• Republika e Kosovës
    Republika Kosovo - Republic of Kosovo
    Kuvendi - Skupština - Assembly







    T R A N S K R I P T



    I MBLEDHJES SË VEÇANTË TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË
    KOSOVËS, E MBAJTUR MË 9 QERSHOR 2015



    SA POSEBNE SEDNICE SKUPŠTINE REPUBLIKE KOSOVA,
    ODRŽANE 9. JUNA 2015. GODINE












    QERSHOR - JUNI
    2015



    Rendi i ditës



    1. Jeta dhe vepra e heroit kombëtar, Isa Boletini.





    Dnevni red


    1. Život i delo narodnog heroja, Isa Boljetini.
































    2
    Mbledhjen e drejtoi kryetari i Kuvendit, z. Kadri Veseli.

  • Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
    I nderuar kryeministër,
    Kabinet qeveritar,
    Të nderuar mysafirë të pranishëm,
    Mirë se keni ardhur në seancën e veçantë kushtuar jetës dhe veprës së heroit kombëtar, Isa
    Boletini!

    (Intonimi i himnit)

    Jemi mbledhur sot në këtë seancë të veçantë për ta nderuar figurën e të madhit të kombit tonë Isa
    Boletini me rastin e rivarrimit të tij.

    I gjithë populli i Kosovës dhe ne përfaqësuesit e tij sot jemi krenarë që kemi mundësi për t’i bërë
    nderime shtetërore këtij personaliteti të madh të lëvizjes sonë kombëtare.

    Në një kohë dramatike për popullin tonë, vepra e Isa Boletinit përcaktoi shumë rrjedha të
    historisë dhe u bë shembull i frymëzimit patriotik për brezat pasardhës, që e trashëguan misionin
    e çlirimit të Kosovës.

    Pas kësaj seance, në hollin e Kuvendit do të mbahen homazhe për Bacën Isë, të cilat janë të
    hapura, si për institucionet e Kosovës, ashtu edhe për qytetarët tanë.

    Në vazhdim do ta kemi nga një fjalë rasti nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

    Fjalën e ka zoti Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit.

  • Të nderuar ambasadorë të vendeve mike,
    I nderuar kryetar i Kuvendit, zoti Veseli,
    I nderuar kryeministër, Isa Mustafa,
    Të nderuar deputetë,
    Të nderuar ministra,
    Të nderuar familjarë të heroit të kombit, Isa Boletini,
    Të nderuar të pranishëm,
    Të flasësh për një nga figurat më emblematike të kombit shqiptar, Isa Boletini, është nder dhe
    privilegj i madh.

    I ndikuar fuqishëm nga rrethanat e kohës, të cilat popullit shqiptar pakursyeshëm ia kishin
    imponuar luftën për mbijetesë fizike, njerëzore, kombëtare dhe territoriale, Isa Boletini
    burrërohet më herët se zakonisht për t’u vënë në shërbim të kombit dhe atdheut.

    Në moshën 17-vjeçare, në prill të vitit 1881, merr pjesë në Betejën e Slivovës, ku trupat
    ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor 1878 u ndeshën fuqishëm me Ushtrinë
    Osmane.


    3
    Duke qenë i brumosur në frymën politike dhe ushtarake të Lidhjes, Isa Boletini e përkrahu
    patriotin Haxhi Zeka dhe atdhetarë të tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës, më 1899-
    1900, dhe qëndresën e saj kundër sunduesve osman dhe qarqeve shoviniste fqinjë.

    Edhe gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912, Isa Boletini ishte një ndër krerët më në zë të çetave të
    Kosovës.

    Isa Boletini hyri në historinë shqiptare për kontributin dhe arritjet për shpalljen e pavarësisë së
    Shqipërisë. Hyri në histori në një moment historik, por është nga të paktët që i rezistoi gjykimit
    të historisë. Kurse pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, vihet në mbrojtje
    ushtarake që Qeverisë së parë shqiptare, asaj të Ismail Qemalit.

    Po ashtu, ishte anëtar i delegacionit shqiptar, që me Ismail Qemalin shkoi në Londër për ta
    mbrojtur ekzistencën e Shqipërisë të porsakrijuar. Faktikisht, vënia në mbrojtje ushtarake dhe
    diplomatike e pavarësisë së Shqipërisë shënon aktin kulmor të përkushtimit dhe përpjekjes së
    heroit tonë në shërbim të kombit.

    Jorastësisht, Baca Isë u bë simbol i pashtershëm frymëzimi i gjeneratave të tëra të shqiptarëve në
    përpjekjet dhe luftën e tyre për çlirim, liri e pavarësi, që kulmuan me luftën çlirimtare të Ushtrisë
    Çlirimtare të Kosovës.

    Të ndodhurit e tij krah Ismail Qemalit, themeltarit të pavarësisë së Shqipërisë, e ka mbajtur në
    këmbë dhe e ka çuar përpara edhe në rrethanat më të rënda të popullit tonë aspiratën për
    bashkim.

    Në të gjitha veprimtaritë e organizuara nga Qeveria, si dhe nëpërmjet kësaj seance të veçantë të
    Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionet e shtetit tonë dhe përgjithësisht kombit shqiptar
    po kryejnë një pjesë të obligimit që kanë ndaj Isa Boletinit, ndaj të kaluarës dhe së ardhmes sonë.

    Pjesa tjetër e obligimit tonë, kurorëzimi i së cilës do të rezultojë me integrimin euroatlantik dhe
    kombëtar të popullit tonë, mbetet për t’u përmbushur me përpjekjet më të koordinuara dhe me
    përkushtim edhe më të madh mbetet detyrë prioritare e institucioneve të tanishme shtetërore, e
    institucioneve dhe gjeneratave të ardhshme. Vetëm kështu kombi ynë do ta zërë vendin e
    merituar në familjet e kombet e qytetëruara. Përmasa kombëtare e Isa Boletinit, përkushtimi i tij
    madhështor ndaj kombit, si dhe lavdia e tij do t’i mbijetojë shekujt shqiptarë edhe pas 10
    qershorit.

    Isa Boletini meriton nderimin e gjithë shqiptarëve dhe kam bindjen se vendlindja e tij do të
    kthehet në faltore për të gjithë shqiptarët në Ballkan. U prefshin në paqe eshtrat tuaj, heroi ynë
    Isa Boletini! Lavdi!

  • Faleminderit, zoti Haliti! Tani fjalën e ka profesori Sabri Hamiti, nënkryetar i
    Kuvendit.

  • Zonja dhe zotërinj,
    Kolegë të nderuar,

    4
    Mysafirë të çmuar,
    Shënjimi i përvjetorit të Isa Boletinit në Kuvendin e Republikës së Kosovës na bën të
    reflektojmë sot këtu për historinë e trashëgiminë, për ngjarjet e figurat historike, sepse nuk ka
    kohë zero të një vendi e të një kombi. Kosova në vitet e ‘60-ta e rizbuloi Gjergj Kastriotin në
    500-vjetorin e tij. Kosova në vitet e ‘70-ta e rizbuloi në 100-vjetor Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,
    bashkë me të Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin. Po ashtu, ndarjen dhe vetminë 100-vjeçare. Në
    vitet e ‘80-ta, Kosova e zbuloi vetveten dhe kryengritjen. Në vitet e ‘90-ta, Kosova enjohu
    vetveten, domosdoshmërinë e lirisë e të pavarësisë dhe të luftës për liri.

    Ftoi njohje dhe bota nëpërmjet Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Në vitet 2000 ,Kosova u
    shpall dhe u njoh e pavarur në 100-vjetorin e alfabetit shqip dhe në prag të 100-vjetorit
    pavarësisë së Shqipërisë, duke kujtuar Ismail Qemail Vlorën dhe Isa Boletinin.

    Kujtimi i ikonave shqiptare të lidhura njëra me tjetrën, të cilat në mbiemër mbajnë vende e
    krahina shqiptare, në kohë e në hapësirë, na nxjerrin përpara, mbi të gjitha, sintaksën shqiptare
    që lidh mendimin dhe veprimin për ta krijuar identitetin kombëtar si vetëdije e si histori, një
    trashëgimi që kapërcen breza e kapërcen shekuj.

    Sot që po e shënjojmë njëqindvjetorin e Isa Boletinit, duke i kthyer eshtrat e tij në vendlindje, në
    Boletin, lejohet që të kalohet nga kujtesa historike në kujtesë poetike, duke pasur vetëdijen që Isa
    Boletini ishte këtu përgjithmonë.

    ISA BOLETINI
    Fliste. Flitnin. I dëgjonte,
    Isa me sy plot mall
    Maste largësitë e Dheut.

    Me gishta të trashë
    Shkruante hartën e re
    Në dheun e kuq të udhës,
    Isa me sy të përmalluar
    Maste largësitë e At-Dheut.

    Tymi le të dalë në Llap
    Kur nën lisa bie dushku
    Të çohet flakë përnjëherë
    Në Kaçanik, në Carralevë.
    Isa me sy të përmallshëm
    Shihte udhët që ngjiteshin.

    Flaka nis zihet e rritet
    Kur dushku bie ndër Lisa
    Zjarri e djeg mustakun
    Në sy ziente lotin Isa
    E vargu i shtruar me plisa
    E zdrit udhën në një.

    5
    Isa me sy të përmallshëm
    Maste gjerësitë e Dheut
    Këmbët ngulte në Gur
    Kur shkelte në Flamë-Urë
    I drejtë si një Flamur.

    E tirrte mallin Isa
    Në flakë digjej shtëpia
    Kur dushku bie nën Lisa
    E rruga shtrohet me plisa
    Me gisht krijonte hartën
    Po gishti pikonte gjak.

    Nuk herret mali me shpatë
    Nuk shkelet deti me kalë
    Nuk shuhet malli me valë
    Në udhën e shkretë në natë.
    Kur shkeli në Flamë-Urë
    I drejtë si një Flamur.

    Një dorë në zemër një në flakë
    E shkundi malin fryu fushat.
    Masha ia mati shtatin!
    Kur tha se vdiq keq tjerr fatin,
    Me lot me rrenat e Dheut
    Mat gjerësinë e At-Dheut.

    Prishtinë, 1981 - Faleminderit!

  • Faleminderit, Profesor! Glauk Konjufca e ka fjalën.

  • E nderuara familje Boletini,
    Të dashur qytetarë,
    Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
    Isa Boletini është një prej figurave qendrore të pavarësisë shqiptare. Ai, së bashku me Ismail
    Qemalin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin e Idriz Seferin e vazhduan rrugën e
    Abdyl Frashërit e Ymer Prizrenit për lirinë tonë kombëtare kundër shtypjes osmane.

    Por, figurat tona të mëdha kombëtare nuk janë thjesht që t’i nderojmë vetëm sa për t’i varrosur
    në panteonin e lavdishëm të historisë. Isa Boletini është aktual, jo muzeal. Vlerat e tij janë
    udhërrëfyes për këdo që merr përsipër përgjegjësi publike për kombin.

    Së pari është atdhedashuria e pakushtëzuar. Isa Boletini nuk e shihte kombin nëpërmjet vetvetes,
    por veten e tij nëpërmjet kombit. Fati i tij personal është singular me fatin e kombit shqiptar.
    “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”, i tha ai Ibrahim Pashës, pasi ai ia bëri disa premtime për

    6
    pasuri dhe për poste, duke i thënë që mund t’ia bënte jetën e tij personale shumë më të mirë sesa
    e kishte. Por, ai tha: “Jo, faleminderit! Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

    Pra, kombi im është kushti i jetës sime, e jo e kundërta. Kur i mbështeti xhonturqit kundër
    Sulltan Hamitit, ai këtë e bëri sepse bashkë me Hasan Prishtinën mendonin se kjo do të sillte më
    shumë liri e të drejta për shqiptarët. Por, kur doli e kundërta, ata nuk u ndalën. Luftën më të
    madhe e bën pikërisht kundër ‘turqve të rinj’, sepse shtypja kundër shqiptarëve nuk u hoq.

    Së dyti është guximi i tij i paepur. Isa Boletini ka qenë i pathyeshëm. Ai ishte një prej
    komandantëve të Gardës së Sulltanit, por u pajtua me rrëzimin e tij, vetëm që për shqiptarët të
    bëhej më mirë. Asnjë privilegj, asnjë post, asnjë favor, asnjë pasuri e premtuar nuk e lëkundi Isa
    Boletinin që ta hidhte qoftë një hap të vetëm kundër popullit të vet.

    Kur xhonturqit ia zunë peng dy djemtë e tij në Selanik dhe i thanë që të dorëzohej, ai tha: “Jo
    vetëm këta dy, por nëntë djemtë e mi nuk i kam bërë për vete, por për lirinë e Shqipërisë”. Kjo
    do të thotë që jo vetëm veten, por gjithë familjen e farefisin, Isa Boletini e vendosi në tehun e
    sakrificës kolektive për lirinë e kombit. Nuk është se nuk iu dhimbën djemtë. Të gjithëve u
    dhimben fëmijët e vet. Nuk është se ishte pa ndjenja. Por, se ishte thelbi i njeriut: ta mohosh
    veten dhe familjen për ta pohuar kombin.

    Pasardhësi i drejtpërdrejtë i Isa Boletinit është Adem Jashari. Familjet e tilla dhe personalitete si
    Isa Boletini e Adem Jashari bëhen leva të Arkimedit për lirinë e një kombi të tërë.

    Së treti është modestia dhe refuzimi kategorik që të përfitosh personalisht nga liria e kombit. Kur
    Ismail Qemali i kërkoi Isa Boletinit të bëhej ministër në Qeverinë shqiptare, ky i fundit i tha se
    ka njerëz edhe më të shkolluar. Ai, pra, nuk e shihte lirinë e kombit të vet si një mundësi për
    vete, para së gjithash. Kur hyri në Vlorë dhe e puthi flamurin kuqezi të pavarësisë, zemra iu
    mbush plot dhe me kaq u mjaftua për vete. Pavarësia nuk mbahet me privilegje vetjake, por
    vetëm me sakrifica të vazhdueshme personale që ajo të mund të qëndrojë. E nesërmja e
    pavarësisë, atë e gjeti në Shkodër, duke e mbrojtur atë nga Mali i Zi, në Malësinë e Gjakovës,
    apo në Durrës, në një luftë tjetër kundër xhonturqve. Të vegjël janë ata që mendojnë për poste,
    kur kombi ka nevojë për mbrojtje.

    Zonja dhe zotërinj,
    Isa me të drejtë po varroset në Boletin. Por, do të jetë i qetë vetëm atëherë kur mbi kalanë e
    Zveçanit të valojë flamuri kuqezi, e jo ai i Serbisë. Dhe, vetëm atëherë kur Mitrovica, të cilën ai
    aq shumë e deshi dhe për të cilën luftoi, të bashkohet.

    Isa Boletini nuk do të prehet i qetë, nëse varri dhe kulla e tij përfundojnë në “Zajednicën serbe”,
    të cilën po e krijojnë pikërisht këta që po i thurin lavde.

    Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar, Isa Boletini!

  • Faleminderit! Ramush Haradinaj e ka fjalën.

  • I nderuar kryetar i Parlamentit,

    7
    Kryesi,
    I nderuar kryeministër,
    Kabinet qeveritar,
    Të nderuar deputetë,
    Mysafirë të pranishëm,
    Të nderuar qytetarë,
    Nëse në historinë tonë kombëtare kërkojmë vlera atdhetare, por edhe humanizmin dhe respektin
    për shtet dhe identitet kombëtar, atëherë këto vlera padyshim se i gjejmë në figurën e Isa
    Boletinit.

    Vepra e Isës si për së gjalli, ashtu edhe tani, e ka një simbolikë të fuqishme, që konsiston në
    idenë e të qenët bashkë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe më gjerë, pa dallime dhe ngjyrime
    partiake e politike. Madje, Isa veten e identifikoi me fatin e atdheut, duke u shprehur burrërisht
    se ai ishte mirë kur ishte mirë Shqipëria.

    Isa jetoi dhe veproi në kohën kur qenia kombëtare e territoriale e shqiptarëve u rrezikua shumë
    seriozisht. Kryengritjet në Kosovë e më gjerë, të udhëhequra nga ai, e patën një jehonë të madhe
    dhe e përgatitën terrenin për pavarësimin e Shqipërisë. E nëse Isa gjatë jetës e la një porosi,
    atëherë këtë gjë po e bën edhe tani. Ai po i kthehet vendlindjes me porosi se atdheu nuk
    tjetërsohet, nuk vihet në pazar dhe roje e dëshmi do të jetë vetë prehja e tij në Boletin.

    Prehja e eshtrave të Isa Boletinit në vendlindje imponohet edhe nga fakti se varri i tij ishte
    mbajtur sekret rreth 70 vjet nga pushtetet e mëhershme i pashënuar, me qëllim të zhdukjes së çdo
    gjurme të këtij trimi dhe bashkëluftëtarëve të tij, andaj ky akt është një borxh i dyfishtë yni ndaj
    këtij heroi.

    Figura e Isës, edhe tani 99, vjet pas vdekjes, le të jetë shembull për të gjithë se si interesi
    kombëtar e shtetëror vendoset para çdo interesi tjetër.

    Lavdi dhe u preftë i qetë për jetë e mot!

  • Faleminderit! Valdete Bajrami e ka fjalën!

  • Faleminderit!
    Të nderuar të pranishëm,
    E nderuara familje Boletini dhe ju mysafirë të nderuar!
    Sot, pak muaj pa u mbushur 100 vjet, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetrimit shqiptar
    të Kosovës, Isa Boletini, po ia bëjmë nderimin e merituar, për të cilin nderim heroi i ynë dhe
    populli ynë pritën një shekull.

    Për të ardhur te ky moment u deshën shumë përpjekje, shumë flijime, shumë ngritje e rënie të
    disa brezave, prej të cilëve brezi ynë, pas atij të UÇK-së, po rezulton të jetë më fatlumi, pasi vite
    më parë ia hapi rrugën e ardhjes në Kosovë kryeheroit të shqiptarëve Skënderbeut, pak para disa
    ditëve flamurtarit të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, e tani edhe fatosit të kryengritjeve
    shqiptare të viteve 1910-1912, Isa Boletini.


    8
    Qytetarë të nderuar të Kosovës,
    Shqiptarë, kudo që jeni!
    Isa Boletini, atdhedashurinë e tij do ta tregojë në vitet e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të
    Prizrenit, kur si minoren mori pushkën për t’iu bashkuar luftëtarëve të saj. Luftëtarët kombëtarë
    do ta kursejnë shaljanin e ri nga Boletini dhe nuk u gabuan.

    Nuk do të vonojë kur ai për dekada do të bëhet njëri nga udhëheqësit më me integritet i të gjitha
    besëlidhjeve shqiptare, njëri nga drejtuesit e luftëtarëve më të pakompromis të të gjitha
    kryengritjeve shqiptare për çlirim, për autonomi e pavarësi të shqiptarëve e të Shqipërisë.

    Në ditët më të vështira të popullit shqiptar, në fillimshekullin XX, në ditët që e bënë të lavdishëm
    shekullin e pavarësisë së Shqipërisë, ishte krah për krah Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Luigj
    Gurakuqit, Bajo e Çerçiz Topullit, Bajram Currit e luftëtarëve të tjerë të mëdhenj të kombit, të
    burrave me integritet që e nisën epokën e epokave të shqiptarëve - epokën e pavarësisë së
    Shqipërisë.

    Edhe sot, nga kjo foltore e Kuvendit të Kosovës, atyre burrave të kombit ua përcjellim nderimet
    tona të përjetshme, të sinqerta e bujare.

    Isa Boletini lindi më 15 janar 1864, në fshatin Boletin, i cili shtrihet në pjesën veriore të
    Mitrovicës, aty ku familja Boletini kishte shtëpi e katandi, e kishte kullën me bedena që e therte
    qiellin, e cila armiqve të Shqipërisë u bënte karshillëk dhe për të atdheun ishte roje nderi dhe
    llogore lufte.

    Në një ambient tej atdhetar kur tregoheshin legjenda për trimërinë tradicionale shqiptare, ku
    thureshin e bëheshin legjendat, ku tregoheshin bëmat e Skënderbeut, të Gjergj Elez Alisë, Abdyl
    Frashërit, Sylejman Vokshit, Mic Sokolit, Sefë Kosharës, Ali Ibrës, Jakup Ferrit, u rrit e u
    edukua shtatlarti i Boletinit, që edhe për jetën e veprën e tij u thurën mite e legjenda.

    Vetëm kjo formë e të mësuarit të historisë nëpërmjet miteve e legjendave, popujve të robëruar e
    të paarsimuar, siç ishte edhe populli ynë, u ka mundësuar të kapërcejnë shekuj e ta ruajnë me
    integritet identitetin e tyre, etninë, gjuhën, kulturën, traditën e tyre të përcjellë brez pas brezi.

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit për shqiptarët, kudo që ishin, po e hapte një epokë të re, epokën e
    shqiptarizmit, jo vetëm për një komb, për një gjuhë, shkollë e atdhe të përbashkët, por edhe për
    një shtet të shqiptarëve, Shqipërinë.

    Idetë që i formoi e i kristalizoi shekulli XIX nëpërmjet mendjeve të ndritura të Rilindjes
    Kombëtare, duhej t’i vazhdonte, finalizonte e formalizonte shekulli XX dhe për këtë populli
    shqiptar i kishte bërë përgatitjet e shumanshme, e mbi të gjitha historia njëshekullore i kishte
    përgatitur drejtuesit dhe luftëtarët e integritetit të lartë kombëtar e atdhetar, luftëtarët e pavarësisë
    së Shqipërisë. Një nga këta luftëtarë, me identitetin dhe integritetin e tij të paluhatshëm e të
    pakompromis, pa dyshim se ishte luftëtari nga Boletini.


    9
    Isa Boletinin jeta e kishte mësuar për t’u përballur me furtuna e vështirësitë e jetës, jeta e kishte
    bindur se nderi, liria, lavdia e kanë çmimin të shtrenjtë, tepër të shtrenjtë, sa për këto gjëra të
    çmuara njerëzore që shërbejnë e vihen në shërbim të brezave ia vlen të bëhet çdo flijim njerëzor.

    Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
    Të nderuar bashkëkombës kudo që jeni,
    Edhe sot, sikur para 100 vjetëve, Kosovës i duhet urtia e rilindësve tanë të urtë. Na duhet
    shqiptarizmi si fe e atdhe, ajo që na bëri strehën e përjetshme në Evropën pellazge, na duhet
    dashuria e integritetit për komb e atdhe, na duhet guximi i lëvizjes kombëtare për çlirim, i asaj
    lëvizje që lindi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantin legjendar, Adem Jashari.

    Janë këta breza që na brumosën me dashuri për lirinë e pavarësinë, që sot i kemi. Respekti për
    këta breza, që nuk kursyen asgjë për komb e atdhe, respekti për Isa Boletinin na bëri që, duke e
    nderuar kryeheroin e kryengritjeve shqiptare, ta nderojmë qershorin e Lidhjes Shqiptare të
    Prizrenit dhe qershorin e lirisë së Kosovës.

    Lavdi e përjetshme heroit të kombit, Isa Boletini! Faleminderit!

  • Faleminderit! Të nderuar të pranishëm, ju falënderoj për pjesëmarrjen, me çka
    edhe i përmbyll punimet e kësaj seance kushtuar jetës dhe veprës së heroit kombëtar, Isa
    Boletini.

    Edhe një njoftim: nga ora 14:00 deri në orën 17:45, eshtrat e heroit kombëtar do të jenë në hollin
    e Kuvendit të Republikës së Kosovës për homazhe. Faleminderit!














    E përgatiti:
    Njësia për Transkriptim dhe Lekturë







    10