Faleminderit, i nderuar kryesues!
Kabinet qeveritar,
Të nderuar deputetë,
Kam kënaqësinë të paraqes para jush Agjendën për Reforma Evropiane, apo shkurt e njohur si
ERA.
ERA është rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta në nivelin më të lartë politik për të
intensifikuar zbatimin e reformave kyçe, me qëllim të përmbushjes së detyrimeve që dalin nga
Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit.
Më konkretisht, kjo kornizë formale është ideuar së bashku me BE-në dhe në nëntor të vitit 2016
është lansuar zyrtarisht nga kryeministri Mustafa dhe Komisari për Fqinjësi dhe Zgjerim,
Johanes Han.
Më konkretisht, qëllimi i ERA-s është që të shërbejë si dokument formal për zhvillimin e
dialogut të nivelit të lartë politik mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që do të
shtyjë përpara zbatimin e MSA-së dhe reforma të tjera fundamentale që do ta shtyjë procesin e
aderimit të vendit tonë në BE në një fazë më të avancuar të marrëdhënieve politike, ekonomike
dhe institucionale.
Kjo synohet të arrihet duke i dhënë vëmendje më të lartë politike realizimit të reformave kyçe
ekonomike, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e qeverisjes së mirë.
Gjatë përgatitjes së ERA-s kemi zhvilluar konsultime të vazhdueshme në të gjitha nivelet, duke
filluar nga niveli më i lartë politik, duke përfshirë edhe presidentin e Republikës së Kosovës dhe
kryetarin e Kuvendit, e deri në nivel të të gjitha departamenteve të institucioneve relevante të
vendit.
276
Këto konsultime punuese kanë çuar në një listë prej 22 prioritetesh që do të zbatohen deri në
fund të vitit 2017.
Prioritetet janë të ndara në tri shtylla: qeverisja e mirë dhe sundimi i ligji, konkurrueshmëria dhe
klima e investimeve dhe punësimi e arsimi.
Shtylla e parë, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, përmban 9 prioritete, të cilat prekin reformën
e administratës publike, politikat kundër korrupsionit, reformën në sistemin e drejtësisë dhe
prokurimit publik.
Më konkretisht, në kuadër të kësaj shtylle do të konsolidojmë më tej legjislacionin për
parandalimin dhe luftimin e konfliktit të interesit dhe formave të tjera të korrupsionit në të gjitha
institucionet publike.
Do të miratojmë dhe fillojmë së zbatuari legjislacionin e ri për shërbimin civil, pagat e
shërbyesve civilë dhe organizimin e administratës publike, do të vendosim një sistem të
llogaridhënies dhe transparencës së funksionimit të partive politike, do të përmirësojmë
pavarësinë dhe llogaridhënien e institucioneve të pavarura, do të fillojmë me zbatimin e
prokurimit elektronik në të gjitha institucionet dhe nivelet, do të ngrihen kapacitetet
institucionale të gjykatave në çështjet fiskale dhe ekonomike si dhe do ngrihen kapacitetet e
Prokurorisë Speciale me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Institucionet kryesore përgjegjëse për zbatimin e prioriteteve të shtyllës së parë janë: Kuvendi,
Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administratës Publike, e Financave,
organet e prokurimit publik si dhe Këshilli Gjyqësor, Institucioni Gjyqësor, gjykatat, Prokuroria
Speciale dhe institucione të tjera të pavarura, të mandatuara për fushat e sipërpërmendura, ku
bien këto prioritete.
Në kuadër të shtyllës së dytë, konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, kemi paraparë shtatë
prioritete, të cilat prekin klimën afariste dhe të investimeve, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme,
infrastrukturën dhe energjinë.
Sa i përket klimës afariste dhe të investimeve, ERA parasheh ngritjen e kapaciteteve
institucionale dhe përmirësimin e shërbimeve për tërheqjen e investimeve të huaja direkte,
përmirësimin e ambientit afarist, me fokus në avancimin dhe zbatimin e legjislacionit për
falimentim, për kontabilitet, auditim e raportim financiar dhe atij për licenca në treg.
Pastaj, luftimin e ekonomisë joformale, përkrahjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të
mesme, zhvillimin e mëtejmë të sistemit të statistikave në vend, zbatimin e prioriteteve të
procesit të Berlinit për përmirësimin e ndërlidhshmërisë infrastrukturore me vendet e tjera të
277
rajonit në shërbim të zhvillimit ekonomik e shkëmbimeve tregtare si dhe modernizimin e sektorit
të energjisë, me fokus në infrastrukturën e gjenerimit të energjisë, efiçiencën e energjisë dhe
burimeve të ripërtëritshme.
Institucionet kryesore përgjegjëse për zbatimin e prioriteteve të shtyllës së parë janë: Zyra e
kryeministrit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Zhvillimit Ekonomik, e Financave dhe
Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor.
Shtylla e fundit, ajo e punësimit dhe e arsimit, përmban gjashtë prioritete që do të sjellin
avancimin e cilësisë dhe zbatimit të politikave për punësim, adresimin e papunësisë së të rinjve
dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, funksionalizimin e Agjencisë së punësimit,
si institucion përgjegjës për zbatimin e politikave të punësimit aktiv, avancimin e legjislacionit
për reforma në sektorin e arsimit, përmirësimin e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet, me
fokus, në përmirësimin e kurrikulave dhe trajnimin e mësimdhënësve, si dhe përmirësimin e
cilësisë së arsimit e aftësimit profesional dhe të kalimit nga shkollimi në tregun e punës.
Përgjegjësia për zbatimin e prioriteteve të shtyllës së tretë bie mbi Ministrinë e Punës dhe
Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Faleminderit!

Keyboard shortcuts

j previous speech k next speech