Faleminderit, kryesues!
I nderuar kryeministër Mustafa,
Të nderuar anëtarë të Kabinetit qeveritar dhe ju kolegë deputetë,
Edhe Ligji i kaluar për barazinë gjinore ka garantuar të drejtat për të dy gjinitë, përfshirë edhe të
drejtën e pronës, por mendoj se qasja e ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi në ndryshimin e
Kodit Civil garanton më shumë barazi në këtë fushë.

Duke konsideruar si shumë shqetësues dhe alarmant për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të
barabartë të gjithë qytetarëve në Republikën e Kosovës faktin, se sot në Kosovë vetëm 8% e
pronave janë të trashëguara nga gratë, konsideroj se ne si deputetë të Kuvendit të Republikës së
Kosovës duhet të shtojmë përpjekjet edhe individuale, por edhe institucionale, që gratë të marrin
pjesën e tyre të garantuar me ligj nga trashëgimia familjare.

130
Arsyet pse kemi nivel të ulët të trashëgimisë së pronave ndërlidhen ngushtë me traditat tona
shumë të fuqishme, që vetëm meshkujt duhet të jenë trashëgimtarë të pasurisë familjare.
Shpeshherë pamundësia e grave për të trashëguar pronën familjare ndikon negativisht në pozitën
e saj në shoqëri, ku për rrjedhojë ajo mbetet shumë e dobët në sektorin e biznesit, ku në
përgjithësi konsiderohet se vetëm 3% e grave janë pronare të bizneseve në Kosovë, numër ky jo i
kënaqshëm dhe shumë i ulët, në bazë të karakteristikave demografike, që ka Republika e
Kosovës.

Po qe se, gratë do të ishin në numër më të madh trashëgimtare të pronës së prindërve, atëherë ato
do të jenë të fuqizuara ekonomikisht edhe në rast se vendosin ta zgjerojnë apo zhvillojnë
biznesin e tyre, ato mund ta lënë pronën si kolateral dhe mund të fuqizojnë bizneset e tyre,
nëpërmjet të cilave shpeshherë edhe sigurojnë të mira ekonomike për fëmijët e tyre, për familjet
e tyre dhe garantojnë ngritjen e tyre akademike e profesionale.

Po ashtu, problem në këtë sferë mbeten edhe martesat joformale, kështu duke pamundësuar
trashëgiminë e pronës së bashkëshortit nga gruaja në rast të vdekjes së tij apo nga fëmijët, në rast
të vdekjes së dy prindërve. Është e rëndësishme, që grave t’u garantohet një periudhë pritjeje në
rastin kur ato heqin dorë nga trashëgimia, kështu që në këtë periudhë pritjeje ajo të mund të
ndryshojë mendje, që ta kërkojë të drejtën e saj.

Unë si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës konsideroj dhe mendoj, që neve nuk duhet
të kemi një diskriminim pozitiv edhe ndaj meshkujve, por edhe meshkujt ndaj nesh. Konsideroj
që duhet të punojmë në mënyrë që neve me vlera që kemi, që posedojmë, atëherë kjo është
barazia gjinore. Domethënë, ta respektojmë njëri - tjetrin në bazë të vlerave dhe jo në bazë të
gjinisë.

Konkretizimi i mundësive të tilla për gratë, përveçse do të ndikojnë direkt në mirëqenien e tyre
financiare, po ashtu do të ndikojë edhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të tyre dhe ngritjen e
pjesëmarrjes aktive të ndryshme në jetën shoqërore dhe publike. Një shoqëri demokratike
konsiderohet ajo që ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim gjinie dhe
fuqizimi i të drejtave të grave dhe burrave për të trashëguar pronën kontribuon në emancipimin
demokratik të shoqërisë sonë.

Unë me gjithë këto rekomandime, do të angazhohem që te Komisioni Parlamentar t’i adresojë
këto çështje që konsideroj, meqë jemi në shqyrtim të parë, unë fillimisht e përkrah, normalisht,
me ndryshime dhe me rekomandimet që do t’i ketë parasysh komisioni. Faleminderit shumë, për
vëmendjen!

Keyboard shortcuts

j previous speech k next speech