dhe nëse
    ndodh largimi i tyre nga puna, nuk kanë mundësi ankese. Por, edhe nuk u realizohet e drejta e
    kontributit pensional, po ashtu edhe orës shtesë nuk kompensohen.
    Problemet nga marrëdhënia e punës, siç janë mungesa e kontratave të punës, mosrespektimi i të
    drejtave të pushimeve, pushimit të lehonisë, siguria në punë, diskriminimet e tjera, të gjitha këto
    janë si pasojë që punëdhënësi t’u ikë tatimeve.
    Të nderuar deputetë,
    Është fatkeqësi që të drejtat e punëtorëve cenohen edhe në rastet kur ligji ka krijuar mekanizma
    të qartë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe atë në sektorin publik.
    Injorohen edhe vendimet e institucioneve kompetente, sikurse rasti i një të punësuare femër,
    Shqipe Zeqiraj-Emini, drejtoreshë në shkollën “Muharrem Shemsedini”, në Bibaj, Ferizaj, e cila
    padrejtësisht për shkaqe politike, edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore, nuk është
    pranuar në pozitën e drejtoreshës.
    Në ankesën e asaj organet kompetente kanë vendosur drejtësinë, duke i dhënë të drejtën personit
    në fjalë dhe duke obliguar institucionin arsimor në Kuvendin Komunal në Ferizaj që ta emërojë
    të drejtën e fituar.
    Në vendimin e parë aprovohet ankesa e Shqipe Zeqiraj-Emini, lidhur me vendimin vendit të
    punës drejtoreshë në shkollën “Muharrem Shemsedini”, më 16. 11. 2015 dhe vendimi i dytë më
    16. 2. 2016.
    Kjo femër akoma nuk është kthye në vendin e punës, këtë femër Komuna e Ferizajt e ka
    diskriminuar. Kjo femër troket dyerve të pushteteve politike duke kërkuar drejtësi.
    78
    E mora vetëm një shembull, por sigurisht se ka edhe shumë shembuj të tjerë nëpër sektorë të
    ndryshëm.
    Vendimet e mara nga institucionet kompetente lidhur me evitimin e shkeljeve të të drejtave të
    punëtorëve nuk po respektohen në raste si në sektorin publik, ashtu edhe privat.
    Kjo gjë na tregon se po na mungon mbrojtja e të drejtave të njeriut në fushën e punësimit.
    Andaj rekomandoj:
    Një: Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale nëpërmjet organeve të saja për zbatimin e ligjit
    të marrë masa kontrolluese si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat, që të zbatohet ligji
    dhe të respektohen të drejtat e të punësuarve në tërësi.
    Dy: Gjyqësori t’i trajtojë me prioritet të gjitha kontestet nga lëmi i punësimit si dhe të
    angazhohen në ndërgjegjësimin lidhur me të drejtat nga marrëdhënia e punës me qëllim
    parandalimin e diskriminimit, identifikimin e rasteve të cenimit të të drejtave nga marrëdhënia e
    punës, siç ishte edhe rasti i Shqipes, dhe vënia e drejtësisë në vend në rastet kur diskriminimi dhe
    shkeljet nga marrëdhënia e punës janë të pranishme. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zonja Besa Baftija e ka fjalën, le të përgatitet Agim Aliu.
  • Faleminderit, nënkryetar!
    Të nderuar deputetë,
    Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
    Aspirata për të mbrojtur dinjitetin e punëtorit në të gjithë sektorët paraqet thelbin e konceptit për
    të mbrojtur dhe të drejtat e njeriut.
    Kjo aspiratë duhet të vërë qenien njerëzore në qendër të interesit. Ekziston e ashtuquajtura
    ‘rregull e artë’, sipas së cilës njeriu duhet t’i trajtojë të tjerët ashtu siç dëshiron ta trajtojnë atë
    vetë.
    Por sa po trajtohen drejt punëtorët në sektorin privat nga ana e punëdhënësve kjo është larg kësaj
    thënie dhe asaj që obligojnë një sërë ligjesh që janë në fuqi e që rregullojnë këtë fushë.
    Meqenëse shkelja e të drejtave dhe diskriminimi i punëtorëve në sektorin privat është shumë i
    madh, ashtu siç u tha nga shumë deputetë, unë diskutimin tim e kam fokusuar në shkeljen e të
    drejtave dhe diskriminimin që po u bëhet punëtorëve në kompanitë private në sektorin e
    pastrimit, mirëmbajtjes, sigurisë e kuzhinës në institucionet publike e shëndetësore.
    79
    Të gjithë e dimë se këta sektorë kanë qenë shërbime në kuadër të institucioneve shëndetësore
    publike, e ka disa vjet që këto shërbime që kanë qenë në kuadër të spitaleve janë privatizuar, e
    nga privatizimi kanë përfituar vetëm pronarët dhe individë që janë përfshirë në këtë proces.
    Ndërsa punëtorët janë ata që po u shkelen të drejtat që u garanton Ligji i punës dhe kontrata që
    ata nënshkruajnë në fillim të punësimit.
    Çka është më e keqja, ndonëse të gjitha spitalet e përgjithshme janë nën ombrellën e Shërbimit
    Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, këto shërbime në disa spitale janë privatizuar, e në disa
    spitale janë në menaxhim të spitalit.
    Po ashtu, në të njëjtin spital ka punëtorë që kryejnë të njëjtin shërbim, por që kuptohet ata që janë
    të afërt me menaxhmentin marrin pagë nga spitali, ndërsa të tjerët janë në kompani private.
    Diskriminimi qëndron në atë se punëtorët, qofshin të sigurimit, të pastrimit, të mirëmbajtjes së
    kuzhinës nuk paguhen sikurse ata që marrin pagë prej spitalit derisa e bëjnë të njëjtën punë.
    Këtyre punëtorëve nuk u paguhet trusti pensional, nuk u paguhen festat, puna e natës, stazhi i
    punës, puna jashtë orarit. Për shembull, një punëtor në sektorin e pastrimit që punon në spital, që
    është në kuadër të kompanisë private, deri para pak muajsh ka marrë pagë 170 euro, tani kanë
    pagën 205. Ndërsa punëtorët e pastrimit që janë në kuadër të spitalit marrin pagë 280 euro, plus u
    paguhet puna e natës, festat, trusti, dallime të tilla ka edhe në sektorë të tjerë.
    Por, ajo çka është me rëndësi, nuk kemi dallime në shërbime, bile në disa spitale, ku këto
    shërbime janë me publikun, ka pastërti dhe rregull më të mirë, këtë e kemi parë dhe na e kanë
    thënë drejtorët e spitaleve të përgjithshme gjatë vizitave që i kemi bërë si Komision i
    Shëndetësisë gjatë monitorimit të Ligjit për shëndetësi.
    Këta punëtorë, ndonëse trajtohen shumë herë edhe si skllave, nuk kanë guximin të kërkojnë të
    drejtat e tyre që u garanton Ligji i punës apo kontrata e punës, sepse po ankove, dihet se
    automatikisht e humb vendin e punës. Pastaj nuk kanë ku të ankohen, sepse kemi mosorganizim
    të sindikatave të punëtorëve privatë, kemi sistem gjyqësor të kapur.
    Edhe atëherë kur u drejtohen menaxhmentit të spitaleve apo zyrtarëve ligjorë, përgjigja e tyre
    është se nuk kemi kompetenca dhe se gjithkund në kompanitë private punëtorët trajtohen në këtë
    mënyrë.
    Pra, në vend që të inkurajojnë që këta punëtorë të kërkojnë të drejtat e tyre që u takojnë me ligj,
    ata në një farë mënyre i dekurajojnë dhe i frikësojnë punëtorët se mund ta humbin edhe vendin e
    punës.
    80
    Është shumë e qartë pse ndodh kjo, kur dihet se edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, që është
    përgjegjëse për politika dhe organizimin e sistemit shëndetësor, nuk janë të interesuar për t’i
    zgjidhur këto padrejtësi, sepse është vetë Ministria e Shëndetësisë që ka bërë dhe bën padrejtësi
    të mëdha sa i përket punësimit, ndarjes së specializimeve, ku dihet se kriter për punësim dhe
    marrjen e specializimeve është të jesh militant i partisë politike që është në qeverisje.
    Prandaj, ky debat sot që e kanë iniciuar deputetët që vinë nga subjekti, i cili është një ndër
    shkaktarët kryesor të kësaj gjendjeje të rëndë të punëtorëve në sektorin privat, sepse privatizimi i
    egër është përkrahur po nga këta. Atëherë kjo lë të kuptohet se kjo po bëhet për fushatë. Por
    punëtorët, jo vetëm ata, tani më e dinë dhe e kanë të qartë se nuk do të mashtrohen, ashtu siç u
    mashtruan tash e sa vjet, e t’i përkrahin ato subjekte që i kanë sjellë në këtë gjendje, sepse
    privatizimi në përgjithësi në Kosovë ka qenë proces i dështuar.
    Nga ky proces kanë përfituar vetëm pronarët dhe individët që janë përfshirë në këto afera.
    Prandaj, ne, Lëvizja “Vetëvendosje” nuk e kemi vetëm të bëjmë fjalë në Kuvend, por ne kemi në
    programin tonë, në alternativën qeverisëse, se do të angazhohemi të kemi një vlerësim
    gjithëpërfshirës të procesit të deritashëm të privatizimit.
    Secili proces i privatizimit që rezulton në gjykatë si i parregullt, me shkelje ligjore, si rezultat i
    korrupsionit apo i mosrespektimit të kontratës dhe legjislacionit do të zhbëhet.
    Meqenëse kam ende kohë, më lejoni, të nderuar deputetë, që para jush të paraqes edhe një
    shqetësim rreth shkeljes së të drejtave të punëtorëve që ka të bëjë me punëtorët tanë, qytetarët
    tanë, të cilët deri në pension kanë punuar në Zvicër, e tani jetojnë në Kosovë.
    Mirëpo, siç e dini prej 1 prillit të vitit 2010 është bërë ndërprerja e njëanshme nga ana e Qeverisë
    së Zvicrës dhe këta punëtorë, këta qytetarë të Republikës së Kosovës nuk i marrin këto pensione,
    e kjo ka ndodhur nga neglizhenca që është shkaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kur
    dihet se të gjitha ish- republikat nga ish-Jugosllavia që kanë dalë kanë një marrëveshje që e kanë
    vazhduar me Qeverinë e Zvicrës, ndërsa është e vetmja Qeveria e Republikës së Kosovës e cila
    nuk e ka vazhduar.
    Në bazë të informacioneve që kemi, e të cilat informacione janë të sakta, tani Qeveria jonë është
    në negociata që të nënshkruajë një marrëveshje, marrëveshje e cila do të jetë e re dhe e cila
    shkon në dëm të këtyre qytetarëve, sepse këta qytetarë mund t’i marrin pensionet vetëm prej
    momentit kur kjo marrëveshje hyn në fuqi.
    81
    Prandaj, Qeveria jonë duhet të jetë syçelë kur është fjala për mundin, të cilin qytetarët tanë e
    kanë dhënë për vite të tëra në Zvicër dhe kjo i takon Qeverisë sonë që të negociojë në atë mënyrë
    që të mos bëjë shkelje të të drejtave të punëtorëve. Faleminderit!
  • Faleminderit! Fjalën e ka zoti Aliu.
  • Faleminderit!
    I nderuar nënkryetar,
    Ministër,
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Edhe pse tashmë kanë kaluar shumë vjet pas luftës, respektivisht mbi 17 vjet, në Republikën e
    Kosovës, në sferën e të drejtave të të punësuarve ende janë evidente shkeljet e tyre në shumë
    sfera, sidomos kur kemi të bëjmë në sektorin privat, ku mund të themi se ende na duhet shumë
    punë për të bërë në këtë drejtim.
    Edhe pse sa i përket legjislacionit të Republikës së Kosovës tashmë janë inkorporuar shumë
    direktiva të Bashkimit Evropian në ligjet bazike në fuqi, si në atë të Ligjit të punës, nr. 03/L-212
    të vitit 2010, por edhe të Ligjit për siguri dhe shëndet në punë nr. 04/L-161, mirëpo deri te
    zbatimi i tyre mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
    Shkeljet me të mëdha të të drejtave të punëtorëve janë evidente, sidomos siç u cek edhe nga
    shumë parafolës, në sektorin privat, por mund të themi se edhe sektori publik po ashtu nuk dallon
    shumë sa i përket shkeljes së të drejtave të punëtorëve.
    Te sektori privat ende ballafaqohemi me informalitet, ku ende në shumë subjekte afariste të
    punësuarit nuk janë të pajisur me kontrata të punës, pastaj kemi shkelje të të drejtave sa i përket
    orarit, respektivisht orar i stërzgjatur, mospagesa e orëve jashtë orarit të rregullt. Dihet se me ligj
    është paraparë orari i punës 40 orë në javë.
    Shkelja e të drejtave sa i përket pushimeve javore, atyre vjetore, të cilat në shumicën e rasteve
    shfrytëzohen pjesërisht, e asnjëherë siç parashihet me ligj, katër javë në vit.
    Pastaj është edhe mospagesa e ditëve të punës gjatë vikendeve apo ditëve të festave zyrtare e të
    tjera.
    Shkelje të mëdha të të drejtave të punëtorëve ka te kompanitë që kryesisht merren me shërbime
    të ndryshme, të cilat përveç orëve të gjata të punës, edhe pagat i kanë nën mesataren më të ulët, e
    dihet fakti se paga minimale e lejuar në Kosovë është 170 euro.
    82
    Kur gjithë kësaj i shtohet edhe mungesa e kushteve të sigurisë në punë, e sidomos në lëmin e
    ndërtimtarisë, ku kemi rrezikshmëri të lartë gjatë ekzekutimit të punimeve, jemi dëshmitarë që
    çdo vit kemi edhe aksidente në vendin e punës, qofshin ato me lëndime të lehta apo të rënda
    trupore, por edhe me fatalitet.
    Edhe kur kësaj i shtohet mungesa e sigurimeve shëndetësore, kjo e vështirëson ende më shumë
    gjendjen edhe ashtu të rënduar të të drejtave të të punësuarve. Tashmë, fatkeqësisht, qysh në
    fillim të vitit kemi edhe gjashtë raste me fatalitet.
    Të punësuarit në këtë sektor edhe në sektorët e tjerë, ku rrezikshmëria është e lartë, nuk janë të
    pajisur siç duhet me pajisje personale, mbrojtëse, të punësuarit nuk janë të trajnuar për punët
    specifike që i bëjnë.
    Prandaj, duke pasur parasysh këtë nivel të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve konsideroj se
    Inspektorati i Punës, si organ i cili mbikëqyr zbatimin e Ligjit të punës, duhet t’i ngrejë
    kapacitetet, respektivisht të shtojë numrin e inspektorëve të punës, pastaj të ngrejë efikasitetin
    dhe cilësinë e inspektimeve që bën.
    Në Republikën e Kosovës me numrin 50 apo 52 inspektorëve sa janë aktualisht, është absolutisht
    e pamjaftueshme që kjo gjendje e të drejtave të punëtorëve të ndryshojë për të mirë.
    Po ashtu është e nevojshme edhe bashkëpunimi edhe bashkërendimi i të gjithë aktorëve
    relevantë, duke përfshirë edhe organizimet sindikale, shoqërinë civile dhe të punësuarit që të
    gjitha shkeljet e të drejtave të të punësuarve t’i drejtojnë tek organet kompetente, sepse heshtja e
    këtyre problemeve vetëm sa do t’ua zgjasë jetën këtyre shkeljeve ligjore. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zonja Demaku e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    Është e qartë që në Kosovë është shumë e vështirë të gjesh punë, pikë së pari, e pastaj bëhet po
    aq e vështirë të jesh edhe punëtor, nga se në secilin fushë punëtorët pësojnë diskriminim të një
    lloji apo tjetër.
    Po ashtu është fare e qartë se ndër kategoritë më të diskriminuara janë gratë e punësuara, e në
    mesin e tyre pastaj diskriminim të theksuar pësojnë nënat e reja që ushqejnë fëmijët e tyre me gji.
    Nga takimet, bisedat dhe komunikimet e ndryshme me shumë nëna të reja kam kuptuar se një
    numër fare i vogël prej tyre janë në dijeni se ekziston Ligji për mbrojtjen e të ushqyerit me
    qumësht gjiri. Shumë nëna ose e kanë ndërprerë gjidhënien, ose kanë qenë të detyruara të lënë
    vendin e punës për të vazhduar të ushqejnë foshnjën me qumësht gjiri.
    83
    Nënat e reja që i ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri dhe i kthehen punës pas pushimit të lehonisë
    ankohen për kushtet në vendet e punës, mungesë fleksibiliteti dhe mirëkuptimi nga ana e
    punëdhënësve për një detyrim të natyrshëm dhe thelbësor që vjen bashkë me të qenit nënë.
    Edhe këtu nuk po flas për rastet kur fëmijët janë të sëmurë apo në një gjendje tjetër ku prania e
    nënës bëhet e domosdoshme për foshnjën, pra po flas për të drejtën elementare: të ushqyerit e
    foshnjës.
    Ato po ashtu ankohen se detyrohen të punojnë në kushte të vështira duke iu ekspozuar
    produkteve të rrezikshme, orareve të stërzgjatura pa pagesë shtesë dhe ekspozimi ndaj stresit të
    lartë që po ashtu ndikon në shëndetin e tyre.
    Këto nëna, përveç sfidave të shumta me të cilat përballen, detyrohen që për të ruajtur vendin e
    punës ta privojnë veten e tyre dhe foshnjën nga e drejta e garantuar me konventa ndërkombëtare,
    e tani edhe me ligj të Republikës së Kosovës.
    Kjo tregon se Qeveria ka bërë fare pak apo, thënë më mirë, hiq për sensibilizimin e opinionit
    lidhur me ekzistimin e Ligjit për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri.
    Në këtë rast nuk janë njoftuar as nënat, e me sa duket, as punëdhënësit.
    Së dyti, kjo po ashtu tregon se edhe ata punëdhënës që janë në dijeni për dispozitat e këtij ligji, e
    heshtin atë nga se duan të përfitojnë në maksimum nga punëtoret gra, pa u dhënë pauzat e
    garantuara me pagesë.
    Dua të marr shkas nga ky debat që t’ua citoj edhe një herë nenin 5 të këtij ligji që ta dinë edhe
    punëdhënësit, edhe nënat që i ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri, se ka dispozita ligjore që i
    mbrojnë ato, në të cila dispozita edhe mund të thirren për të realizuar të drejtat e veta dhe të
    foshnjave të tyre.
    Neni 5 i këtij ligji thotë si vijon: “Secilës grua të punësuar që ushqen foshnjën me qumësht gjiri i
    takojnë të gjitha të drejtat e garantuara me legjislacionin përkatës në fuqi në Kosovë. Çdo e
    punësuar që e ushqen foshnjën me qumësht gjiri, nëse nuk e shfrytëzon pushimin e lehonisë pas
    muajit të gjashtë të tij dhe sipas dispozitave përkatëse ligjore në fuqi, prej muajit të gjashtë deri
    në një vit ka të drejtën e pushimit me pagesë në kohëzgjatje prej dy orëve në ditë brenda orarit të
    punës, duke mos përfshirë pushimin e rregullt, pra pauzën, gjatë orarit të punës, për ta ushqyer
    foshnjën me qumësht gjiri, siç është përcaktuar me këtë ligj”.
    Pika 3, e nenit të 5: “Çdo e punësuar që e ushqen foshnjën me qumësht gjiri pasi vitit të parë deri
    në dy vjet, ka të drejtën e një ore në ditë pushimin me pagesë brenda orarit të punës për ta
    84
    ushqyer foshnjën me qumësht gjiri, duke mos përfshirë pra prapë pauzën, pra pushimin e rregullt
    që është brenda orarit të punës.
    Dhe pika 4, e nenit 5, thotë: “Çdo e punësuar që ushqen foshnjën me qumësht gjiri pushimi me
    pagesë në kohëzgjatje prej 1 apo 2 orëve në ditë brenda orarit të punës e shfrytëzon në fillim, në
    mes apo në përfundim të orarit të punës në marrëveshje me punëdhënësin dhe për këtë e njofton
    me shkrim punëdhënësin bashkë me vërtetimin e mjekut se e punësuara është në gjidhënie”.
    Pra, le të marrim shkas nga ky debat që edhe një herë ta vëmë në dijeni edhe nënën, por edhe
    punëdhënësin kudo që janë, që ekzistojnë këto dispozita ligjore dhe le të jetë kjo një thirrje për
    nënat që ta shfrytëzojnë këtë ligj dhe një thirrje për punëdhënësit dhe për Qeverinë që të
    insistojnë në zbatimin e tij. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zoti Shaip Muja e ka fjalën, përgatitet zoti Ismajl Kurteshi.
  • Zoti Haliti, faleminderit! Edhe pse po duket i varfër nga përbërja qeveritare kjo
    seancë, edhe nga përbërja e deputetëve, megjithatë është një temë shumë e rëndësishme të
    diskutohet dhe të adresohen problemet, të cilat nuk e besoj që kjo seancë do t’i përmbushë ato që
    duhet ne të përkujdesemi dhe shpresoj që edhe shefat e grupeve parlamentare do të kthehen këtu
    dhe t’i marrin obligimet, të cilat mund t’i adresojnë pranë deputetëve.
    Nga kjo që po thonë kolegët tonë jepet përshtypje që ne kemi një adresim vetëm në tregun privat
    dhe po e harrojmë edhe tregun publik, edhe ky që është publik që punëson, është një lloj tregu.
    Por, po i harrojmë edhe të dhënat, të cilat Banka Botërore në vitin 2015-2016 e nxjerr Kosovën
    me 35 deri 38% në treg informal. Çka do të thotë? Nga 700 mijë vetë, minimum 30%, ose 38%,
    pra diku 260 mijë veta punojnë të paregjistruar dhe për t’iu nënshtruar sigurimeve sociale, edhe
    mbrojtjes në punë. Por, cilët janë faktorët? Janë faktorët, të cilët me hile i bën Qeveria që nga viti
    2013, deri më 2014 ka qenë në alert Qeveria që të rritet paga minimale e punonjëse.
    Sot në sistemin e Kosovës ka pagë, e cila nuk është e tolerueshme, është më e ulëta në Ballkan,
    nga 135 deri në 170 euro paga minimale, që nuk lejohet, sepse aq e përkrah Ministria e Çështjeve
    Sociale. Nga aspekti i keqpërdorimeve në tregun privat, unë mendoj që mungojnë mekanizmat
    informues të punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ne duhet të investojmë, t’i edukojmë edhe
    punëdhënësit, edhe punëmarrësit për benefitet që të jenë të punësuar në mënyrë legale, t’u
    nënshtrohen taksave dhe benefiteve konform ligjeve, të cilat i kanë parashtruar edhe kolegët tonë
    për debat.
    Në sektorin publik Republika e Kosovës, konkretisht Qeveria e Republikës së Kosovës mashtron
    punonjësit dhe momentalisht ka 5 mijë deri në 6 mijë persona kjo Qeveri që i ka punësuar në
    kontratë mbi vepër. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë një mashtrim i momentit, për militantët
    85
    politikë, për t’i arritur qëllimet votuese. Këto nuk janë politika për nevoja publike, por janë
    politika votuese që përkthyer në esencë, janë politika mashtruese. Prandaj, këto janë adresimet,
    të cilat ne duhet t’i adresojmë dhe t’i gjejmë si fakte, të cilat ne duhet t’i ngremë edhe në
    rekomandime për të ardhmen.
    Problemet e mekanizmave kontrollues, nëse në shkallë vendi, në shkallë republike janë 50
    inspektorë, për komunë i bie 1.3 inspektorë. Ata po të jenë ‘spiderman’ nuk mund të kontrollojnë
    sistemin e funksionimit, sepse nuk janë të përcaktuar inspektorët e punës vetëm për sistemin
    privat. Sistemi privat e mban Republikën e Kosovës, nuk e mban sistemi publik. Edhe në
    sistemin publik ka ngecje të kontrollit, të trajtimit, të hedhjes nga puna. Ne në pikën e kaluar e
    patëm për Avokatin e Popullit që i kanë ngritur shumë shqetësime për nxjerrjen nga puna të
    njerëzve në mënyrën si të ishte private institucioni publik, pavarësisht a është ministri, a është
    komunë, a çka është. Prandaj, ky trajtim ka krijuar një demotivim për të mos pasur interesim as
    në nivelin publik, as në nivelin privat. Në orientimet, të cilat thuhet se raportohen nga
    Inspektorati i Punës, Ministria e Çështjeve Sociale, e cila nuk i ka përmbushur obligimet, për
    mrekulli është duke përdorur politika spekulative për votuesit, e duhet ta dinë fort mirë votuesit e
    Republikës së Kosovës, duke filluar nga pensionistët, nga Agjencia e Punës, duke filluar nga
    organogrami që e ka brenda, se është duke i përdorur në mënyrë perfide politikat, të cilat janë më
    shumë interes të votuesve se sa në interes të shërbimit publik dhe privat.
    Prandaj, në këtë pikë ka ngecje. Unë e kuptoj buxhetin e Republikës së Kosovës që është i
    ngecur, por nuk është e tolerueshme forma çfarë përdoret në këto politika. Prandaj, shpresoj që
    në rekomandimet e paraqitura, pavarësisht në disa institucione që u përmendur këtu, me theks të
    veçantë edhe në
  • i është privatizuar, është e vërtetë, por është keqpërdorues i madh
    i nevojave tona për energji dhe i klasës punëtore brenda në KEDS. Ne nuk mund ta lejojmë
    KEDS-in të bëhet një sjellës i pakontrolluar mbi të drejtat e punëtorëve. Janë të drejtat e
    garantuara universale me ligjet e Republikës së Kosovës dhe, si të tilla duhet të jenë të adresuar
    si shqetësim serioz për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duhet të jenë të adresuara si
    shqetësim serioz për punonjësit, për deputetët e Republikës së Kosovës, edhe të këtij Parlamenti.
    Prandaj, ne nuk duhet t’i lëmë vetëm tema në televizion, por duhet t’i trajtojmë si tema në
    komisione, t’i trajtojmë si tema jo vetëm sa për të kaluar një debat, por t’i shtjellojmë në mënyrë
    komplekse.
    Në fund, unë besoj që meqenëse ministri ka mbetur i vetmuar këtu pa Qeverinë, të mos i marrë si
    adresime personale. Unë e di që janë përpjekje ekzistenciale të kësaj qeverie që të shtyjë një ditë
    më shumë qeverisjen, sepse kjo qeverisje nuk i ka përmbushur të arriturat dhe vlerësimet e njëjta
    i kanë edhe deputetët, kolegët e mi nga LDK-ja, të cilët me grimasat e tyre m’i miratojnë, po s’i
    sheh kamera dhe në këtë mënyrë, unë shpresoj që një formatizim sa më i shpejtë politik i
    86
    strukturës politike në Republikën e Kosovës do të sjellë një shpresë më të madhe për udhëheqjen
    e Republikës së Kosovës. Faleminderit!
  • Faleminderit! Sot është data 19, më 1 Maj është Dita e Punëtorëve, mund të
    dalësh në protesta. Zoti Ismajl Kurteshi e ka fjalën.
  • Faleminderit!
    Në Kosovë nuk janë në hall vetëm të papunësuarit, ose edhe ata që i kanë humbur vendet e tyre
    të punës si rezultat i privatizimit të egër, edhe pse kishin kaluar shumë vjet në punë dhe kishin
    kontribuuar shumë për zhvillimin ekonomik të këtij vendi.
    Edhe pse kjo kategori, pra të papunësuarve, edhe të atyre që i kanë humbur vendet e punës është
    në pozitë më të rëndë. Edhe të punësuarit në sektorin privat përballen me shumë padrejtësi, si për
    shembull: orari i zgjatur i punës, punë pa asnjë ditë pushimi në javë, mohim i të drejtës për
    pushim vjetor, për pushim të shtatzënisë, mungesë e mbrojtjes në punë, kushtet e rënda të punës,
    të ardhurat nën çdo nivel, e shumë padrejtësi të tjera që ndodhin para syve të institucioneve të
    shtetit që paguhen për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe sindikatave që në këtë sektorë nuk
    u lejohet veprimtaria.
    Shkelja më e rëndë e të drejtave të punëtorëve konsiderohet punësimi informal, pra
    mosevidentimi i punëtorëve dhe mospagesa e asnjë lloj kontributi për këtë kategori nga ana e
    punëdhënësve. Këta punëtorë nuk gëzojnë asnjë të drejtë, shpesh largohen nga puna pa i paguar
    për punën që e kanë kryer. Derisa të punësuarve legalë shpesh u lëshohen nga dy kontrata pune:
    njëra për ta prezantuar para inspektorëve të punës, nëse rastësisht ndodh që inspektorët
    ndonjëherë në vend të darkave dhe drekave, të merren me kontratat e tyre. Ajo është në përputhje
    me ligjin, pra kontrata e parë e punës, po që nuk zbatohet në praktikë dhe tjetra, pra kontrata
    interne që vihet në jetë dhe praktikë, e që është në kundërshtim me ligjin.
    Punëtorët informalë nuk kanë fare kontratë pune, askush nuk e di numrin e tyre të saktë, por
    dihet se janë shumë. Ata i hasim në shumicën e kompanive, ky fenomen është i njohur për të
    gjithë, përveç për inspektorët e korruptuar të punës, të cilët nuk janë të interesuar t’i zbulojnë
    punëtorët informalë, siç nuk janë të interesuar të zbulojnë as shkelje të tjera që kanë të bëjnë me
    të drejtat e punëtorëve, si për shembull, mosimplementimin e vendimit të gjykatave për kthimin
    në punë të punëtorëve të larguar padrejtësisht nga puna ose të atyre që nuk i fitojnë vendet e
    punës për shkak të manipulimeve me konkurse nga punëdhënësit, në këtë rast publikë.
    Një numër i madh i punëtorëve në sektorin privat aktualisht përjetojnë padrejtësi të mëdha,
    punëtorët informalë dhe ata me dy kontrata pune punojnë në kushte skllavërie. Në kushte të
    ngjashme punojnë edhe punëtorët e kompanive private që burim të të ardhurave e kanë buxhetin
    e shtetit, pra kompanitë që i shesin shtetit shërbimet e tyre e i shkelin të drejtat e punëtorëve pa
    87
    asnjë pengesë nga Inspektorati dhe nga institucionet e tjera të shtetit që paguhen për t’u bërë
    shërbime punëtorëve. Edhe pse buxhetit të shtetit i kushton shumë më shtrenjtë blerja e
    shërbimeve nga kompanitë private për pastrim, sigurim fizik të objekteve, për kthim, e të tjera, se
    sa nga angazhimi i punëtorëve të punësuar drejtpërdrejt në institucionet, edhe pse punëtorët do ta
    kishin më mirë po të punësoheshin drejtpërdrejt në institucione, që po i blen shërbimet,
    megjithatë vazhdohet me blerjen e shërbimit.
    Nga blerja e shërbimeve në vend të punësimit të drejtpërdrejtë përfitues janë vetëm kompanitë
    private dhe, sipas të gjitha gjasave, shpesh edhe zyrtarët që janë të implikuar në blerjen e
    shërbimeve nga privatët për institucionet. Shembuj të diskriminimit të kësaj kategorie hasim çdo
    kund, duke përfshirë këtu edhe Kuvendin e Kosovës. Me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të
    punëtorëve të garantuara me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, Inspektorati i Punës duhet
    të funksionojnë në përputhje me përshkrimin e detyrave të punës, me ligjet në fuqi dhe konventat
    ndërkombëtare që e rregullojnë këtë fushë.
    Inspektorët e korruptuar, që shpesh shihen në dreka e darka me pronarët e kompanive dhe
    pasurohen shumë më shpejt se që ua mundësojnë të ardhurat e tyre, e që kurrë nuk marrin masa
    kundër shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, duhet të largohen nga këto pozita shumë të
    ndjeshme. Sindikatat duhet të themelohen edhe në sektorin privat, nëse ka nevojë edhe me
    përkrahjen e drejtpërdrejtë të shtetit. Përgjegjësia për pozitën kaq të rëndë të të punësuarve në
    sektorin privat, por edhe në sektorin shoqëror, i takon institucioneve tona që nuk qajnë kokën për
    evitimin e këtyre dukurive. Kjo gjendje tepër e rëndë e të punësuarve, sidomos e atyre në
    sektorin privat, shpejt duhet të ndryshojë, por gjendja nuk ndryshon vetvetiu. Atë duhet ta
    ndryshojnë ata që paguhen për një gjë të tillë dhe e kanë marrë besimin e qytetarëve për këtë, por
    edhe vetë punëtorët e diskriminuar duhet të organizohen dhe ta ngritin zërin kundër këtij trajtimi
    çnjerëzor nga ana e punëdhënësve të tyre, e të cilët kanë mbetur edhe pa përkujdesjen e
    institucioneve të shtetit. Faleminderit!
  • Zonja Luljeta Veselaj-Gutaj e ka fjalën.
  • GUTAJ: Faleminderit, i nderuar kryesues!
    Derisa flasim për të drejtat e punëtorëve, pa dyshim se flasim për një të drejtë të garantuar dhe e
    cila po sfidohet dita-ditës në Kosovë.
    Të drejtat e punëtorëve vazhdojnë të mos respektohen në masë të madhe, duke filluar nga kushtet
    e punës, kontratat, siguria, shëndeti, oraret e stërzgjatura në punë pa kompensime, pa pushim, etj.
    etj. Derisa flasim për të drejtat e punëtorëve, nuk mund të lëmë anash trajtimin e të drejtave që në
    vazhdimësi nëpërkëmbën nga punëdhënësit, e që janë të drejtat e femrës së punësuar qoftë në
    sektorin publik apo në atë privat. Trajtimi jo i drejtë dhe jo i barabartë i femrës së punësuar, ku
    88
    ne jemi dëshmitarë të jo pak rasteve që janë bërë shkelje të të drejtave të tyre në punë. Shumë
    prej këtyre rasteve janë bërë edhe publike, por edhe më keq, kur ato nuk po bëhen publike.
    Duke filluar nga kompanitë me renome, e për të vazhduar deri te bizneset me numër simbolik të
    të punësuarve, madje pa i lënë anash edhe mediat, për të cilat veç jemi të njoftuar, ka pasur mjaft
    raste të trajtimit jokorrekt të femrave në punë. Shumë gra shtatzëna dhe shumë gra, të cilat sapo
    kanë lindur, janë përballur me largime nga puna para se ato të lindin apo edhe pas lindjes. Në
    disa raste, duke shpikur arsye nga punëdhënësit apo edhe pa arsye fare, ato janë larguar vetëm e
    vetëm që të mos mbeten barrë për pagesë në pushimin e lehonisë.
    Edhe trajtimi në rastet kur akoma nuk janë larguar nga puna, trajtimi i grave shtatzëna apo
    lehonave është për të ardhur keq në shumë raste kur kanë pasur punë me oraret e zgjatura, punë
    që nuk është kompatibile me gjendjen e nënave, të cilat kanë qenë në ardhje të fëmijës, punë me
    stres dhe pa konsideratë, si dhe shumë e shumëçka tjetër që e karakterizon një femër shtatzënë,
    apo një femër lehonë në Kosovë. Kjo sigurisht se do të ketë ndikimin edhe në uljen e natalitetit
    në Kosovë dhe është një demotivim për të gjitha femrat që pretendojnë të bëhen nëna dhe
    njëkohësisht të jenë të punësuara për të mbajtur familjet e tyre. Institucionet e Kosovës, sidomos
    Inspektorati Punës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, duhet të bëjnë më shumë për të garantuar
    zbatueshmërinë e Ligjit të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve.
    Ky debat në fund duhet të nxjerrë rekomandime të qarta, të cilat duhet të jenë obliguese për
    institucionet tona dhe ne duhet të jemi përgjegjës për monitorimin e zbatimit të këtyre
    rekomandimeve. Punëtorët në Kosovë duhet të trajtohen drejt dhe në përputhshmëri me ligjin,
    nuk duhet të lejojmë që në Kosovë dikush të trajtohet si skllav, vetëm e vetëm se shpreh
    gatishmërinë që të punojë dhe të kontribuojë për veten, në radhë të parë, për familjen dhe
    rrjedhimisht për gjithë vendin.
    Unë i ftoj të gjithë kolegët që sot pas këtij debati t’i harmonizojmë qëndrimet tona rreth
    rekomandimeve dhe të njëjtat pas votimit t’i monitorojmë në zbatimin e tyre në vazhdimësi.
    Faleminderit!
  • Faleminderit! Zonja Kajtazi e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    Të nderuar deputetë,
    I nderuar ministër Abrashi,
    Sot kur flasim për të drejtën në punë, natyrisht që ndoshta nuk mund ta kalojmë problemin e
    papunësisë, i cili dominon te ne dhe, mbi të gjitha, duhet të shikohen dhe politikat nacionale, të
    cilat do të ndikonin në zhvillimin ekonomik, i cili në rend të parë nuk do t’i diskriminonte
    89
    njerëzit që t’i qasen tregut të punës dhe pastaj për të folur për kualitetin e punës apo për
    kualitetin e të drejtës së gëzimit të punësimit.
    Komisioni i të Drejtave të Njeriut vazhdimisht pranon peticione dhe peticionet me të cilat
    përballet ai janë çështje, të cilat u ngritën edhe nga kolegët deputetë këtu, edhe nga humbja e të
    drejtës së punës nga procesi jo i mirë i privatizimit, edhe nga diskriminimi në punë a
    diskriminimi gjinor. Prandaj, ne nuk mund ta kalojmë këtë dhe, edhe pse u theksua ndjeshëm
    edhe nga deputetët e tjerë. Për barazinë gjinore është shumë me rëndësi pozita e gruas në tregun
    e punës dhe rol kyç në këtë luan kuadri ligjor që e garanton këtë të drejtë. Kemi
    mospërputhshmërinë e disa ligjeve, siç është ai Ligji për shërbimin civil me Ligjin e punës,
    ndërsa ligjet e të drejtave të njeriut që është ai i barazisë gjinore, mbrojtja nga diskriminimi dhe
    Ligji për Avokatin e Popullit tani flasin për më shumë mundësi në këtë drejtim.
    Ne më parë, në pikën paraprake folëm edhe për rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe mbetën
    pa u përmendur edhe kompetencat e Avokatit të Popullit tani me ligjin e ri, me plotësim-
    ndryshimet e reja në mbikëqyrjen e sektorit privat, në të drejtën e punësimit. Për fat jo të mirë,
    Avokati evidenton shkelje të vazhdueshme dhe në këtë aspekt përballet edhe me kërkesat, të cilat
    ne duhet t’i shohim qartë në atë që thashë si bërje e politikave nacionale, të cilat edhe garantojnë
    të drejtën e punës, por edhe ofrojnë parametra të tjera, të cilët ne duhet t’i shohim. Nuk është për
    t’u injoruar edhe kërkesa e bizneseve që të rishikohet më mirë Ligji i punës, i cili u bie barrë
    bizneseve për të paguar edhe pushimet e lehonisë, edhe pushimet e tjera.
    Prandaj, duhet të jetë shteti ai i cili e bën këtë balancë mes zhvillimit ekonomik, zhvillimit të
    atyre bizneseve dhe të drejtës dhe qasjes në punë. Diskriminimi në punë fillon që nga koha
    ndoshta edhe e hapjes së konkursit, kur specifikohet përpos gjinisë, edhe mosha, kërkohet moshë
    e re, zakonisht tejkalim i fazës reproduktive për të mos u përballë me pagesa të pushimit të
    lehonisë dhe çështje tjera, të cilat me të vërtetë kërkojnë një vëmendje më të theksuar edhe më
    serioze në këtë aspekt. Forcimi i mekanizmave, siç është ai që u kërkua edhe këtu, më shumë
    inspektorë për ta mbuluar krejt sektorin, do të ofronte më shumë kualitet të të drejtave në punë
    dhe po ashtu, siç thashë, tani edhe kompetenca e re e institucionit të Avokatit të Popullit dhe ajo
    që rrallë shfrytëzohet, e kemi parë nga ajo e peticioneve, nga kërkesat e drejta ligjore e bazuar në
    konventa, duke e ditur se Kushtetuta e Republikës së Kosovës u jep supremacinë e sundimit apo
    të të drejtës konventave ndërkombëtare më shumë se ajo që është e drejtë edhe ligjore.
    Edhe pse nganjëherë thashë se edhe ligjet flasin mjaft, ndërkohë që ne nuk i zbatojmë
    mjaftueshëm dhe ajo që është esenciale për t’iu qasur edhe tregut të punës është ofrimi i
    institucioneve, ngritja e institucioneve të kujdesit edhe për fëmijët, për të moshuarit, i cili do ta
    bënte konkurrent serioz edhe gruan dhe, për këtë, edhe pse është një kuotë e përfaqësimit, kuota
    është një përmirësim i kulturës, e cila do t’i japë hapësirë kultivimit të ambientit apo të
    konkurrencës reale, e cila besoj që nuk mungon përgjithësisht te gratë. Prandaj, unë mendoj se
    90
    është mjaft komplekse që të shihet qartë kjo çështja e politikave që mbron biznesin, mbron
    punësimin, mbron të drejtat edhe kualitetin në punë dhe të gjitha çështjet e tjera, të cilat
    prezantohen me këtë gjë. Faleminderit!
  • Fjalën e ka zoti Ymeri.
  • Faleminderit!
    U thanë shumë gjëra këtu sa u përket të drejtave të punëtorëve, edhe mënyrës se si zbatohen ato,
    ose realizohen këtu në Republikën e Kosovës. Po mendoj që, së pari, duhet ta kemi parasysh që
    edhe Ligji i punës në formën e vet, në të cilën është, nuk është se i mbron kushedi sa të drejtat e
    punëtorëve, e natyrisht pastaj aq më pak ato mbrohen kur ky ligj nuk zbatohet fare dhe mendoj se
    këtu problemi duhet të shtrohet në të dyja rrafshet. Mirëpo, pa e shtruar problemin në rrafshin
    ligjor, legjislativ, që është dhe burimi i së keqes për sa i përket trajtimit të punëtorëve, mendoj që
    shtrimi i problemit vetëm në këtë rrafshin e dytë nuk është asgjë tjetër përveç një mbledhje e
    deputetëve me lot krokodili që shtiren kinse vërtet po brengosen për të drejtat e punëtorëve, siç e
    kuptoj unë edhe këtë debat, siç e kuptoj edhe thirrjen e këtij debati, edhe hipokrizinë që e
    mbështjell këtë debat, sepse është hipokrizi e atyre që e kanë thirrur debatin.
    Këtu po e shoh që janë dy deputetë të Partisë Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë
    Demokratike të Kosovës që e ka kërkuar këtë debat për të diskutuar për të drejtat e punëtorëve
    dhe kur lexohet arsyetimi, aty janë disa prej gjërave, të cilat natyrisht janë evidente dhe publike
    si probleme jashtëzakonisht të mëdha në këtë fushë, mirëpo askund nuk trajtohet, për shembull,
    edhe çështja e ligjit. Pra, që ta diskutojnë njëherë deri në ç’masë ligji është i përshtatshëm për t’i
    realizuar të drejtat e punëtorëve, deri në ç’masë ai ligj edhe po të zbatohej plotësisht do t’i
    mbronte këta punëtorë nga një lloj arbitrariteti i punëdhënësit, e me këtë rast punëdhënës
    nënkupton edhe ai në sektorin privat, por qe besa edhe ai në sektorin publik, ku e kemi parë që
    në të dyja rastet ka shkelje të të drejtave të punëtorëve.
    Po çka më çudit më së shumti që te arsyetimi kemi detaje të ndryshme për sa i përket, për
    shembull, KEDS-it, mënyra si i ka trajtuar KEDS-i punëtorët, por askund nuk përmendet
    “Bechtel&Enka”. Është shumë interesante, domethënë një ndërmarrje, korporatë, e cila me
    paratë publike të buxhetit të Republikës së Kosovës i ka trajtuar punëtorët vërtet si skllav në
    pagesat që ua ka dhënë, në sigurinë që nuk ua ka ofruar edhe në punësimet e përjashtimet
    plotësisht arbitrare pa kurrfarë kontrolli, ajo nuk përmendet fare në arsyetim. Pra, kjo heshtet nga
    Grupi Parlamentar i PDK-së dhe, natyrisht mendoj me qëllim. Po ashtu, as Aeroporti nuk është
    askund. Edhe aeroporti pas koncesionimit e ka të njëjtin metodë që e ka përdorë edhe KEDS-i
    pas skadimit të kësaj periudhe trevjeçare të dakorduar me Qeverinë, ku përjashton një numër të
    konsiderueshëm të punëtorëve nga puna, përfshirë edhe punëtorët e kualifikuar dhe ata nuk
    përmenden askund në arsyetim.
    91
    Prandaj, po them ky debat, mënyra si është thirrur është edhe hipokrit, edhe me sherr. Po të
    shkojmë te KEDS-i, meqenëse është përmendur këtu, unë mendoj që natyrisht duhet të
    përmendet KEDS-i. Në rastin e KEDS-it i kemi gjithsej afro 490 punëtorë, të cilët janë
    përjashtuar nga vendi i punës përgjatë kohës sa kjo kompani është privatizuar dhe është
    menaxhuar nga kapitali privat. Pra, sipas raportit të Qeverisë gjithnjë, raportin që e kanë dërguar
    Ministria për Zhvillim Ekonomik, në të cilën ata vetëm i paraqesin numrat e punëtorëve se sa
    janë përjashtuar nga vendi i punës, pa pasur asnjë vlerësim pastaj, e as pa na treguar se çfarë ka
    ndërmarrë në këtë drejtim, edhe pse e kanë pasur në mbikëqyrje KEDS-in, thuhet kështu, te pika
    4.10 që merret me të drejtat e punëtorëve të transferuar: “Më 8 maj të vitit 2013 në KEDS kanë
    qenë të punësuar 2 mijë e 623 punonjës. Ndërkohë që më 8 maj 2016, tre vjet pas, kanë qenë të
    punësuar 2 mijë e 433 punonjës” dhe tash vazhdon raporti i Qeverisë, pra po flas për raportin e
    Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, thonë: “Më 30 prill 2016, nga 190 punëtorë që nuk janë më
    në punë, 33 janë pensionuar, 157 e kanë lëshuar punën vullnetarisht”.
    Pra, në kushtet e një papunësie flagrante në Kosovë, ku diku afër 45% të qytetarëve të
    Republikës së Kosovës, fuqisë punëtore sot, nuk mund të gjejnë vend pune, ne paskemi këtu
    njerëz që e lëshojnë vullnetarisht vendin e punës. Dhe, kjo shihet nga aeroplani që është
    gënjeshtër, por ministria këtë e merr si të mirëqenë, na e dorëzon neve deputetëve dhe thotë
    kështu është puna: 157 punëtorë nga KEDS-i e paskan lëshuar punën vullnetarisht. Pra, Blerand
    Stavileci, i cili sot nuk erdh në interpelancë dhe po ashtu, pastaj vazhdon i njëjti raport:
    “Ndryshimi i numrit të punonjësve prej majit 2016 deri në dhjetor 2016” pas skadimit të këtij
    afatit trevjeçar. Ju e dini që edhe kur është privatizuar KEDS-i, pra për tre vjet janë dakorduar
    me Qeverinë, si shitës i kësaj ndërmarrjeje, që t’i mbajnë shumicën e punëtorëve në punë, që po
    shihet që deri diku tre vjet i kanë realizuar, me përjashtim të këtyre 190 dhe pastaj pas skadimit
    të kësaj kanë dalë nga puna edhe 292 punëtorë të KEDS-it, prej të cilëve Qeveria na thotë “10
    janë pensionuar, 134 tash e kanë lëshuar vendin e punës vullnetarisht, edhe 120 punëtorëve u
    është ndërprerë kontrata”. Pra, prapë e kemi numrin më të madh të njerëzve që kanë dalë nga
    KEDS-i ata që pretendohet nga Qeveria që e kanë lëshuar vendin e punës vullnetarisht.
    Kjo është shumë e qartë, pra Qeveria këtu nuk e ka pasur asnjë interesim për t’i mbrojtur të
    drejtat e punëtorëve në rastin e KEDS-it. Po, a ka pasur interesim që t’i mbrojë të drejtat e
    punëtorëve në rastin e aeroportit, kur është koncesionuar ai? Jo, pra ne e dimë qe as aty nuk i ka
    mbrojtur të drejtat e punëtorëve, madje-madje shpeshherë edhe vetë siguria e aeroportit është
    rrezikuar për shkak se njerëzit e kualifikuar brenda aeroportit janë detyruar ta lëshojnë vendin e
    punës, vullnetarisht siç po pretendon Qeveria, në mënyrë që t’u krijohet aty hapësirë punëtorëve
    të rinj.
    Dhe, për t’iu kthyer KEDS-it. Shihe çfarë ndodh tash në KEDS. Me gjasë, prejse është
    privatizuar KEDS-i e ka themeluar, të them ashtu, një shkollë që ata e quajnë “Akademia e
    KEDS-it”. Dhe, çka bën KEDS-i tash këtu? Punëtorët që kanë përvojë dhe të cilët e kanë një
    92
    nivel më të lartë të pagës, po, po ashtu kanë edhe kualifikime për punën që e kryejnë, i
    përjashton nga puna në forma të ndryshme, disa i detyron ta lëshojnë vendin e punës, disa nuk i
    sistemon fare dhe nuk ua vazhdon kontratat dhe të tjerëve thjesht ua ndërprenë kontratën. Dhe
    vendet e punës pastaj i mbush me punëtorë të rinj, studentë të cilët e kryejnë “Akademinë e
    KEDS-it”, të cilët për shkak të papunësisë së madhe nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të shkojnë
    aty dhe të cilët i paguan shumë më pak dhe kështu e maksimalizon profitin, duke e dëmtuar
    fuqinë punëtore, klasën punëtore të Republikës së Kosovës. Ky është eksploatim i kulluar.
    Dhe, ne këtu nuk po flasim për eksploatimin që u ndodh punëtorëve të KEDS-it, edhe pse e kemi
    përmendur KEDS-in këtu në arsyetim, por po flasim për punëtorët që i kanë përjashtuar, të cilët
    natyrisht KEDS-i as nuk duhet ta bënte, e as nuk duhet të lejohet t’i përjashtojë. Po, s’po flasim
    edhe për eksploatimin që u bëhet atyre punëtorëve, të cilët nuk janë përjashtuar ende nga vendi i
    punës, por që, qe besa, mund t’i presë një gjë e tillë shumë shpejt. Tash, flasim pak për
    rekomandimet që janë paraqitur këtu nga deputetët kërkues të këtij debati. Mendoj që një pjesë e
    rekomandimeve janë në rregull, janë të natyrshme. Pra, për shembull: nëse kërkojmë ne që
    Inspektorati i Punës të kryejë inspektime efektive në gjithë sektorët dhe të bëjë monitorimin e
    respektimit të të drejtave të punëtorëve. Këtu jam plotësisht dakord, mirëpo për cilët inspektorë
    po flasim këtu? Sepse, sipas të dhënave dhe sipas një kritike që i është bërë vazhdimisht
    Qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe nga Raporti i Progresit, numri i inspektorëve që i kemi
    aktualisht në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale është absolutisht i pamjaftueshëm për ta
    kryer këtë inspektim efektiv.
    Pra, çfarë po bëjmë ne me këtë kërkesë, nëse nuk kërkojmë njëkohësisht që të rritet numri i
    inspektorëve, atëherë nuk po bëjmë asgjë tjetër përveçse po e krijojmë një pikë, e cila mund të
    tingëllojë mirë, pra ka një dozë të popullizmi në të, apo më mirë thënë, demagogjie në të, po e
    cila nuk ka kurrfarë efekti në rrethana të cilat vepron sot Kosova dhe me administratën që e ka.
    Dhe, po ashtu këto kërkesa që të respektohet Ligji i punës, Ligji për sigurinë dhe shëndetin në
    punë, e kështu me radhë, mendoj që janë të tepërta, sepse nëse ka ardhur puna që Kuvendi t’i
    kërkojë Qeverisë t’i respektojë ligjet, atëherë vërtet i kemi punët shumë keq dhe mendoj që duhet
    të trajtohet ky problem si fenomen, i cili nuk është vetëm në këtë rast po që po na përsëritet
    vazhdimisht nëpër forma dhe nëpër çështje të tjera që i diskutojmë këtu në Kuvend, sepse
    Kuvendi vazhdimisht po obligohet njëfarë mënyre që të kërkojë nga Qeveria t’i zbatojë ligjet.
    Pra, të mos bëjë asgjë tjetër përveçse t’i zbatojë ligjet. Dhe, mendoj që disa prej këtyre
    rekomandimeve janë të panevojshme, por në anën tjetër, duhet të shtohen rekomandime të tjera.
    Unë mendoj që në mënyrë eksplicite duhet përmendet këtu “Bechtel&Enka”, duhet t’i bëhet një
    inspektim i tërësishëm se si i ka trajtuar punëtorët deri tash. Edhe ata që kanë punuar në
    autostradën që e lidh Prishtinën me Tiranën dhe ata që po punojnë në autostradën që e lidh
    Prishtinën me Shkupin. Po domosdoshmërish këta punëtorë dhe të drejtat e tyre duhet të
    trajtohen, mes të tjerëve, të cilëve u shkelen të drejtat këtu në Kosovë.
    93
    Dhe, domosdoshmërish Ligji i punës duhet të diskutohet në këtë Kuvend dhe të
    amendamentohet. Pra, neve na duhet një ligj, i cili vërtet i mbron të drejtat e punëtorëve, një ligj i
    cili u garanton siguri punëtorëve dhe një ligj, i cili e zhduk mundësinë e arbitraritetit të
    punëdhënësit, duke e kamufluar atë me një lloj fleksibiliteti në punësim dhe përjashtim nga puna
    që i bëhet punëtorit. Pra, kontratat, të cilat tash po bëhen për çdoherë e më të shkurtra, prej
    kontratave të përhershme në njëvjeçare, e tash edhe më të shkurtra, gjë që e lejon Ligji i punës,
    janë mekanizmi më i mirë se si punëdhënësit e rrisin eksploatimin ndaj punëtorëve, sepse kështu
    u krijojnë një mungesë absolute të hapësirës që ata të kërkojnë të organizohen dhe të luftojnë për
    të drejtat e veta, sepse përjashtimi i tyre sot është bërë shumë i lehtë dhe ligji po e mundëson këtë
    përjashtim.
    Të njëjtin fenomen e kemi edhe në KEDS, të njëjtin fenomen e keni pasur edhe dje në
    “Bechtel&Enka”, të njëjtin në aeroport, të njëjtin...
    (Ndërprerje nga regjia)
  • Faleminderit! Fjalën e ka ministri Arban Abrashi.
  • Faleminderit, kryesues!
    Të nderuar deputetë,
    Mora disa shënime për vërejtjet nga diskutimet që u bënë, por parimisht mendoj që është një
    debat i qëlluar, për kundër që mund të shihet si popullist. Besoj që tema për mirëqenien e
    qytetarëve duhet diskutuar sa më shumë në Kuvend, sepse e ndihmojnë njëri-tjetrin të gjejnë
    politika, të hartojmë politika sa më të mira karshi problemeve, të cilat patjetër se janë barrë e
    institucioneve, por në këtë rast janë barrë e të gjithë shoqërisë, posaçërisht të drejtat e
    punëtorëve, sepse ka të bëjë edhe me kulturën e vetë ndërmarrjeve, kulturën tonë të përgjithshme
    si të sillen ndaj punëtorëve.
    Me marrjen e mandatit, duke u bazuar në mundësit edhe ligjore, financiare, të cilat i kam si
    ministër, kam investuar në ato që janë me prioritet dhe që janë të mundshme. Kemi investuar një
    mund të madh në dialogun social, dialogu social diçka që ndoshta nuk ka ekzistuar më herët, por
    ka marrë një vëmendje shumë më të madhe gjatë këtyre dy vjetëve, duke inkurajuar bisedat mes
    sindikatave, mes punëmarrësve, punëdhënësve dhe palëve të tjera të interesit dhe gjatë dy vjetëve
    të fundit është diskutuar shumë edhe për Ligjin e punës, për mangësitë e ligjit, për numrin e
    inspektorëve, për Kontratat Kolektive, çka është bërë gabim më herët, çka mundet të ndryshohet?
    Edhe gjendja në terren dallon prej shumë sektorëve, kemi sektorë ose fusha që janë shumë të
    ndjeshme, për shembull, punësimi i grave, edhe duhet të diskutohet veçantë për atë fushë. Kemi
    rastin e sektorit të ndërtimtarisë që është më i rrezikuari dhe e kemi trajtuar edhe këtë punë.
    Prandaj, kemi një pasqyrë shumë të mirë të gjendjes në terren dhe po punojmë aq sa mundemi në
    94
    kuadër të mundësive. Problemi më i madh, ajo që u përmend nga shumë dhe këtu realisht përpos
    kërkesave të mia të vazhdueshme, besoj që duhet edhe përkrahje e Kuvendit, duhet të bëjmë
    rritjen e numrit të inspektorëve. Domethënë, është e papranueshme dhe e paimagjinueshme që 50
    inspektorë plus - minus, të bëjnë inspektimin e diku rreth 70-75 mijë bizneseve aktive, të cilat
    funksionojnë në Kosovë dhe paguajnë taksa.
    Domethënë, përkundër një presioni, le të themi, pozitiv që kemi pasur karshi Inspektoratit që t’i
    rritë performansat, për çka edhe Inspektorati e ka rritur performansën. E shohim që në vitin 2015
    Inspektorati ka pasur punë më të mirë se sa vitin paraprak, më 2016 punë më të mirë, ne
    mendojmë që edhe më 2017 do të ketë punë më të mirë në inspektimin e bizneseve. Nëse nuk
    gaboj, në vitin 2016 janë inspektuar biznese që kanë diku rreth 60 mijë të punësuar, por kjo ka
    qenë maksimumi çka mund të japin këta inspektorë.
    Prandaj, rritja e numrit të inspektorëve është diçka e domosdoshme, në mënyrë që të kemi një
    përfshirje më të mirë rreth kësaj pune. Kemi diskutuar Këshillin Ekonomik Social, është një
    këshill, i cili bën bashkë anëtarët e Qeverisë, punëmarrësit, punëdhënësit, të gjitha sindikatat, të
    cilat kanë numër më të madh të anëtarësisë dhe diskutojmë për problemet më të ndryshme dhe si
    t’i trajtojmë këto probleme që nga shkeljet e punëtorëve, që nga Ligji i lehonisë e kështu. Ne
    kemi pasur vërejtje nga Bashkimi Evropian se ky përfaqësimi në këtë Këshill duhet të ndryshojë
    dhe besoj që deri në qershor e sjellim ligjin e ri, plotësim-ndryshimin e Ligjit për Këshillin
    Ekonomik Social, i cili merr parasysh vërejtjet e Komisionit Evropian dhe ato janë pjesë e ligjit.
    Prandaj, besoj që edhe Këshillin Ekonomik Social e ngremë në nivel më të lartë.
    Këshilli Kombëtar për Siguri dhe Shëndet në Punë gjithashtu është themeluar nga Qeveria këta
    muajt e fundit dhe tani është duke funksionuar dhe sjell politika të ndryshme në zyrat tona, se si
    duhet të ndryshojnë politikat qeveritare karshi kësaj. Jemi duke punuar në plotësimin e kornizës
    ligjore sipas kërkesave të Bashkimit Evropian dhe kjo po bëhet në një projekt të BE-së, i cili
    zgjat deri në vitin 2020. Diçka që nuk u përmend këtu, edhe besoj që është shumë e mirë sa i
    përket sigurisë në punë dhe e shton sigurinë në punë të punëtorëve në sektorin privat, është
    pensioni invalidor i punës.
    Kjo nuk ka ekzistuar më herët, po flas për Kosovën e pasluftës, tani si pension i tillë është dhe ka
    filluar që të implementohet gjatë muajit prill. Është një shans i mirë për të gjithë ata, të cilët
    mund të lëndohen, urojmë që të mos lëndohen në vend të punës, por për shkak të atij lëndimi nuk
    mund të punojnë, tani shteti i merr përsipër një pension për ta dhe është garanci e mirëqenies së
    tyre. Prandaj, është punuar në këtë fushë sipas mundësive, në mënyrë që të tejkalojmë numrin e
    inspektorëve derisa të rritet numri i inspektorëve shkaku i marrëveshjes me FMN-së, e cila e ka
    bllokuar rritjen e punëtorëve në sektorin publik, ne synojmë të arrijmë marrëveshje, mirëkuptime
    me institucionet e tjera, të cilat kanë në fushëveprimin e tyre inspektimet në terren dhe mund të
    bartin disa prej roleve edhe të vetë Inspektoratit të Punës. Synojmë që të kemi një marrëveshje
    95
    me Administratën Tatimore të Kosovës, cila merr përsipër disa punë, por të ketë marrëveshje
    mirëkuptimi me Inspektoratin e Punës.
    Jemi duke punuar në pagën minimale, diçka që mendojmë që është diskriminuese dhe e kemi
    trashëguar. Besoj që gjatë muajve në vijim ne do të kemi dy vendime sa i përket pagës minimale:
    një që të jetë e njëtrajtshme, të mos ketë dy paga minimale, një për ata që janë nën 35-vjeçar dhe
    mbi 35-vjeçar, dhe pastaj varësisht nga rritja ekonomike dhe parametrat e tjerë makroekonomikë,
    të bëjmë edhe ngritjen e pagës minimale në përgjithësi. Por, edhe kjo do të bëhet në konsultim
    me partnerët socialë në kuadër të Këshillit Ekonomik Social, sepse çfarëdo ngritje e pagës
    minimale do të ketë presion buxhetor edhe te skemat pensionale, se shumë janë të lidhura me
    pagë minimale, por gjithashtu edhe te sektori privat, i cili do të financojë pjesën më të madhe,
    sepse po flasim për 2/3 e fuqisë punëtore, e cila angazhohet në sektorin privat.
    Kontrata Kolektive është implementuar aq sa ka qenë e mundur të implementohet, sepse si e tillë
    ka pësuar ndryshime menjëherë pas nënshkrimit të palëve, ku njëri prej partnerëve është tërhequr
    nga Kontrata Kolektive dhe ka krijuar një paqartësi ligjore, por ne si institucion i kemi kryer
    obligimet tona.
    Dhe, për fund, që të mos e zgjas shumë, unë mendoj që mund të bëjmë edhe do të ftojmë bashkë,
    përkundër që është organ ekzekutiv Inspektorati që së bashku me Inspektoratin të bëjmë vizita te
    sektori privat, te kompanitë të cilët mendojmë që po bëjmë shkelje të drejtave të punëtorëve. Unë
    e kam bërë atë vetë edhe e praktikoj kohë pas kohe bashkë me sindikatat t’i bëj këto vizita. Besoj
    që kjo mund të bëhet bashkë edhe me një grup të deputetëve. Edhe, e fundit, kërkoj nga ju
    mundësisht që të lobojmë bashkë, që të rrisim edhe numrin e inspektorëve, të cilët funksionojnë
    në kuadër të Inspektoratit. Faleminderit!
  • Faleminderit, zoti ministër! Zonja Blerta Deliu-Kodra e ka fjalën.
  • KODRA: Faleminderit, nënkryetar i Kuvendit!
    Mendoj që është mirë që ka ardhur në rend dite, pavarësisht vërejtjeve që ne i dëgjuam
    paraprakisht. Mendoj që është e rëndësishme që po diskutojmë për të drejtat e punëtorëve në
    punë, e që ka qenë fokus i shqetësimeve të një pjese të deputetëve gjatë kësaj legjislature të
    Kuvendit.
    Edhe unë jam e shqetësuar për të drejtat e punëtorëve në punë, e veçanërisht të këtyre njerëzve,
    të cilët për çdo ditë e më shumë po bëjnë përpjekje maksimale të mbijetojnë nga djersa e vet,
    duke mos zgjedhur asnjë punë, por duke duruar edhe nga 12 orë punë dhe pa pushim vjetor, por
    me një pagë që është minimale, e që siguron asgjë më shumë përveç mbijetesës dhe një
    mirëqenie për familjet e tyre. Mendoj që si Kuvend viteve të fundit jemi përpjekur të bëjmë ligje
    të mira, të cilat duhet të mbështesin sektorin privat dhe duhet po ashtu t’u japin mundësi
    96
    kompanive tona që të zhvillojnë bizneset e tyre. Megjithatë, mendoj që sfidë në zbatimin e
    legjislacionit mbesin veçanërisht të punësuarit në sektorin privat në Kosovë, të cilët, siç u tha
    edhe në këtë seancë, ballafaqohen me shkelje të rënda të të drejtave në punë, gjatë orarit të
    stërzgjatur, po ashtu kanë punë pa kontrata, i kanë pagat jo të rregullta. Në shumicën e rasteve
    trajtimi i punëtorëve nga punëdhënësi është tepër i rëndë, pastaj është problem që këto shkelje, të
    cilat bëhet në disa raste nga punëdhënësi, nuk është se raportohen, në disa raste për shkak të
    frikës që ata mund të humbin edhe vendin e tyre të punës. Ligji mendoj që ka gjetur një pjesë të
    zbatimit, ashtu siç u tha nga ministri, në sektorin publik, por që ne duhet të jemi shumë të
    vëmendshëm karshi zbatimit të këtij legjislacioni në sektorin privat.
    Nuk e di a mjaftojnë gjithë këto ligje dhe mekanizma, mendoj që jo, ende ka punë për të bërë
    Qeveria dhe shteti me të gjitha instrumentet e veta. Pra, duhet të kenë shkas këto kompani që sot
    një punëtor ta trajtojnë si një fuqi fizike apo edhe si një vegël pune, siç ka ndodhur. Kjo duhet
    mendoj që të ndalohet dhe ne si Kuvend dhe kemi obligim që të punojmë në këtë drejtim.
    Punëtorët në sektorin e ndërtimeve gjatë ditëve të verës në temperatura mbi 30 gradë celsius,
    pastaj gjatë stinës së dimrit, në temperatura minimale, pa sigurinë në punë, me rroga minimale,
    me një ditë pushimi në javë dhe me paga që u jepen në dorë, nuk duhet të mendoj që ky fenomen
    të vazhdojë dhe këtu mbështes edhe atë që e tha ministri, pensionimi invalidor i punës, sepse
    kemi pasur shumë incidente gjatë viteve ku punëtorët kanë humbur edhe jetën në vendin e tyre të
    punës, por edhe kanë pësuar dëmtime, prandaj shteti mendoj që ka për obligim të sigurojë
    mbështetje për këtë kategori.
    Janë shumë gra e vajza tona, me qindra të punësuara në marketet gjigante, të cilat nuk po
    trajtohen si duhet. Puna që zgjat 12 orë, që shfrytëzohet edhe për pastrim edhe për palosje, jo
    vetëm për punën që e kanë për detyrë, me një ditë pushimi në javë, me vetëm 10 ditë pushim
    vjetor dhe pa asnjë ditë kompensimi jashtë orarit të punës, duke mos lënë kështu as një karrige
    derisa ato i llogarisin faturat e gjata të blerësve. Kjo mendoj që më nuk duhet të ndodhë.
    Një tjetër fenomen janë edhe shoferët e taksive të dhjetëra kompanive, të cilat operojnë në
    Republikën e Kosovës dhe kemi pasur shumë reagimet të tyre. Shumica punojnë pa kontrata të
    punës, paguhen po ashtu me para kesh dhe pa asnjë të drejtë si punëtorë, pa kontrata dhe pa
    siguri në punë. Janë qindra vajza e gra në bankat tona në vend, të cilat punojnë me shumë presion
    dhe largohen puna pa ndonjë shkas, por edhe u kërkohet po ashtu edhe dorëheqje si një
    marrëveshje që pronarët të ikin nga përgjegjësitë që mund t’u dalin prej proceseve gjyqësore.
    Të nderuar kolegë deputetë,
    Unë do të përmend këtu vetëm njërën prej tyre, është zonja Albana Morina, njëra prej të
    punësuarve në njërën prej bankave të Kosovës, e cila ka fituar rastin në instancën e parë. Ne
    bashkë me koleget deputete e kemi pasur në Grupin e Grave Deputete, ku ajo para nesh ka
    97
    rrëfyer përvojën e saj të tmerrshme se me çfarë është ballafaquar nga punëdhënësi i saj vetëm e
    vetëm për të lëshuar vendin e punës. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore, do të thotë
    kompania detyrohet që Albana Morinës t’ia kthejë dhjetë paga dhe t’ia kompensojë po ashtu
    pagat nga momenti i largimit nga puna, t’ia paguajë po ashtu tatimin në ATK dhe kontributet në
    Trustin Pensional.
    Ajo ka rrëfyer para nesh gjithë presionin e tmerrshëm që i është bërë vetëm e vetëm për të
    pezulluar atë nga vendi i saj i punës. Janë edhe shumë punëtorë të tjerë në sektorin privat dhe
    nuk është vetëm Albana, por ka edhe shumë vajza të tjera, të cilat diskriminohen në mënyrën më
    të tmerrshme, të cilat pyeten nga punëdhënësi nëse ato janë me barrë, duke u diskriminuar që në
    start dhe një pjesë e tyre po ashtu pezullohen nga puna për faktin se kanë vendosur të krijojnë, të
    rrisin familjen e tyre. Po ashtu, u përmendën këtu edhe rastet e fundit, të cilat kanë ndodhur me
    punëtorët e KEDS-it dhe për të cilat ne, unë si deputete kam adresuar shqetësimet për largimin
    nga puna të përreth 500 punëtorëve nga kjo kompani. Disa prej këtyre punëtorëve, me një
    përvojë të jashtëzakonshme dhe me kontrata të përhershme të punës, edhe ata kanë rrëfyer për
    diskriminimin dhe për mënyrën se si kjo kompani ka operuar dhe i ka larguar këta punëtorë nga
    vendet e tyre të punës, pa u ofruar ndonjë arsye të veçantë, mirëpo duke u thirrur gjithmonë në
    sistematizimin e vendeve të tyre të punës.
    Të gjithë këta punëtorë në sektorin privat që sot punojnë në Kosovë, në fabrika dhe kudo janë të
    angazhuar për të siguruar një mirëqenie për familjet e tyre dhe kanë nevojë për kujdesin tonë si
    deputetë, kanë nevojë po ashtu për mbrojtje dhe sigurime nga shteti. Unë nuk dua që t’i
    përgjithësoj të gjitha kompanitë, të cilat operojnë në vendin tonë. Vlerësoj dhe dua po ashtu të
    ndaj nga ky gjykim ato kompani dhe pronarë që kujdesen ligjërisht dhe moralisht për punonjësit
    e tyre dhe që i trajtojnë ashtu si duhet të trajtohet një punëtor në një shtet demokratik, por që
    fatkeqësisht janë më të pakët se sa këta që punëtorin e konsiderojnë si vegël pune në institucionin
    e tyre.
    Jam e shqetësuar edhe për një kategori tjetër të punonjësve, qindra gazetarë në mediat tona të
    shkruara dhe në mediat elektronike, televizive, të cilat mbajnë familjet e tyre dhe na informojnë
    me zhvillimet politike dhe publike në vend. Ata punojnë me orar të stërzgjatur dhe ballafaqohen
    me presione pa kontrata të rregullta nga kompanitë, tek të cilat janë të punësuar.
    Të nderuar kolegë, ka nga ata të cilët madje nuk marrin paga deri në katër dhe pesë muaj rresht.
    Sot nuk do të përmend emrat e këtyre mediumeve, por nëse pas kësaj seance nuk do të shohim
    ndryshimet në praktikë, mendoj që është mirë që në këtë Parlament të thuhen me emra ata të cilët
    po keqpërdorin mundin e punëtorit në Republikën e Kosovës. Mendoj që nuk është mirë të na
    mbajnë moral ata të që nuk dinë çka është as humane, as e drejta e respektimit ligjor i të drejtave
    të punëtorit në Kosovë, sepse vetë e bëjnë jetën e luksit, e neve na moralizojnë ditë të tëra për
    punën dhe pagat e tyre.
    98
    Në fund, të nderuar kolegë deputetë, unë i ftoj të gjitha institucionet në vend, agjencitë tona
    rregullative të marrin përgjegjësitë për sektorin që rregullojnë këto fusha përkatëse. Dua të
    kërkoj edhe mbështetjen e ministrit dhe të kolegëve deputetë. Po ashtu, ftoj Bankën Qendrore të
    përcjellë funksionimin e bankave private në vend dhe mënyrën se si ato i implementojnë ligjet
    tona, veçanërisht në raport me të drejtat e punëtorëve dhe këtu dua të vë theksin e zonjës Albana
    Morina, e cila ka pasur kërkesë të drejtpërdrejtë në Bankën Qendrore të Kosovës lidhur me
    mosrespektimin dhe shkeljen e të drejtës së saj për punë.
    Kërkoj përgjegjësi edhe punë më efikase nga Inspektorati i Punës, ka shumë kërkesa të cilat
    drejtohen në drejtim të këtij Inspektorati dhe kërkoj nga Inspektorati që t’i trajtojë me përpikëri
    dhe t’i respektojë punëtorët e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të mbikëqyrë realizimin e të
    drejtave në punë të punëtorëve në sektorin privat. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zonja Pantina e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryesues!
    Shumë prej çështjeve që unë doja t’i përmendja tashmë u përmendën nga kolegët, kështu që nuk
    dua t’i përsëris. Dua të marr shkas nga deklarimi i ministrit, i cili bëri thirrje këtu për të shkuar
    dhe vizituar disa nga kompanitë dhe unë mendoj se disa prej kompanive ku ka nevojë për vizita
    tashmë u përmendën, siç ishin “Bechtel&Enka”, KEDS-i e disa të tjera. Por, është një kompani, e
    cila ende nuk u përmend dhe unë i sugjeroj ministrit që vizitat për të parë se si nuk respektohen
    të drejtat e punëtorëve të fillohen mu nga kjo kompani, sepse e ka edhe më të lehtë, e njeh më
    nga afër pronarin e kësaj kompanie, e ai është zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, pronari i
    kompanisë “Elkos”, gjegjësisht i rrjetit të marketeve ETC.
    Ai kur erdhi në Qeveri, erdhi sikur ta kishte formulën magjike për të krijuar vende pune, për ta
    zbutur apo për ta eliminuar bile fare papunësinë në Kosovë, por ajo çka ka ndodhur është se
    vetëm muajin e fundit nga kompania e tij janë larguar rreth 200 punëtorë nga puna pa
    paralajmërim dhe pa ndonjë arsyetim. Çështje tjetër është se ka, në fakt, në mesin e tyre të
    larguar edhe të atillë që e kanë lënë vendin e punës dhe unë kam takuar disa prej tyre dhe
    padashur të përmend me emra e mbiemra, unë dua ta përmend historinë e njërës nga këto
    punëtore, studente, e cila për t’i mbuluar shpenzimet e studimeve, natyrisht se kishte synuar të
    punojë për të siguruar një pagë që pastaj t’i mbulojë shpenzimet. Por, ajo jo vetëm që nuk arriti
    t’i mbarojë studimet, sepse kishte vetëm një ditë pushimi në javë, punonte 12 orë, punonte në një
    sektor brenda njërës nga dyqanet ETC, e ku kërkonte nga ajo që të kishte edhe forcë fizike, sepse
    duhet të barte, duhet të zhvendoste nga një vend në tjetrin mallin, objektet që ishin në shitje dhe,
    në fund, para se të lëshonte vendin e punës pesha e saj zbriti në 45 kg. dhe filloi të kishte edhe
    probleme me kurrizin.
    99
    Kështu që në fund ajo përfundoi edhe me probleme shëndetësore, e le që nuk mundi t’i mbarojë
    studimet. Po ashtu, çdonjëri nga tregimet e saj ishte se i kishte ndodhur dy herë gjatë vitit, sa
    kishte punuar, që të vonohej dy minuta në punë. Për këta dy minuta vonesë ajo prapë është
    detyruar të punojë 12 orë brenda ditës, por që i ishte hequr komplet paga për atë ditë pune. Pra,
    edhe ka punuar edhe i është hequr mëditja si ndëshkim, për faktin se ajo është vonuar 2 minuta
    në punë.
    Tash, është e vërtetë se ndoshta është i pamjaftueshëm numri i inspektorëve të punës për të
    shkuar dhe për t’i vizituar, sidomos të punësuarit në sektorin publik. Por, është po ashtu e vërtetë
    se ndëshkimet që japin këta inspektorë për rastet kur ata i vërtetojnë shkeljet e të të drejtave të
    punëtorëve, përkatësisht Ligjit të punës nga punëdhënësit, janë po ashtu qesharake. Shumicën e
    kohës janë thjesht vërejtje me shkrim dhe nuk ka ndëshkim. Natyrisht se kur nuk ka ndëshkim,
    ka inkurajim që të vazhdohet me këto shkelje.
    Prandaj, edhe pse numër i vogël i inspektorëve, po ta kryenin punën e tyre siç duhet dhe me
    efikasitet, unë mendoj se gjendja do të ishte pak më e mirë sesa është tani.
    Po ashtu, ne kemi lexuar në medie për rastet kur këta inspektorë në vend se t’i mbrojnë
    punëtorët, ka ndodhur e kundërta. Ata kanë marrë ryshfet, janë korruptuar, me një fjalë, nga
    punëdhënësit, qoftë për t’i mbyllur sytë apo për të heshtur edhe për rastet kur ata kanë konstatuar
    shkelje të të drejtave të punëtorëve.
    U përmend po ashtu fakti se shumica e të të punësuarve, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë, nuk
    e kanë të siguruar jetën dhe tashmë jemi dëshmitarë të dhjetëra rasteve të humbjes së jetës së
    këtyre punëtorëve, kur punëdhënësit nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi.
    Po ashtu, është problem, por u përmend tashmë çështja e pagës minimale. Përderisa, vitin e
    kaluar kryeministri i atëhershëm, e i cili vinte nga partia që sot e ka thirrur këtë debat, ngriti pa
    asnjë analizë të mirëfilltë se si do të ndikonte në buxhetin e shtetit, por edhe në përgjithësi në
    zhvillimin ekonomik të vendit pagat e të të punësuarve në sektorin publik, kjo nuk u bë asnjëherë
    në rritjen e pagës minimale, e që do të afektonte, do të kishte ndikim pra edhe në sektorin privat
    dhe të punësuarit në sektorin privat e vuajtën këtë, sepse u rritën çmimet, për të cilat tashmë ata
    do të duhej të paguanin pa pasur rritje të pagës.
    U përmendën shkelje të rënda, të dyfishta, të trefishta, të të drejtave që u bëhen të punësuarave
    gra, prandaj unë nuk dua të ndalem këtu. Dua të ndalem po ashtu te një rast konkret i një
    kompanie, punëtorët e së cilës kanë pësuar shumë keq, jo vetëm aq sa kanë pësuar të tjerët në
    rastin e privatizimit, por këta e kanë humbur edhe të drejtën për të përfituar nga 20%, i cili u
    është dhënë punëtorëve pas shitjes së kompanisë, e këta janë punëtorët e ndërmarrjes “Ramiz
    Sadiku”.
    100
    Arsyeja pse këta punëtorë nuk e kanë gëzuar të drejtën është sepse nuk janë informuar me kohë
    për këtë të drejtë dhe kjo është bërë qëllimshëm nga menaxhmenti i asaj kohe, për faktin se ata
    kishin punësuar një numër, qoftë militantësh partiakë, qoftë familjarë, në dy-trevjetëshin e fundit,
    para se kompania të shitej dhe për ta zvogëluar numrin e atyre punëtorëve që do të përfitonin nga
    20%-shi ata i kishin lënë anash punëtorët që kishin përvojë ndërmjet15 e 20 vjetësh punë në këtë
    ndërmarrje.
    Tani këta punëtorë enden nga një gjykatë në tjetrën, nga një avokat në tjetrin, duke tentuar për ta
    siguruar një të drejtë që ishte e garantuar me ligj, ndonëse edhe humbja tashmë ishte shkaktuar
    nga vetë shitja e ndërmarrjes, por vetëm se menaxhmenti dëshironte që shuma e ndarë për
    punëtorët të mbetej më e madhe për ata që vetë i kishin punësuar, përfshirë menaxherët, nuk i
    kishin njoftuar këta punëtorë, të cilët shumica ishin punëtorë fizikë dhe nuk kishin qasje të duhur
    të mjaftueshme në informata, të cilat edhe ashtu ishin dhënë të kufizuara, vetëm në botim të
    gazetës ditore, e të cilat jo çdoherë lexohen nga të gjithë.
    Çështje tjetër, po ashtu që u përmend, është shkelja e të drejtave të punëtorëve nga kompanitë
    publike. Posta dhe Telekomi i Kosovës është njëra nga kompanitë, e cila i ka shkelur të drejtat e
    këtyre punëtorëve, e para duke punësuar pa kushte dhe kritere, shpeshherë pa pasur nevojë për
    punëtorë, një numër të caktuar të njerëzve, e të cilët, në fakt, as nuk punojnë atje, por shkojnë
    dhe nënshkruajnë, siç është rasti ta zëmë edhe te kompania apo ndërmarrja e institucionit tjetër
    publik, siç është Radiotelevizioni i Kosovës, ku një numër i punëtorëve vetëm nënshkruhen atje,
    nuk punojnë, nuk rrinë fare dhe në fund të muajit e marrin pagën e njëjtë, sikur punëtorët që
    ndoshta punojnë më shumë se 8 orë. Por, në këto dy kompani ne kemi pasur ndëshkime të
    punëtorëve, vetëm pse ata kanë ta mbrojnë interesin e institucionit. Në njërën anë kanë qenë
    sindikalistët e RTK-së, ndaj të cilëve menaxhmenti ka bërë ndëshkime për shkak se ata i kanë
    vënë në pah shkeljet që në vazhdimësi janë bërë nga menaxhmenti, jo vetëm e të drejtave të
    punëtorëve, por në përgjegjësi interesit të ndërmarrjes, dhe i njëjti rast ka ndodhur në Postën dhe
    Telekomin e Kosovës, kur punëtorët janë ndëshkuar pse e kanë ngrehur zërin për parregullsitë që
    kanë ndodhur në këtë ndërmarrje.
    Tash në të dyja rastet, me intervenimin e institucioneve tjera, përkatësisht gjykatës, në rastin e
    PTK-së, kjo punëtore e ka realizuar të drejtën e vet, por ajo çfarë ka ndodhur është se menaxheri
    nuk është ndëshkuar fare dhe humbësi në këtë rast prapë ka qenë institucioni, prapë në këtë rast
    është shkelur e drejta publike, në fund të fundit dhe ata të cilët vërtet e shkelin ligjin, vërtet e
    cenojnë qoftë interesin e punëtorin, qoftë interesin e ndërmarrjes. Lëre që s’ndëshkohen, por
    përkundrazi avancohen në pozita të ndryshme, sepse ata qëllojnë të jenë...
    (Ndërprerje nga regjia)
  • Faleminderit! Zoti Ibishi e ka fjalën.
    101
  • I nderuar zoti kryesues,
    Ministër Abrashi,
    Deputetë,
    Qytetarë,
    Së pari dua t’i falënderoj nismëtarët, zotin Haxhiu dhe zonjën Izmaku me tetë deputetët tjerë, për
    nismën e këtij debati. Gjithashtu, kisha për të cekur, nëse flasim për shkeljen e të të drejtave të
    punëtorëve, në veçanti atë që edhe zonja Kajtazi më herët e përmendi lidhur me mospërfshirjen
    në mënyrë meritore të kategorisë së grave, edhe pse kur është mbikëqyrur Ligji për barazi
    gjinore, në legjislacionin e kaluar është konstatuar se përfshirja apo mospërfshirja e femrave në
    nivelin lokal është shumë diskriminues, në nivel shumë të vogël, ndërsa në nivelin qendror
    qëndrojmë pak më mirë, edhe detyrimin ligjor në bazë të Ligjit të punës për çdo 50 punëtorë të
    punësohet një person me aftësi të kufizuara.
    Po flas për çështje që kanë të bëjnë me mospërfshirje, qoftë rreth grave në tregun e punës, por
    njëkohësisht edhe për personat me aftësi të kufizuara.
    Një çështje e veçantë është se përveç çështjeve formale-juridike, të cilat parashihen me ligjin dhe
    nuk realizohen me Ligjin për punën, prej kontratës së punës, nivelit të pagës, të pushimeve, është
    shqetësuese. Ministri e tha në një formë që edhe pse është miratuar nga Qeveria e kaluar
    Kontrata Kolektive me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura, ajo pjesërisht është në zbatim.
    Mirëpo, në veçanti duhet të mbikëqyret me masa të shtuara, si në procedura, por edhe në masa
    tjera për siguri në punë që realisht mungojnë, si në sektorin privat, po ashtu edhe në atë publik
    dhe janë të përshkruara në Ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë, ku vetëm në vitin e fundit
    kemi raste me fatalitet, të vdekjes apo të aksidentimit në vend të punës me 61 të vdekur dhe 223
    të lënduar, që kanë shkallë të ndryshme të invaliditetit.
    Gjithashtu, në këtë duhet të përfshihen edhe çështjet rreth mbrojtjes nga fatkeqësitë elementare,
    për ç’gjë realisht shumë pak bëhet në drejtim. Ndoshta më pak u cek dhe duhet të përfshihet në
    rekomandime edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Qeveria, se duhet të jenë shumë më
    efikase dhe të sakta në kontrollin dhe implementimin e dispozitave që dalin nga kontratat e
    privatizimit të ndërmarrjeve publike. Ajo që u tha edhe më herët, edhe aspekti i diskriminimit të
    punëtorëve, sidomos të KEDS-it, “Limak-Çalik”, e të tjera. Duhet në këtë aspekt të jemi të
    kujdesshëm.
    Në çështjen e fundit, kur flasim për aspektin mbikëqyrës, që është njëri prej rekomandimeve të
    iniciatorëve të këtij debati, përveç Inspektoratit të Punës duhet të obligohet edhe Këshilli i
    Pavarur Mbikëqyrës, por siç e tha edhe zonja Kajtazi, që me ligjin e ri janë të shtuara edhe atje
    dispozitat rreth mbikëqyrjes së Institucionit të Avokatit të Popullit, që në një formë të obligohen
    ata që çdo tre muaj ditë, me këtë edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të raportojnë
    para komisioneve parlamentare, jo vetëm një komisioni që ka të bëjë me punën, por edhe
    102
    Komisioni për të Drejta të Njeriut si dhe ai për Siguri, lidhur me nivelin e shkeljeve të të drejtave
    të punëtorëve në Kosovë. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zoti Haskuka e ka fjalën.
  • Lidhur me të drejtat e punëtorëve në Kosovë është diskutuar shumë
    pak dhe mirë u bë që tani në Kuvendin e Kosovës po i diskutojmë këto çështje.
    Janë problematikë e gjerë e mosrespektimit të të drejtave të punëtorëve dhe në atë aspekt çështja
    kyçe është moszhvillimi i bizneseve dhe mungesa e vendeve të punës, që ndoshta është thënë
    edhe nga kolegët më përpara, por sipas statistikave zyrtare kur në një vend papunësia kalon 33%-
    shin, me një popullatë kaq joaktive, ku vetëm 18% e grave janë aktive dhe kërkojnë punë, e prej
    tyre 37% janë të papunë, normalisht se e kemi një gjendje shumë të pafavorshme të punëtorëve
    që i kanë vendet e tyre të punës, ngase ata gjithmonë rrezikohen që të përjashtohen nga
    punëdhënësi dhe të zëvendësohen me punëtorë të tjerë, të cilëve nuk u intereson aq shumë për të
    drejtat e tyre dhe në njëfarë mënyre do t’u nënshtrohen ashtu siç kërkojnë punëdhënësit.
    Në aspektin e të drejtave të punëtorëve, problematika kyçe është mosimplementimi i ligjeve dhe
    pamundësia e monitorimit të të drejtave të punëtorëve, sidomos nga Inspektorati i Punës, për
    shkak të numrit të vogël të punëtorëve. Siç u tha më herët, kemi më pak apo 1 inspektor për
    komunë, gjë që është e pamjaftueshme për ta monitoruar gjendjen e të drejtave të punëtorëve
    nëpër komunat e Kosovës.
    Por, në të njëjtën kohë, nëse shikojmë nga perspektiva e punëtorëve, sindikatat janë ato që në
    shumë vende të botës mundohen, ose luftojnë për të drejtat e punëtorëve. Në Kosovë kjo nuk
    ekziston, ngase nuk ekzistojnë sindikata të punëtorëve të sektorit privat, në shumë ndërmarrje
    nuk ka sindikata, por edhe në sindikatat e sektorit publik ato janë të nënshtruara dhe nuk i
    përfaqësojnë interesat e punëtorëve, për çka janë krijuar, ose për të drejtat e të cilëve duhet të
    luftojnë.
    Në pak raste kur sindikatat mundohen t’i mbrojnë interesat e punëtorëve, siç ka qenë rasti i
    punëtorëve të RTK-së para dy vjetësh, kryetari i RTK-së qe suspenduar nga menaxhmenti i
    RTK-së për shkak të aktivitetit të tij sindikal dhe kjo ka qenë një shkelje flagrante e Ligjit të
    punës dhe e të drejtave të punëtorëve dhe të së drejtës sindikale. Kjo ka ndodhur në një
    institucion që monitorohet nga Kuvendi i Kosovës. Nëse në një institucion që monitorohet dhe
    buxhetohet nga Kuvendi i Kosovës, siç është RTK-ja, sindikatat e punëtorëve nuk e gëzojnë të
    drejtën e tyre, ose nuk mund ta mbrojnë të drejtën e punëtorëve pa persekusion, ose pa qenë të
    suspenduar, atëherë mund të paramendojmë se çfarë është gjendja me sindikatat në sektorët tjerë,
    ku nuk ka kurrfarë monitorimi nga ndonjë instancë më e lartë, siç është rasti i RTK-së dhe i
    Kuvendit të Kosovës.
    103
    Në anën tjetër, këtu pothuajse u harruan edhe shkeljet e të të drejtave të punëtorëve të
    ndërmarrjeve të privatizuara. Në aspektin e ndërmarrjeve të privatizuara shumë punëtorë që kanë
    punuar me vite të tëra, që kanë kontribuar me vite të tëra në krijimin e këtyre ndërmarrjeve
    publike, nuk kanë mundur t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe nuk kanë mundur t’i marrin jo vetëm
    pagat e tyre që kompanitë publike u kanë mbetur borxh, po as 20%-shin që u takon nga Fondi i
    Privatizimit.
    Ka shumë raste të tilla, por ndër rastet më flagrante, si për shembull mund ta them rastin e
    punëtorëve të ndërmarrjes “Sharr-Cem” në Han të Elezit, ku faktikisht këta jo vetëm që nuk u
    është paguar 20%-shi, por për shkak të natyrës së punës me azbest, shumë nga këta punëtorë
    kanë paguar gjatë punës së tyre një fond të veçantë për kompensim shëndetësor, ngase kanë qenë
    të rrezikuar nga azbesti dhe pluhuri në Fabrikën e Çimentos, këta nuk i kanë marrë këto
    kompensime dhe nga më shumë se 100 punëtorë, shumë prej tyre kanë ndërruar jetë pa i marrë
    kompensimet e duhura, as shëndetësore, por edhe kompensimet e 20%-shit që u takojnë sipas
    Ligjit për privatizimin.
    Ç’është më e keqja, në një takim me këta punëtorë ata treguan që shumë prej tyre vuajnë nga
    kanceri dhe nga sëmundje të ndryshme të mushkërive dhe nuk kanë mundësi të mjekohen, ngase
    nuk kanë mjete financiare dhe janë në moshë. Në shumë raste janë të varur nga ndihmat e të të
    afërmve, ose nga ndihmat e familjarëve, në mënyrë që t’i përballojnë shpenzimet e mjekimit.
    Po ashtu, gjendja e njëjtë është me punëtorët e ndërmarrjes “Liria” në Prizren. Edhe pse
    ndërmarrja publike “Liria” i ka pasur obligime pagat e punëtorëve për një kohë shumë të gjatë
    dhe 20%-shin, pasi është privatizuar, këta nuk janë kompensuar as 20%-shi, por as obligimet ose
    pagat që kompania “Liria” u ka mbetur borxh punëtorëve të saj.
    E njëjta gjendje është edhe në Fabrikën e Amortizatorëve në Prishtinë. Fabrika është privatizuar,
    por punëtorëve nuk u janë dhënë kompensimet, as 20%-shi, por as edhe fitimet tjera që i ka pasur
    Fabrika e Amortizatorëve, si për shembull qiraja që e ka pasur prej UNMIK-ut. Fabrika e
    Amortizatorëve i ka pasur diku rreth 5 milionë euro të ardhura nga qiraja, por në vend se të
    ndahen me të gjithë punëtorët, nuk dihet se ku kanë shkuar ato. Sindikatat e kërkojnë pjesën e
    tyre, punëtorët kanë mbetur pa kompensim, por edhe nuk janë kompensuar me 20%.
    Këtu në aspektin e të të drejtave të punëtorëve, jo vetëm që duhet të kërkojmë funksionalizimin e
    Inspektoratit të Punës, monitorimin shumë më të mirë të të drejtave të punëtorëve në kompanitë
    që momentalisht janë duke punuar, por në të njëjtën kohë duhet të kërkojmë ose të krijohet një
    komision që t’i shqyrtojë rastet e privatizimeve, ku punëtorëve të kompanive të privatizuara nuk
    u janë realizuar të drejtat e tyre nga procesi i privatizimit, meqë atyre ose nuk u janë paguar
    pagat që ju kanë mbetur borxh, ose nuk u janë paguar benefitet, si punëtorëve të “Sharr-Cemit”,
    104
    ose edhe 20%-shi në shumë raste nuk u është paguar punëtorëve. Duhet të shqyrtohen dhe duhet
    të kërkohen të drejtat e tyre nga Agjencia e Privatizimit e Kosovës. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zoti Hajdar Beqa e ka fjalën.
  • Faleminderit, kryetar i Kuvendit!
    Të nderuar deputetë,
    Më lejoni t’i përgëzoj iniciuesit e këtij debati me një temë të rëndësishme për punëtorët në
    vendin tonë, që ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.
    Gjendja e punëtorëve në Kosovë nuk është si do ta dëshironim të gjithë ne sot. Sot, si pasojë e
    mosbesimit në sektorin privat, nëse një punëtori i ofrohet një punë për një pagë 500 euro në
    sektorin privat dhe e njëjta punë për 300 euro në sektorin publik, ai do ta zgjedhë sektorin publik
    me më pak para për arsye se nuk beson shumë në sektorin privat.
    Kjo çështje duhet të trajtohet me kujdes duke zbatuar ligjet në fuqi nëpërmjet mekanizmave
    mbikëqyrës, siç është Inspektorati i Punës. Nëse dëshirohet të luftohet informaliteti duhet të
    forcohet Inspektorati i Punës, sepse në këtë mënyrë përfitojnë edhe të punësuarit, pajisen me
    kontrata pune, e cila është bazë për t’i rregulluar raportet e tyre me punëdhënësit, përfiton
    biznesi, sepse kështu krijohen kushtet e barabarta në treg. Nëse i ka punëtorët pa kontratë, nuk
    paguan kontribut, nuk paguan trustin, tatimin në pagë, e tjera dhe krijohet përparësi në çmim,
    qoftë në shërbime, prodhim apo të tjera. Përfiton shteti, sepse me pagesën e kontributeve
    mbushet arka e shtetit, gjithashtu mund të vijë edhe deri te rritja e numrit të të punësuarve në
    vendin tonë. Gjithashtu, i mundëson shtetit që ta rrisë edhe pagën minimale, e cila, përveçse
    është më e ulëta në rajon, është edhe më diskriminuesja. Jemi i vetmi vend që kemi dy nivele të
    pagës më të ulët, 140 euro dhe 170 euro.
    Kur punëtorët të kenë kontratë pune, atëherë punëdhënësi duhet t’i paguajë edhe orët shtesë 30%
    mbi pagën bazë dhe benificionet tjera, si për shembull pushimin vjetor, pushimin mjekësor,
    pushimin e lehonisë dhe pushimet tjera. Se ka nevojë për shtimin e inspektorëve të punës e thonë
    edhe mekanizmat ndërkombëtarë, së fundmi edhe MSA-ja, ku kërkohet që në këtë vit të rritet
    numri i inspektorëve në 65.
    Se ka shkelje të të drejtave të punëtorëve edhe në sektorin privat dhe në sektorin publik, kjo nuk
    diskutohet, edhe pse ka avancim të dukshëm që nga viti 2009 e këndej, por për ta përmirësuar
    edhe më tutje sipas standardeve të kërkuara ndërkombëtare këtë gjendje, duhet të mbështetemi te
    mekanizmat mbikëqyrës.
    E rëndësisë së veçantë është edhe siguria në punë, që gjithashtu duhet të përmirësohet. Vetëm në
    këtë vit, në vitin 2017, i kemi 6 njerëz të vdekur në vendin e punës.
    105
    Andaj, krejt në fund, për të mos e zgjatur, që u tha edhe nga debatuesit tjerë dhe konsideroj se
    edhe në fund të këtij debati do të dalim me konkluzione konkrete, kur e kemi parasysh se
    Inspektorati i Punës mbikëqyr kompanitë private që llogariten në vendin tonë të jenë rreth 70
    biznese aktive, shëndetësinë, arsimin, kompanitë publike të nivelit qendror, kompanitë publike të
    nivelit lokal, mbikëqyr Ligjin e punës, Ligjin për siguri në punë dhe një mori ligjesh tjera,
    atëherë konkludoj se me këtë numër të inspektorëve, që në vendin tonë është rreth 50, nuk mund
    ta kryejë punën e vet në mënyrën efektive, pavarësisht vullnetit dhe angazhimit të tyre.
    Faleminderit!
  • Faleminderit! Fjalën e ka zoti Albin Kurti.
  • Deputetë të Kuvendit,
    Qytetarë të Republikës,
    Kriza financiare, e cila nis në shtator të vitit 2008 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i pati
    rrëzuar përtokë lidhjet dogmatike ndërmjet lirisë së kapitalit, rritjes ekonomike dhe mirëqenies së
    shtuar. Mirëpo, kjo fare nuk u shfrytëzua për debat në Kosovë, qoftë ai institucional e publik, po
    ashtu as qeveritar apo partiak.
    Përderisa nuk besohet që pasuria vjen nga puna, nuk mund të kemi respekt për punën. Në
    Kosovë konsiderohet se pasuria vjen nga trashëgimia dhe nga pushteti. Të ardhurat jo aq nga
    paga, por nga kapitali që i bie qiraja, dividenda, interesi, profiti, e të tjera... Pra, ai koeficienti
    “beta”, raporti i kapitalit me punën apo i pronës me të ardhurat, është shumë i lartë në Kosovë.
    Në vendet e zhvilluara është 5 deri në 6, mirëpo në Kosovë është shumë më tepër se kaq dhe nuk
    ka të dhëna për një gjë të tillë.
    Raporti i kapitalit me punën është proporcional me raportin e shkallës së kthimit në kapital me
    rritjen ekonomike dhe sa më i madh që është raporti i shkallës së kthimit në kapital në rritjen
    ekonomike, aq më e madhe është edhe pabarazia. Ne këtë mund ta shohim edhe në rastin e
    bankave në Kosovë, ku kamatat janë shumë më të larta sesa rritja ekonomike. Dhe, sa më e
    madhe pabarazia, edhe kërkesa agregate në shoqëri është më e vogël, mirëpo në të njëjtën kohë
    edhe shoqëria është më e ndarë e më e përçarë.
    Ju e dini shumë mirë se ne sjellim shumë shpesh ligje këtu në Kuvendin e Kosovës, projektligjet
    që na vijnë nga Qeveria i miratojmë, mirëpo kur ke pabarazi kaq të mëdha, ato ligje vërtet
    mbeten të pazbatueshme. Kur njerëzit në shoqëri kanë dallime tepër të mëdha njëri prej tjetrit,
    nuk mund të ketë një ligj që vlen për të gjithë njësoj. Ligji është universal dhe do të duhej që të
    gjithë t’i nënshtroheshin njësoj, mirëpo kur ka dallime kaq të mëdha ndërmjet njerëzve, natyrisht
    se nuk mund të presësh që ai ligj edhe do të zbatohet. Natyrisht kjo nuk vlen për Ligjin e punës,
    meqenëse Ligji i punës nuk zbatohet për arsye krejtësisht tjera, e arsyeja kryesore është sepse në
    106
    disbalancë midis kapitalit dhe punës, Qeveria nuk është në anën e punës. Qeveria është në anën e
    kapitalit. Ky është problemi kryesor.
    Pra, në shtetet e ndryshme që e praktikojnë edhe drejtësinë sociale, përveç idesë së zhvillimit
    ekonomik, në shtetet që e kanë idealin e shtetit të mirëqenies, natyrisht se Qeveria është në anën
    e punës dhe të punëtorëve, nuk është në anën e kapitalit.
    Kjo do të thotë që nuk ka progres shoqëror nga zhvillimi ekonomik pa drejtësi sociale, e drejtësia
    sociale nuk ekziston në Kosovë. Drejtësia sociale është dy gjëra, para së gjithash, sigurimet
    shoqërore, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, është tatimi progresiv. Ne nuk kemi sigurime
    shëndetësore, nuk kemi sigurime shoqërore. Nëse një automjet bën aksident, atëherë automjeti
    është i siguruar, por jo edhe njerëzit brenda automjetit. Në anën tjetër, çereku i Buxhetit shkon
    për investime kapitale, gjysma e tij është “paga dhe mëditje” e “mallra dhe shërbime” dhe kjo që
    shkon për investime kapitale, 90% është për asfalt, që do të thotë se prapë bëhet fjalë për rrugën.
    Prandaj, populli ynë është një popullsi në rrugë. Automjeti ka sigurim, e jo njerëzit në të, dhe
    investimet kapitale nuk janë as për ujësjellës, kanalizim, arsim e shëndetësi, por janë veçse për
    asfalt.
    I gjithë ky model i gabuar ekonomik, natyrisht se nuk ka si të mos bjerë edhe në kurrizin e këtyre
    punëtorëve të paktë, që janë të punësuar. Le të mos harrojmë që ne klasën punëtore e kemi
    jashtë. Para disa vjetësh një gazetar më pati pyetur mua, tha pse nuk protestojnë njerëzit në
    Prishtinë më 1 maj, por shkojnë në piknik? Thash, jo protestojnë, qytetarët e Kosovës që janë
    punëtorë protestojnë, por protestojnë në Berlin, në Cyrih, në Paris, se klasën punëtore e kemi
    atje. Klasa punëtore atje punon pa pushim, ndërkaq pauzën e kafesë ua mbajmë ne këtu në
    Kosovë.
    Klasa punëtore e shqiptarëve të Kosovës realisht është shumë më tepër jashtë vendit sesa brenda
    vendit dhe për shkak të papunësisë së madhe në vend dhe klasës së vogël punëtore në Kosovë,
    kemi shkelje të mëdha të të drejtave të punëtorëve, me ç’rast sindikatat janë shumë të dobëta.
    Punëdhënësi shumë kollaj mund t’i dëbojë nga puna punëtorët, kur e ke një papunësi kaq të
    madhe. Mirëpo, përderisa sindikata ua mbron të drejtat punëtorëve kolektivisht, është Ligji i
    punës ai i cili i mbron ata individualisht.
    Dhe, siç u tha edhe më herët, Ligji i punës nuk funksionon, nuk zbatohet për shkak të
    Inspektoratit të Punës, i cili qëllimisht është lënë vetëm me 50 inspektorë. Me nga një inspektor e
    gjysmë për komunë nuk mund të presësh që të zbatohet kurrfarë mbrojtje e të drejtave të
    punëtorëve. Një inspektor e gjysmë nuk i mjafton as fshatit, e lëre më komunës në Kosovë.
    Ministri më herët tha se kriteret e Fondit Monetar Ndërkombëtar na kanë detyruar që ne ta
    mbajmë të ulët numrin e inspektorëve të punës. Kjo është absurde! Ku gjetën që t’i reduktojnë
    107
    punëtorët pikërisht te Inspektorati i Punës, le t’i reduktojnë në ndonjë fushë tjetër. Nëse ka diçka
    që është jetike, është pikërisht Inspektorati i Punës. Do të duhej të bënin reduktime diku tjetër,
    ndërkohë që rekrutime të reja duhet të bëhen te Inspektorati i Punës.
    Tjetër gjë që tha ministri është tërësisht gabim. Tha që paga minimale duhet të rritet varësisht
    nga rritja apo zhvillimi ekonomik. Jo, jo, paga mesatare le të rritet nga zhvillimi ekonomik apo
    rritja ekonomike. Paga minimale është minimumi jetik. Ajo është një bindje e jotja për drejtësinë
    për jetën ekzistenciale të njeriut. Ajo është shporta elementare e punëtorit. Nuk mund të thuash ti
    tash, varësisht prej zhvillimit ekonomik rritet paga minimale. Jo, jo, paga minimale është në çka
    beson ti. Është çështje e bindjes politike, është çështje ideologjike, në fund të fundit. Paga
    mesatare le të jetë ajo që rritet varësisht se si është zhvillimi ekonomik dhe rritja ekonomike. Pra,
    ministri e ka tërësisht gabimisht këtu.
    Arsyeja pse kjo pabarazi është e madhe në Kosovë, pra raporti i kapitalit me punën, apo i pronës
    me të ardhurat, është për shkak se kapitali dihet në përgjithësi se në kapitalizëm është shumë më
    koncentruar se puna. Punëtorët janë të shkapërderdhur, por kapitali është shumë më i
    koncentruar. Dhe, pikërisht ky koncentrim i kapitalit bën që të ardhurat prej kapitalit të jenë të
    tejpërfaqësuara në 10%-shin e epërm.
    Ne këtu i patëm propozuesit, domethënë deputetët Izmaku dhe Haxhiu, mirëpo mua më duhet të
    them që nuk mund të bëhet mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, kur jeni në një subjekt politik që
    parullën kryesore e ka “familja, prona, shteti”. Pra, “familja, prona, shteti”, ky është slogani juaj.
    Në atë Revolucionin Borgjez Francez ka qenë “liri, barazi, vëllazëri”, Lëvizja “Vetëvendosje”
    thotë “barazi, zhvillim, drejtësi”, ju thoni “familja, prona, shteti”. Tash kur të thuash “familja,
    prona, shteti”, s’ka të drejta të punëtorëve aty. Është më mirë në Këshillin Drejtues ta merrni një
    iniciativë për ta ndryshuar këtë parullë, dhe kjo le të jetë, për shembull “punë, siguri, shëndet”
    ose diçka e ngjashme, mirëpo nëse e ke parullën “familja, prona, shteti”, nuk ke se si flet më për
    të drejta të punëtorëve. Pra, i ke dhënë pronës prioritet dhe le të mos harrojmë që në këtë
    Kuvendin e Kosovës ku jemi këtu ka shumë pak punëtorë, ama ka pronarë shumë. Ky është vend
    i pronarëve. Këtu pronarët janë duke diskutuar për punëtorët dhe të drejtat e tyre. Kjo është
    paradoksale. S’ka kurrfarë kuptimi kjo.
    Pra, do të duhej që ata deputetë që janë punëtorë të diskutojnë për të drejtat e punëtorëve. Kur
    deputetët që janë pronarë diskutojnë për të drejtat e punëtorëve, kjo është, siç tha Visari më
    herët, të derdhësh lot krokodili. Dhe, unë po e përmend vetëm shembullin e SPD-së gjermane, e
    cila ta zëmë në programin e saj të Hamburgut të vitit 2007 thotë që ajo e përkrah rritjen e pagave
    që bazohet në rritjen e produktivitetit dhe në inflacion, por gjithashtu dëshiron që të shohë më
    shumë pronësi në duart e punëtorëve. Në këtë aspekt, participimi, pjesëmarrja e punëtorëve në
    kapitalin e ndërmarrjes është një burim shtesë i të ardhurave që e siguron shpërndarjen më
    korrekte dhe në të njëjtën kohë edhe suksesin e firmës.
    108
    Po ashtu, një shpërndarje e tillë, një pjesëmarrje e tillë paraprakisht është ajo e cila e rritë
    inovacionin dhe produktivitetin.
    Më tutje thuhet që duhet të bazohemi në parimin e demokracisë së brendshme në kompani, që
    duhet të implementohet nëpërmjet vendimmarrjes së përbashkët në këshillat e punëtorëve dhe
    pjesëmarrjes në bordet mbikëqyrëse që duhet të forcohen. Kjo është socialdemokracia gjermane,
    se dihet që ekonomia nuk është shkencë natyrore, varet prej cilit kënd e shikon. A e shikon prej
    këndit të prodhuesit vendës, konsumatorit vendës, apo prodhuesit të huaj. Pra, varet shumë prej
    cilës pikëpamje e sheh.
    E këto të drejtat e punëtorëve nga pikëpamja e pronarëve që kryesisht fitimin e kanë nga të
    ardhurat që u vijnë prej kapitalit e jo prej punës, unë besoj që kjo është më shumë një teatër
    qesharak, se sa ndonjë farë brenge serioze për temën në fjalë. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zonja Labinotë Demi e ka fjalën.
    LABINOTË DEMI: Faleminderit për fjalën, nënkryetar!
    Të nderuar kolegë deputetë,
    U tha shumë për shkeljen e të drejtave të punëtorëve dhe meqë jemi kah fundi i debatit, nuk di
    nëse do të ketë efekt ajo çfarë unë kam menduar ta them. Gjithsesi, do ta them një pjesë të saj.
    Shkelja e të drejtave të punëtorëve në Kosovë, sidomos të atyre në sektorin privat, është një
    çështje e ngritur në forma të problematikave të ndryshme, që fatkeqësisht gjithnjë po shkon duke
    u rritur. Kjo si problem i përgjithshëm, ndërsa në mënyrë të veçantë i shprehur te gjinia
    femërore.
    Problematika kryesore, mendoj unë, është mungesa e kontratave për punëtorët e angazhuar,
    sidomos në sektorin privat, por edhe mosrespektimi i kontratave të nënshkruara. Shumë shpesh
    kemi kontrata me të cilat punëtorët janë të obliguar të punojnë 8 orë në ditë për pagën e
    përcaktuar në kontratë, ndërsa punojnë 12 orë në ditë. Kanë së paku një ditë të lirë gjatë javës
    sipas kontratës, ndërkaq punojnë 18 orë një të diel për ta pasur të lirë të dielën e javës pasuese,
    ose një javë rresht punojnë nga 18 orë gjatë ditës për ta shfrytëzuar një javë pushim, kryesisht
    gjatë pushimeve verore. Kjo dukuri është e shprehur sidomos te punëtorët e taksive private, pa
    përjashtuar edhe punëtorët e sektorëve tjerë.
    Sa u përket problemeve më të theksuara te gjinia femërore, përveç mosrespektimit të orarit të
    punës dhe detyrave të përcaktuara me kontratë, është edhe pushimi i lehonisë ai që nuk
    respektohet në shumicën e rasteve nga punëdhënësi. Për këtë shkak, shumë shpesh kemi edhe
    ankesa të formave të ndryshme dhe një numër shumë të madh.
    109
    Një tjetër problematikë shqetësuese, që për aq sa e përcolla debatin nuk e dëgjova deri më tash,
    është edhe rritja e dukurisë së ngacmimeve seksuale në vendin e punës. Përderisa shumë nga
    problematikat që u cekën, që i ceka unë dhe parafolësit tjerë, i përfshijnë punëtorët e sektorit
    privat, kjo dukuri edhe jomorale përfshin të dy sektorët.
    Krejt kjo dukuri negative dhe të tjerat që u përmendën ndikojnë në imazhin e keq dhe në
    joefikasitetin e punës së obliguar me kontratë, çka pastaj reflekton edhe joseriozitetin e
    përgjithshëm dhe dëmet e mëdha që u bëhen individëve të atakuar, familjeve dhe familjarëve të
    varur financiarisht nga të punësuarit dhe shoqërisë, në përgjithësi.
    Konsideroj se niveli lokal dhe i udhëheqjes, por edhe ai qendror, duhet të jenë më efektivë në
    mbikëqyrjen e të gjitha rrethanave që rëndojnë gjithnjë e më shumë ditën dhe jetën e qytetarit
    nëpërmjet formave të inspektimit përkatës të paraparë, sikur që duhet ta pranojmë faktin se asnjë
    qeveri e deritanishme nuk ka bërë aq sa duhet për të krijuar politika të mirëfillta sociale.
    Ndërkaq, përveç mbikëqyrjes ose inspektimit, duhet të merren edhe masa disiplinore për të gjithë
    punëtorët që i shkelin rregullat dhe abuzojnë me pozitën dhe vendin e tyre të punës, e që as rastet
    e tilla nuk mungojnë në vendin tonë dhe shpesh janë storie mjaft atraktive, në kuptimin më të keq
    të fjalës, në përditshmërinë dhe mediumet tona. Faleminderit!
  • Faleminderit! Zonja Halimi, e keni fjalën, pastaj Bekimi.
  • Faleminderit, kryetar!
    Meqenëse isha nënshkruese e kërkesës për këtë debat, ndiej obligim që t’i ngre disa çështje.
    Duke pasur parasysh faktin që zhvillimi i sektorit privat i ka paraprirë edhe krijimit të
    legjislacionit, ka krijuar praktika jo të mira në raport me të drejtat e punëtorëve dhe situatat e
    palakmueshme, që çdo ditë e më shumë po rriten në këtë sektor, mirëpo e kam ngrehur edhe këtu
    në Kuvend në kuadër të pikës - ngritja e çështjeve.
    Tashmë institucionet e Kosovës duhet të përfundojnë së kërkuari vetëm taksat dhe tatimet nga
    sektori privat, por duhet të kërkojnë domosdoshmërisht edhe respektimin e ligjit në raport me
    punëtorët, për faktin se sa të duash të mbledhësh taksa dhe tatime, po qe se klasa punëtore
    shkatërrohet, atëherë për çka i duhen shtetit mjetet?
    Aq sa unë arrita të kujtohem, në institucionet e Kosovës janë më shumë se shtatë lloje të
    inspektorateve dhe secili e bën inspektimin sa i përket fushës së vet. Inspektimi sipas fushave në
    secilën veç e veç ka të bëjë vetëm me inspektimin se a po respektohen ligjet e Kosovës, në
    veçanti në raport me punëtorët, a po mbrohen të drejtat e punëtorëve në punë?
    Të nderuar kolegë deputetë,
    110
    Është koha që Qeveria të mendojë për një riorganizim ndryshe të Inspektoratit dhe këto
    inspektorate të organizuara në institucione të veçanta, me detyra të veçanta, që e kanë një qëllim
    të vetëm, të organizohen asisoj që secili zyrtar që e ka titullin e punës inspektor të veprojë kudo
    që i jepet mundësia që sheh se ka ndeshje me ligjin, ngase po qe se bëjnë një ndarje të kërkesave
    ligjore në raport me të drejtat e punëtorëve, në raport edhe me mbrojtjen e mjedisit, në raport
    edhe me stafin në institucione publike, siç është arsimi, shëndetësia, e të ngjashme, dhe i
    kanalizojmë në shtylla shkeljet e ligjit apo kërkesat se si të respektohet ligji me të vetmin qëllim
    që të ruhet vendi ynë dhe të ruhen punëtorët, të mos dëmtohen nga menaxherët e tyre, qoftë në
    sektorin publik apo privat, këto përcaktohen në dhjetë grupe. Dhe, secili grup i ka vetëm nga dy
    nëngrupe, pa shkuar në ndarje të mëtejshme. Secili person që tashmë edhe e ka një përvojë të
    gjatë pune, mund t’i mësojë këto detyra shumë mirë dhe të veprojë kudo që sheh se ka ndeshje
    me ligjin apo ka dilema sa i përket respektimit të ligjit.
    Vetëm në këtë formë do të mund t’u ikim gjithherë arsyetimeve se nuk kemi mjaftueshëm
    inspektorë për këtë fushë apo atë fushë. Inspektori është inspektor dhe mund t’i mbajë në mend
    apo t’i shënojë në një fletore të vogël 20 kërkesa ligjore dhe cilindo institucion, pa dallim publik
    apo privat. Kjo duhet të bëhet kësisoj, mendoj unë, me të vetmin qëllim, që të gjithë të punësuarit
    në sektorin privat të mos e shohin veten si punëtorë apo të punësuar të papunësuar, sepse na
    rastis shpesh, të gjithë neve besoj, që secili thotë ‘më ndihmo ta punësoj djalin, dajën, tezen,
    hallën”. Kudo, në komunë, në bashkësi lokale, në institucione qendrore, në institucione publike...
    “Pse? A s’janë duke punuar kurrkund? - Jam në minimarket, jam në këtë kompani, jam në atë
    kompani, por ajo s’është punë”.
    Dhe, kjo ndodh vetëm për faktin se asnjë i punësuar në sektorin privat nuk ndien njëlloj sigurie
    dhe duhet të përfundojë më bindja se në sektorin publik ke siguri në vendin e punës, kurse në
    sektorin privat nuk ke siguri në vendin e punës.
    Trajtimi duhet të bëhet i barabartë. Më mirë është që vetë shteti t’i bonificojë institucionet,
    përkatësisht kompanitë private, të cilat e respektojnë ligjin në dobi të interesave të punëtorëve,
    sesa të kërkojë për çdo tre muaj, madje tash së fundi po dëgjoj në medie që edhe tri herë në ditë
    inspektorët shkojnë në kompani të caktuara për të verifikuar kuponë, kontrolle të ndryshme...
    Janë ato që duhet të plotësohen, nuk jam kundër, por tri herë në ditë shkon për një kupon, atëherë
    tri herë në ditë e sheh gjendjen e punëtorit në çfarë gjendjeje është dhe si e trajton menaxheri.
    Do të thotë, këto dy çështje duhet të shkojnë njësoj, sepse, mendoj unë, se për nga vlera dhe
    rëndësia prapë më përparësi i jap personit, punëtorit, sesa një kuponi fiskal, sepse me atë ti mund
    ta kthesh në formë të tatimit, të dënimeve dhe mund t’i marrësh mjetet si shtet, por shkatërrimin
    e një punëtori që punon 10 orë, 12 orë dhe 15 orë pa pushim 7 ditë në javë, atë nuk mund ta
    rehabilitosh pa shpenzime të mëdha.
    111
    Prandaj, edhe një herë bëj thirrje që institucionet duhet të mendojnë për një formë tjetër të
    organizimit të inspektorateve dhe secili duhet të veprojë kudo që është, në mënyrë që ta krijojmë
    mundësinë që të themi se të drejtat e punëtorëve po respektohen edhe në sektorin publik, edhe në
    atë privat.
    Nuk mund ta lë pa e përmendur edhe një rast në Gjilan. Kisha dashur që të mos jetë e vërtetë,
    mirëpo dje e mora si informacion. Një zyrtare e Administratës së Gjilanit fiton në zgjedhje lokale
    dhe e kryen mandatin e asamblistes, në të njëjtën kohë e pezullon vendin e punës si zyrtare,
    sepse ia ka lejuar ligji në atë kohë. Më pas, pas përfundimit të mandatit si asambliste do të
    kthehet në vendin e punës dhe Komuna e Gjilanit nuk e lejon. I drejtohet gjykatës dhe, uroj që të
    mos jetë kështu, se është gabim shumë i rëndë, mirëpo gjithnjë sipas interpretimit të saj, gjykata
    ia njeh të drejtën e kompensimit të pagave deri në kohën kur ajo bën ankesë në gjykatë, por nuk
    ia njeh të drejtën që të kthehet në vendin e punës. Kjo është një shkelje e etikës profesionale, nuk
    e di me apo pa qëllim, por duhet ta kemi parasysh këtë.
    Kemi dhe raste të tjera, kur nga institucionet publike përjashtohen njerëz me procedura
    disiplinore, punësohen në institucionin tjetër dhe me vendim të gjykatës kompensohen për vitet,
    të cilat nuk kanë mundur ta ushtrojnë profesionin në institucionin e parë, e të njëjtën kohë
    paguhen nga Buxheti në institucionin e dytë. Do të thotë, këto janë anomali dhe për ta akuzuar
    gjithherë vetëm sektorin privat duhet t’i heqim të gjitha këto dilema dhe këto veprime të
    dëmshme dhe të paligjshme edhe në sektorin publik. Faleminderit!
  • Faleminderit! Në fund, zoti Haxhiu e ka fjalën.
  • Faleminderit, i nderuar nënkryetar Haliti!
    Fillimisht, një pjesë të këtij fjalimi dua t’jua jap, që është përgatitur nga deputetja Xhevahire
    Izmaku, ia jap Administratës së Kuvendit që ta procedojë si pjesë e fjalimit. Ky në fakt është
    fjalimi i deputetes Xhevahire Izmaku, me të cilin bashkërisht e kemi organizuar këtë debat.
    E kemi organizuar këtë debat, sepse për mua, për deputeten Xhevahire Izmaku dhe Grupin
    Parlamentar të Partisë Demokratike, shkelja e të drejtave të punëtorëve është brengë e madhe dhe
    nga diskutimet e të gjithë diskutuesve sot vërtet vërehet që të gjitha grupet parlamentare dhe të
    gjithë deputetët e kanë këtë brengë dhe gjithsecili me diskutimet e tyre dha dromcat nga ajo pjesë
    e shkeljes së të drejtave të punëtorëve në të gjithë sektorët.
    E kam theksuar në arsyetimin e këtij debati KEDS-in. Pse KEDS-in e jo kompanitë tjera, ashtu
    siç e theksuan disa nga kolegët. KEDS-in sepse bën shkelje e të drejtave kushtetuese, largim
    kolektiv. Ne të gjithë kemi vuajtur nga largimet kolektive. Ne deputetët e Kuvendit të Kosovës
    nuk duhet t’i pranojmë largimet kolektive dhe vërtet duhet t’i dënojmë ato. S’e kam përmendur
    “Bechtel”-in, por i kam përmendur kompanitë ndërtuese ndërtimore, tregtare, private, nuk bëj
    selektime.
    112
    Kam theksuar sepse shkeljet e të drejtave të punëtorëve për ne në gjithë sektorin privat dhe
    publik janë brengë. Nuk janë demagogji, nuk janë hipokrizi. Këtu deputetët janë në këtë sallë dhe
    jetojnë me pagën e tyre, jetojnë nga paga e tyre. Nëse ndonjëri nga këta deputetë është pronar i
    ndonjë kompanie, përgjegjësia i takon atij, por nëse ndonjëri nga deputetët bën reklamim të
    ndonjë kompanie, siç janë për shembull Devollët dhe të njëjtit deputetë këtu na akuzojnë ne për
    hipokrizi dhe njëkohësisht u bëjnë devollëve reklamë, deputetët e kësaj partie u bëjnë reklamë
    devollëve. Kjo është hipokrizi dhe demagogji.
    Hipokrizi është nëse ti e lexon vetëm pikën 1, e nuk e lexon pikën 7 të rekomandimeve. Kjo
    është demagogji e skajshme, sepse kur kemi kërkuar inspektime efektive në pikën e parë, në
    pikën e shtatë kemi kërkuar rritjen e kompetencave dhe të numrit të inspektorëve, transparencë
    dhe llogaridhënie. Kjo është demagogji.
    Demagogji është të vihet në Kuvend, hipokrizi gjithashtu, të akuzohen devollët e të shkohet për
    të pirë “coca-cola” zero në jaht. Kjo është hipokrizi.
    Demagogji dhe hipokrizi është t’u thuhet deputetëve ‘jeni pronarë’. Ju jeni përfaqësues, ne jemi
    përfaqësues. Ne këtu në Kuvend jemi rrezikuar nga deputeti Kurti dhe nga disa kolegë të tij në
    vendin e punës. Këtu jemi rrezikuar. Përveç nesh, janë rrezikuar edhe punëtorët e Administratës,
    që s’ia kanë pasur borxh Albin Kurtit për kauzën e tij politike që t’i rrezikojë ata. Pra, kemi
    shkelje të të drejtave të punëtorëve edhe këtu, edhe në Kuvend, nga ata që për dogma politike
    përdorin çdo gjë.
    Qëllimi i këtij debati vërtet është për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, sepse me mbrojtjen e
    të drejtave të punëtorëve ne do arrijmë edhe zhvillim ekonomik. Pra, do t’i arrijmë dy efekte.
    Njëri që është në aspektin njerëzor dhe tjetri në aspektin zhvillimor. Këtë mendojmë ta arrijmë
    nëpërmjet një debati dhe mendoj që ky debat e ka arritur qëllimin, sepse ka arritur ta
    sensibilizojë këtë çështje, e cila shihet edhe nga diskutimet se ka qenë çështje e njohur për të
    gjithë, por e padebatuar dhe e padiskutuar. Nuk jam ndalur për të diskutuar për kompanitë veç e
    veç, por jam ndalur për t’i theksuar të gjitha vërejtjet që u përkasin shkeljes së të drejtave të
    punëtorëve.
    Dhe, krejt në fund, të nderuar kolegë deputetë, pasi sot nuk ka kuorum të mjaftueshëm për t’i
    votuar këto rekomandime, në diskutim edhe me kryetaren e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe
    Mirëqenie Sociale, mendoj që këto rekomandime bashkë me konkluzionet që janë nxjerrë nga
    monitorimi i Ligjit të punë të na vijnë për votim dhe t’i harmonizojmë bashkë, fillimisht në
    Komisionin Parlamentar, e pastaj t’i votojmë këtu në Kuvend. Faleminderit!
  • Faleminderit! Replikë, Albin Kurti.
    113
  • Faleminderit!
    Ne e dimë që kemi aq shumë dallime, mospajtime e kështu me radhë, nuk mund t’i trajtojmë tash
    të gjitha ato. Mund të organizojmë debate të veçanta, por për bindjen time, lidhur me këtë debat
    që është thirrur ka një kundërthënie fundamentale ndërmjet kërkesës për të drejtat e punëtorëve,
    për sigurinë në punë, për shëndetin e punëtorëve dhe parullës kryesore partiake “familja, prona,
    shteti”. “Familja, prona shteti”, domethënë këtu është çështja. Si sqarohet kjo kontradiktë
    fundamentale. Ne kemi pa fund dallime. Kemi bërë edhe akuza. Por, dallimet që i kemi janë
    dallime ideologjike, veçse me propozimin që keni bërë, unë pajtohem për shumë pika. Nuk mund
    të pajtohesh me këto propozime që i keni bërë dhe në të njëjtën kohë ta mbani lart flamurin
    partiak me parullën “familja, prona, shteti”.
    Pra, së pari familja, pastaj prona, në fund shteti. Thuajse shteti duhet t’i ruajë pronat e familjes.
    Kjo parullë është shumë e çuditshme. Është parullë ekstreme e djathtë. Partitë e ekstremit të
    djathtë në Evropë kanë këso parullash. “Familja, prona, shteti” është parullë e ekstremit të
    djathtë. Ekstremi i djathtë nuk është në funksion të të drejtave të punëtorëve. Unë vetëm këtë po
    e them. Kurse dallimet që i kemi, këto i diskutojmë ndonjë herë tjetër, ne vijmë në Kuvend
    prapë. Ato janë pa fund dhe shumë mirë që janë ashtu.
  • Kundër-replikë, Bekim Haxhiu.
  • Faleminderit, zoti Kurti!
    E vërtetë është që dallojmë në koncepte ideologjike, sepse orientimi i Partisë Demokratike dihet
    dhe ai i partisë suaj, domethënë nga Koreja e Veriut, edhe ai dihet. Por, po doni arsyetim. E
    drejta e punëtorit, e drejta e punëtorit po kërkon... Si i mendon punëtorët, Albin? Njerëz të ardhur
    nga hëna? Nuk i konsideron pjesë të familjes punëtorët? Të kujt janë këta këtu punëtorët në
    ndërmarrje publike? Çka janë ata? Punëtorët në sektorin privat nuk punojnë për familjen? Nuk e
    konsideron të drejtën e punëtorëve cenim edhe të familjes? Gabohesh atëherë. Gabohesh,
    gabohesh! Ai është koncepti juaj.
  • Faleminderit! Të nderuara zonja dhe zotërinj, me kaq ky debat dhe seanca kanë
    përfunduar.
    Mirupafshim në seancën e ardhshme, kur ta caktojë Kryesia e Kuvendit. Faleminderit!
    E përgatiti:
    Njësia për Transkriptim dhe Lekturë
    114