Faleminderit, kryesues!
Grupi Parlamentar i PDK-së e ka shqyrtuar Projektligjin për barazi gjinore dhe do ta votojë në
parim.


115
Një ndër kriteret për liberalizimin e vizave që ka vendi ynë është edhe ky projektligj i
rëndësishëm. Qëllimi i këtij projektligji është garantimi, mbrojtja dhe promovimi i barazisë
gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të një shoqërie. Ky projektligj përcakton
masa të përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të barabarta të
grave dhe burrave. Po ashtu, është shumë me rëndësi që me këtë ligj do të përcaktohen
kompetencat dhe përgjegjësitë e institucioneve, të cilat do të jenë përgjegjëse për zbatimin e tij.

Pas analizës së këtij projektligji, ne kemi veçuar si vërejtje nenin 9, pikën 1 dhe 2, ku thuhet
“emërimi, shkarkimi, funksionet dhe përgjegjësitë e kryeshefit, apo kryeshefes ekzekutive
rregullohen me dispozitat përkatëse në fuqi në Republikën e Kosovës”, por nuk përmenden aktet
normative dhe as nuk definohet institucioni, i cili e bën emërimin dhe shkarkimin e krye shefit
apo kryeshefes ekzekutive.

Në tërë tekstin e projektligjit përdoren shprehjet “burrë - grua”. Ne mendojmë që më e
pranueshme do të jetë të përdoren shprehjet “mashkull - femër”, sepse është më gjithëpërfshirëse
dhe nuk e përjashton asnjë kategori shoqërore sipas moshës, derisa shprehjet “burrë - grua” janë
shprehjet që u referohen personave në relacione martesore.

Grupi Parlamentar i PDK-së kontributin e vet do ta japë në Komisionin Funksional gjatë fazës së
amandamentimit të këtij projektligji. Faleminderit!

Keyboard shortcuts

j previous speech k next speech