Faleminderit, zoti kryesues!
I nderuar kryeministër,
Ministra të nderuar,
Kolegë deputetë të nderuar,
Ky projektligj, i cili është i titulluar si “Projektligji për barazi gjinore” është, mendoj që ndër
projektligjet më të rëndësishme në sistemin legjislativ të Kosovës, për faktin se flet për gjininë
femërore e në parim gjinia femërore është gjysma e popullatës së Kosovës dhe, me rolin që ka në
edukimin e brezave të ri, atëherë mund të themi lirisht se është tërë popullata e Kosovës.

Prandaj, unë mendoj se duhet një vëmendje e veçantë, si nga ana e deputetëve, ashtu edhe nga
ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Është e vërtetë se kam shumë vërejtje në përmbajtje,
në aspektin përmbajtjesor të këtij projektligji, të cilat do të mundohem shkurtazi t’i them këtu,
për faktin se duke mos qenë as pjesë e komisioneve, në pamundësi të ndërhyj e të propozoj, po e
shfrytëzoj rastin këtu, të them në mënyrë gojore, ndoshta Komisioni për të Drejta dhe Barazi
Gjinore do t’i marrë parasysh këto propozime.

Në anën tjetër, ne e dimë edhe gjendjen shumë të rëndë të gjinisë femërore në vendin tonë,
fatkeqësisht. Ajo që më bën më tepër të jap vërejtjet apo konkretisht, propozimet te ky
projektligj, jemi tek neni 3, te përkufizimet, ku kemi të bëjmë me paragrafin 1.7 dhe 1.8. Sipas
këtyre paragrafëve, do të thotë paragrafi 1.7 i titulluar si “seksi”, definon kush është mashkull
dhe kush femër, ndërsa 1.8 “gjinia” e thotë të kundërtën. “Gjinia - thotë, - është identitet i fituar.”

Unë kërkoj falje, ndoshta është bërë pa qëllim kjo, por mendoj se prapëseprapë kjo i mbetet
përgjegjësi komisionit, se gjinia nuk është identitet i fituar, gjinia është identitet i lindur, se njeriu
lind mashkull apo lind femër. Prandaj, nuk është seksi ai që definon kush është mashkull e kush

124
femër, por është gjinia, ngase nëse i referohemi këtyre përkufizimeve, konkretisht, nëse i
referohemi nenit 3, përkufizimit 1.7 “seksi” atëherë, do të bie që ky projektligj të mos titullohet
për barazi gjinore, por të titullohet “Projektligji për barazi seksuale”.

Prandaj, prapë po them, përgjegjësia kryesore i mbetet këtij komisioni të punojë në këtë
projektligj dhe t’i harmonizojë këto përkufizime, ngase gjinia e definon kush është mashkull e
kush femër. Është e vërtetë, që klima në Kosovë është mjaft e rëndë për gjininë femërore në
shumë fusha, duke filluar nga familja. Jemi dëshmitarë për dhunën e madhe që ndodh në familje
në raport ndaj gjinisë femërore. Padrejtësia më e madhe, kur jemi te familja, është se femrës i
mohohet edhe e drejta në trashëgimi, e cila fatkeqësisht është kjo mendësi për shkak të sistemit
patriarkal, që ekziston në Kosovë.

Prandaj, unë mendoj se qysh nga familja kemi shtypje të gjinisë femërore, pastaj në evoluimin
apo avancimin tjetër shoqëror të gjinisë femërore kemi prapë shtypje të rëndë të gjinisë femërore,
duke filluar nga shkollimi i saj, punësimi i saj. Edhe pse, ky projektligj një vëmendje të veçantë i
ka kushtuar diskriminimit në baza gjinore në çështjen e punësimit, unë mendoj se edhe në fusha
tjera, përveç kësaj, se te punësimi ne e dimë, fatkeqësisht, kriter kryesor për punësim nuk merret
kualiteti i një gruaje apo përvoja e saj e puna e saj, por fatkeqësisht, në të shumtën e rasteve
merret edhe dukja e saj.

Prandaj, kur jemi prapë te punësimi, flasim këtu edhe për një shkelje më të rëndë, që kemi të
bëjmë, të gjinisë femërore. Do të flas për kategorinë e lehonave. Ne e dimë, që lehonat
fatkeqësisht, jemi i vetmi vend në rajon, për të mos thënë edhe në Evropë, ngase nuk jemi ende
pjesë e Bashkimit Evropian, që kemi shtypur mjaft rëndë të drejtat e lehonave dhe, nga kjo
padrejtësi që është bërë ndaj tyre, ato shpeshherë detyrohen ndoshta të ndërmarrin, po flas për
gjininë femërore, të marrin hapa konkretë të kufizimit të shtatzënive të tyre dhe, kjo deshtë e pa
deshtë po ndikon drejtpërdrejt në natalitetin e popullsisë së Kosovës.

Prandaj, unë mendoj që kësaj Qeverie i mbetet një punë mjaft për të bërë, veçanërisht këtë pikë,
për të drejtën dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pushimit të lehonave, sa i përket
fushës së punësimit të tyre.

Prandaj, pa dashur ta zgjas më shumë, prapë po them, është ky një projektligj i një rëndësie të
veçantë, ngase flet për gjysmën e popullatës së Kosovës dhe, kur e kemi parasysh rolin e
edukimit të brezave të rinj, atëherë mund të themi, se po flasim për tërë popullatën e Kosovës.

Unë pres një mobilizim më të madh nga kolegët e gjinisë mashkullore këtu deputetë në
Kuvendin e Kosovës, ngase është e jona ta dëshmojmë, se duhet ta mbrojmë gjininë femërore, e
cila fatkeqësisht dhe padrejtësisht është e atakuar në Kosovë. Mos të harrojmë, se gjinia femërore
është viktimë e shumë trafikimeve me qenie njerëzore, është viktimë e prostitucionit, por fajtori
kryesor është gjinia mashkullore, në këtë aspekt.

Ne, fatkeqësisht, jemi dëshmitarë dhe kemi shumë tekste apo më mirë me thënë, libra
universitarë të cilët flasin dhe atakojnë padrejtësisht gjininë femërore për të gjitha punët jo të
mira. Jemi dëshmitarë, se edhe në vitet e fundit dhe në muajt e fundit kemi pasur shumë raste në

125
shumë qendra të Kosovës të ngacmimit seksual nga mësimdhënësit ndaj vajzave e nxënëseve të
tyre.

Prandaj, unë mendoj që është koha e fundit, ne si shoqëri e veçanërisht ne si gjini mashkullore të
ngremë zërin dhe njëherë e përgjithmonë gjinisë femërore t’i japim vendin e merituar, e cila ka
kontribuar në çdo fazë të ndërtimit të shtetit të Kosovës, qoftë në kohën e luftës, në kohën e
paqes dhe tash.

Prandaj, edhe njëherë i bëj thirrje të gjithë kolegëve të gjinisë mashkullore që të jemi më të
vendosur në mbrojtjen dhe përfaqësimin dinjitoz të gruas kosovare në shoqëri. Faleminderit!

Keyboard shortcuts

j previous speech k next speech